Denoncimi i një çifti nga Tirana, që ka në objekt ndërrimin e bebes në maternitet, është marrë seriozisht nga Policia e Tiranës, e cila ka nisur hetimet rreth këtij rasti. Në fakt, historia ka nisur që më 16 nëntor të këtij viti, kur në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, në Tiranë, një çift me inicialet M. Ç. dhe Sh. Ç., pati pretendime për ndërrimin e të porsalindurit me një foshnjë të vdekur. Historia bëhet ende më dramatike, nëse i bashkëngjitet fakti që çifti deklaroi në polici se mjekët u kishin thënë që fëmija lindi i vdekur, por në fakt ata pretendojnë se fëmija u është ndërruar në maternitet. Kësisoj, Komisariati Nr. 3, i cili ka në juridiksion këtë zonë, ka nisur menjëherë hetimet, duke marrë në pyetje familjarët, mjekët dhe ekipin mjekësor, teksa priten përgjigjet e analizave të ADN-së së foshnjës së vdekur, pasi trupi i pajetë është dërguar për ekspertizë pranë Mjekësisë Ligjore të Tiranës. Në lidhje me këtë rast, policia po heton në bazë të nenit 128 të Kodit Penal, atë të “ndërrimit të fëmijës”, çka përbën vepër penale dhe dënohet deri në tre vjet burg.
Denoncimet
Në datën 17 nëntor të këtij viti, Policia e Tiranës, përmes një deklarate për shtyp, thotë se “më datë 16 nëntor 2014, në maternitetin e Tiranës, bashkëshortja M. Ç., 20 vjeçe, ka lindur bebe të vdekur, por dyshon se ia kanë ndërruar. Kufoma e bebes u dërgua në Mjekësinë Ligjore, për të përcaktuar ADN-në dhe shkakun e vdekjes, ndërkohë që hetohet për ‘fshehje të fëmijës’, sipas nenit 128 të Kodit Penal”. Ndërkaq, dje, po në njoftim zyrtar, policia thotë se “në vijim të komunikatës të datës 16 nëntor, që bën fjalë për kallëzimin e shtetasit Sh. Ç., më datë 24 nëntor, kanë nisur hetimet në ngarkim të disa personave. Për arsye hetimi nuk jepen të dhëna të tjera. Pra, duke parë se në fillim ishte nëna e fëmijës dhe më pas i ati, ata që bënë denoncimin, Policia e Tiranës e ka parë të arsyeshme që ta publikojë lajmin dhe më pas të nisë hetimet në lidhje me këtë rast.
Hetimet
Burime pranë Policisë së Tiranës thanë për gazetën “Shqip”, se bëhet fjalë për një çift të ri, me banim në Tiranë, të cilët në të gjitha rastet kanë shfaqur dyshime të hapura rreth ekipit mjekësor, për një vepër me keqdashje, atë të ndërrimit të fëmijës. Ata pretendojnë se gjatë të gjitha vizitave të mëparshme mjekësore, askush nuk u kishte thënë se diçka nuk shkonte me fëmijën e tyre dhe akuzojnë mjekët se e kanë ndërruar fëmijën, për të cilën pretendojnë se ka lindur i gjallë, me një fëmijë të vdekur. Policia e dërgoi trupin e pajetë pranë morgut të Tiranës dhe burimet pranë Mjekësisë Ligjore konfirmuan për “Shqip” se janë kryer analizat e ADN-së dhe se shumë shpejt priten edhe përgjigjet, për të mësuar nëse ishte fëmija i tyre apo i ndërruar. Ligji parashikon burg për një vepër të tillë penale dhe më konkretisht në nenin 128 të Kodit Penal thuhet se “fshehja ose ndërrimi me dashje i fëmijës me një tjetër, i kryer nga personeli mjekësor, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet”. Ndërkaq, një tjetër pikë e këtij neni thotë se “ndërrimi i fëmijëve i bërë me pakujdesi nga personeli, ku fëmijët mbahen për rritje, mjekim ose në shtëpi lindjeje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”.