Çfarë u diskutua më tepër sot, pati debate apo vendime?
Çështjet që u trajtuan kanë qenë më të lehta se të herës së kaluar. Në shumë prej pikave kemi pasur marrëveshje. Shumë prej pikave që janë propozuar kanë mbetur ashtu siç kanë qenë në drejtshkrim. Janë bërë vetëm disa ndërhyrje të vogla që nuk kanë shumë peshë. Unë mendoj se kjo ka qenë një ndër mbledhjet që ka ecur më lehtë.
Konkretisht çështja e zanoreve ka pasur shumë reagime. Si ka qenë ecuria e saj në mbledhje?
Ato që janë bërë me marrëveshje tashmë kanë kaluar. Këto kanë qenë çështje të reja, drejtshkrimi i bashkëtingëlloreve të ndryshme, ë-ja pastheksore. Çështja e përdorimit të shkronjave të mëdha nuk përfundoi sot. Ka mbetur për tu trajtuar edhe shkrimi i toponimeve. Më shumë ka pasur ndërhyrje të vogla, sa për t’i futur në sistem disa ndryshime që kanë qenë në drejtshkrim. Mendoj që mbledhja ka qenë shumë korrekte.
Ndryshimi i standardit është shoqëruar me debate në Shqipëri. Po në Kosovë?
Vlen të themi që Shqipëri-Kosovë jemi një dhe të gjitha çështjet që kanë interes të përbashkët sigurisht që sjellin pasoja ose shqetësime të njëjta. Unë konsideroj se Këshilli Ndërakademik po bën punën e vet, po shqyrton çështjet nga ana profesionale dhe shkencore. Ndaj është shumë normale që të kemi edhe debate, të mos pajtohemi në shumë prej pikave që janë shqyrtuar edhe në mbledhjen e djeshme.
Prof. Rami Memushaj ka nxjerrë disa prej konkluzioneve lidhur me këtë çështje. I keni marrë parasysh?
Janë marrë parasysh të gjitha ato që ka thënë edhe në mbledhjen e komisionit ku ka punuar. Materiali i hartuar ka pasur parasysh edhe vërejtjet e prof Ramiut, kështu që janë debatuar dhe diskutuar gjerësisht shumë prej pikave. Tashmë po përfundojmë përafërsisht çështjet e drejtshkrimit. Unë mendoj se çështjet që do të diskutohen më tej në komisionin e morfologjisë mund të nxisin më tej debate. Unë mendoj që ato çështje që i takojnë më tej mund të nxisin debate pak më shumë. Kështu ma merr mendja mua. Këto çështjet e drejtshkrimit shpesh janë edhe çështje sistemore edhe çështje teknike.
Mendoni se duhet pasur edhe një mbështetje nga studiuesit e gjuhës?
Ne po përpiqemi të bëjmë disa propozime, sigurisht për mirë. Sigurisht që studiuesit kanë vërejtur disa ndryshime dhe unë mendoj se po përgatitet një material që do të vihet në diskutim. Në këtë diskutim do të përfshihen të gjithë duke filluar që nga studiuesit, publicistët, gazetarët etj. Domethënë është një rrugë e gjatë. Janë punë që nuk përfundohen dhe nuk mund të zgjidhen edhe me shumë mbledhje të tjera. Jo më me një grup të ngushtë specialistësh.
Kur pritet të jetë mbledhja e radhës?
Mbledhja tjetër pritet të bëhet në muajin qershor dhe do të mbahet në Prishtinë. Do të ketë edhe tre mbledhje të tjera që do të mbahen po në Prishtinë. Për çdo vit nga tre mbledhje kryhen si në Tiranë dhe në Prishtinë. Kjo mbledhje është e vitit të kaluar.
Disa gjuhëtarë kanë dalë kundër vendimeve që janë marrë në qershor të vitit të kaluar. Keni një reagim lidhur me këtë?
Na vjen shumë keq që ka ndodhur kjo. Prof. Ramiu është një ndër njohësit më të mirë të drejtshkrimit. Na mungojnë shumë, sigurisht me mendimet e tyre profesionale. Mbledhja po ashtu na sjell para një akti jo të kthyeshëm. Por unë mendoj se ata do të jenë me ne në të gjitha propozimet apo sugjerimet që shkojnë për mirë. Kjo në mënyrë që të kemi një drejtshkrim sa më funksional.
Konkluzione
Si do t’i vejë filli gjuhës shqipe?
