Kuptohet që pritja e djeshme e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku, ishte për një mbështetje morale të përfaqësimit të Shqipërisë në Festivalin Evropian të Këngës në Moskë. Ministria mund të ketë lidhje me ndonjë festival privat kënge që e financon çdo vit, por jo me festivalin e RTSH-së, i cili zgjedh këngën që shkon në Eurosong. Takime si ky, më shumë se të përzemërta, nuk i kursejnë emocionet, patetizmin, deklaratat për ndërgjegje të lartë patriotike, lidhjet aspak të rastit që ekzistojnë mes shenjave të mira që po u vijnë shqiptarëve një pas një: shpallja e Kosovës së pavarur, anëtarësimi në NATO, etj. Portretet e protagonistëve u ngjajnë heronjve në tentativë, flasin me gjysmë zëri, sikur i janë vjedhur gjumit duke punuar për këtë ditë, për këtë moment, për të thënë pikërisht atë që duhet ta mësojmë gjithë shqiptarët: jemi lodhur shumë, kemi punuar fort, pa pushim, ditë e natë.
Një vajzë e re i fryn një puple që bredh botën. Është Kejsi Tola, e filmuar në këngën "Më merr në ëndërr". Me këtë këngë, që u projektua dje në Ministrinë e Kulturës, Shqipëria do të përfaqësohet më 12-16 maj në Moskë.
Ai grup i Radio Televizionit Publik Shqiptar dhe të tjerë që do të shoqërojnë Kejsin në performancën e saj, niset më 4 maj drejt kësaj pune, duke i dhënë rëndësinë e një ndeshjeje futbolli të kombëtares.
Ministri Turku tha: "Me meritë ndodheni në këtë pozicion për të përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Europian, sepse keni bërë një punë serioze". Pastaj shtoi se "përfaqësimi juaj do të ngrejë në një nivel më të lartë muzikën shqiptare", një klishe që thuhet gjithnjë për artistët tanë kur shkojnë diku dhe me siguri, ata që i hedhin këto fjalë, nuk i peshojnë, sepse nuk kanë për qëllim të përcjellin ndonjë gjë të vërtetë për njerëz të gjallë.
Jo vetëm kaq, por ministri ka edhe standarde krahasimi për këtë rast. Ai do donte që 16-vjeçarja, Kejsi Tola, të arrijë së paku nivelin e Anjeza Shahinit disa vjet para, kur ajo u rendit e shtata dhe pati për autorë Edmond Zhulalin dhe Agim Doçin.
Ndërsa vetë Kejsi tha se "është një nga gjërat më të mëdha që më ka ndodhur në jetë. Kam punuar shumë fort dhe shpresoj se do bëj një përfaqësim dinjitoz të vendit tim në Moskë. Ndihem mirë, se nuk do të jem vetëm, ndihem e mbrojtur". Ajo do të shoqërohet nga dy këngëtare dhe dy balerinë, të cilat kanë ardhur nga Greqia së bashku me koreografin Julian Bulku. Edhe ky është përshëndetur para gazetarëve, pasi ndërmjet kërkesave të vendeve të ndryshme për të realizuar koreografi në skenën e Eurosong-ut, ai iu përgjigj vendit të origjinës, Shqipërisë. Edhe Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Petrit Beci, e çmoi shumë këtë kontribut.
Nën këtë flamur, Suzana Turku, zëvendësministre e Kulturës, ka vlerësuar tek kënga e Zhulalit motivet shqiptare, që janë të prekshme për publikun. Ajo ka theksuar se vokali që i është besuar kësaj kënge është vërtet i mirë. "Kejsi nuk është rastësi në këngë", - shtoi Turku, duke vlerësuar në këtë mënyrë punën që e ka sjellë deri këtu vajzën e re.
Autori i tekstit të këngës, Agim Doçi, shprehu bindjen se me muzikën e atdhetarit dhe kompozitorit, Edmond Zhulali dhe me zërin e Kejsi Tolës, "ne do të tronditim Moskën dhe Kremlinin". Prandaj, ndoshta e pa të udhës që në atë moment t\'i bënte një kërkesë publike Ministrit të Kulturës, Ardian Turku. "Miratoni një fond të veçantë për familjarët tanë. Ne jemi buxhetorë. Ja, gruaja e drejtorit, e imja dhe e Zhulalit, do paguajnë nga xhepi".
Autori Doçi ka kërkuar në këtë mënyrë një mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës për të mbuluar, të paktën, shpenzimet e udhëtimit për të në Moskë edhe të grave të të përmendurve, sepse të burrave, atyre vetë, i mbulon buxheti i televizionit shtetëror.
Kësaj kërkese, që nuk kishte as ton ironik, as tallës, dhe as lutës, nuk iu kundërvu asnjë nga "burrat e atyre grave", për të cilat kërkoheshin paratë. Do të thotë se ishte një kërkesë e përbashkët për këtë aventurë të përbashkët në takimin me ministrin ku propaganda në emër të flamurit shqiptar dhe përfaqësimit të Shqipërisë diku, nuk u bëka vetëm për hir të propagandës.
Gazeta Shekulli