Përsosja dhe zhvillimi i përdorimit të shqipes standarde ka mbledhur sërish profesorët e Këshillit Ndërakademik në Tiranë. Kjo është mbledhja e tretë e Këshillit që mbahet në Tiranë gjatë viteve 2012-2013. Në mbledhjen e parë, më 7 mars 2012, u diskutua, u nxorën përfundime dhe u bënë propozime për çështje të leksikut, të terminologjisë dhe të anglicizmave në shqipen e sotme standarde. Në mbledhjen e dytë, më 27 qershor 2012, u diskutua rreth disa rasteve të drejtshkrimit të zanores ë të patheksuar në shqipen standarde. Mbledhja e tanishme e Këshillit nga ana tematike ishte vazhdim i mbledhjes së qershorit 2012.
Në këtë mbledhje u diskutua dhe u bënë propozime për disa çështje të tjera të drejtshkrimit të zanoreve e të bashkëtingëlloreve në shqipen standarde. Në deklaratën zyrtare të kryesisë thuhet se janë bërë propozime edhe për togje zanoresh oo, ii, uu, bashkëtingëllore j/nj dhe zanore i, bashkëtingëllore r/rr, l/ll, bashkëtingëllore të shurdhëta a të zëshme, bashkëtingëllore dyshe dh, th, sh, xh, zh, nj, gj. Veç këtyre, u diskutuan edhe disa çështje që lidhen me përdorimin e shkronjave të mëdha.
“Diskutimet në Këshill u përqendruan në disa çështje konkrete të drejtshkrimit, të cilat nuk cenojnë aspak bazën e nuk prekin sistemin e shqipes standarde, u dhanë mendime e u bënë propozime për njësimin e rasteve të njëjta me zgjidhje të dyfishtë në drejtshkrimin e sotëm, si gjatë fleksionit, ashtu edhe gjatë formimit të fjalëve, për mënjanimin a pakësimin e mundshëm e të dobishëm të përjashtimeve, për thjeshtimin e mëtejshëm të ndonjë rregulle të drejtshkrimit në pajtim me gjendjen e sotme të shqipes standarde etj”, thuhet në deklaratën e Këshillit Akademik për Gjuhën Shqipe.
Edhe pse mbledhja është bërë plotësisht “hermetike”, anëtarët e Këshillit pretendojnë që diskutimet brenda mbledhjes kanë qenë të hapura, me argumente shkencore dhe me frymë bashkëpunuese për t’i shërbyer gjuhës sonë të përbashkët, për të gjetur zgjidhje më të mira që lehtësojnë zotërimin e përdorimin e drejtë të saj. Sipas anëtarëve, mbetet detyrë e gjuhëtarëve dhe e institucioneve shkencore përkatëse që merren me gjuhën shqipe, të thellojnë studimet që ndihmojnë edhe për zgjidhjen më të mirë të problemeve të ndryshme të drejtshkrimit të shqipes standarde. Shefkije Islamaj, pjesë e Këshillit Ndërakademik bën me dije për “Shekullin” se mbledhja e radhës do të mbahet në Prishtinë në muajin qershor të këtij viti.
EDI RAMA
KRYETARI I PS-SË
Gjatë një vizite në Republikën e Kosovës, kryetari i opozitës nuk ka lënë jashtë vëmendjes çështjen e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Vizita e tij ka përkuar me ditën kur Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe mbajti mbledhjen e tretë të saj në Tiranë, në kuadër të përsosjes dhe vendosjes së një standardi tjetër letrar të shqipes. Lidhur me këtë, Rama ka shfaqur si problematikë kryesore keqfunksionimin e sistemit arsimor në Shqipëri.
“Sa i përket debatit mbi standardin e gjuhës shqipe mund të them se ky është një problem i madh edhe në Shqipëri, pra rënia e cilësisë së shkrimit të gjuhës shqipe, varfërimi i gjuhës shqipe për shkak të një sistemi arsimor mizerabël dhe për shkak të rënies së bumit të leximit”. Lidhur me këtë, kreu i opozitës propozoi ndërtimin e një sistemi të unifikuar arsimor, i cili do të bëjë të mundur edhe përmirësimin e gjuhës standarde në Kosovë dhe në Shqipëri. “Për këtë arsye unë besoj se ne me shpejtësi duhet të ndërtojmë sistemin e unifikuar arsimor.
Unë besoj se gjuha shqipe, ajo që quhet gjuha standarde shqipe është një arritje dhe pasuri e madhe”. Problematikë kryesore sipas Ramës është politizimi i sektorëve që merren me përmirësimin e mëtejshëm të sistemit arsimor në tërësi. Rama i etiketoi këto ndërhyrje si një dëm të madh që i bëhet vendit. “Edhe historia nuk është një materie me të cilën duhet të merren politikanët. Kur politikanët futen në shkrimin e historisë, bëjnë dëme historike. Në qoftë se ne dëshirojmë ta shfrytëzojmë hapësirën për gjëra që i vlejnë kombit tonë, i kemi të gjitha rrugët e hapura për ta bërë këtë gjë. Na duhet vizion, kreativitet, kurajë dhe vendosmëri”.