Nacionalizmi grek Megale Idea dhe Venizelizmi

Nacionalizmi grek, 'Megale Idea' dhe Venizelizmi

Ekzistenca e shtetit grek është dominuar prej dy shekujsh nga idetë nacionaliste të ekspansionit territorial, grushteve të shtetit, luftërave të shpeshta me fqinjët. Një historian amerikan shpjegon forcën përcaktuese të këtyre ngjarjeve

Historia

Disa tema dhe tendenca në historinë e Ballkanit kuptohen më lehtë nëse ne braktisim paragjykimet që kemi nga historia e përgjithshme europiane, përfshirë paragjykimet mbi periodizimin. Kjo është e vërtetë për historinë e Greqisë, si dhe atë të Serbisë dhe shumë dukshëm kur ne masim vendin e duhur të Luftës së Parë Botërore në kronologjinë historike të Greqisë.

Vitet 1914 dhe 1918 nuk janë datat më të vlefshme apo kritike për të kuptuar nacionalizmin grek, për shkak se forcat në punë në këtë ngjarje filluan shumë kohë para Luftës së Madhe e vijuan edhe shumë më pas.

Gjerësisht ne mund të themi se nacionalizmi në marrëdhëniet e jashtme filloi për Greqinë me Revolucionin e vitit 1821. Më ngushtë, ne mund të themi se Lufta Europiane e viteve 1914-1918 ishte vetëm një episod në një seri luftërash për ekspansion territorial kombëtar, që nisi me Luftën e Parë Ballkanike të 1912-s dhe përfundoi me luftën kundër Republikës Turke të Kemal Ataturkut në vitin 1923. Dhe kjo përplasje një dekadë e gjatë ishte thjesht një lidhje në një seri ngjarjesh që u farkëtuan në vende si Qipro dhe në marrëdhëniet e Greqisë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Origjina e Megale Idea

Nacionalizmi grek kishte “Megale Idea”, si ana tjetër e “Nacertanijes” së Serbisë. Fjalë për fjalë ajo përkthehet si “Ideja e Madhe”. Megale Idea nënkupton synimin për rikrijimin e një shteti grek si atdhe për të gjithë grekët në Mesdhe dhe Ballkan. Një Greqi e tillë do të ishte territorialisht më e madhe se shteti grek i sotëm, por do të ishte më i vogël se sa bota greke e kohëve klasike, e cila shtrihej në perëndim në brigjet e Sicilisë, në verilindje në Detin e Zi dhe në jug, në Egjipt.

Aleksandri i Madh, një figurë e historisë klasike greke dhe legjendë, u shfrytëzua nga politikanët konkurrues të ditëve tona. Ai njihet se shpërndau ndikimin e helenizmit në Afrikë dhe në Azi.

Një nga aspektet e pazgjidhura të Megale Idea dhe të objektivave të nacionalizmit grek ka qenë pasiguria mbi atë se çfarë konsiderohej greke e pse.

Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, përkatësia fetare me Kishën Ortodokse Greke ngatërrohej shpesh me përkatësinë etnike: Bullgarët, për shembull, punuan për shumë vite për të siguruar një kishë bullgare të pavarur për këtë arsye. Pretendimet ekstreme territoriale greke lindën nga zbatimi i gjeografisë klasike mbi hartat moderne. Rezultati ka qenë konflikt me Shqipërinë mbi Epirin, me Serbinë dhe Bullgarinë mbi Maqedoninë dhe me Turqinë mbi Stambollin, brigjet e Anadollit dhe ishujt e Egjeut.

Ndërsa rënia e Kostandinopojës më 1453 i dha fund fuqisë politike greke në Ballkan, sistemi i miletit në Perandorinë Osmane siguroi që ndikimi grek të mbetej i fortë përmes Agjencisë së Kishës Ortodokse. Fuqia e Patriarkut dhe hierarkisë së tij hapi mundësi të mëdha për grekët dhe kjo ndihmoi për të mbajtur gjallë vizionet e një shteti të rimëkëmbur grek mes grekëve të Perandorisë Osmane.

Interesi i Europës Perëndimore mbi Greqinë e lashtë krijoi Filo-Helenizmin. Klasa sunduese e Britanisë në veçanti ishte shumë e interesuar për Greqinë për shkak të shkollimit të tyre mbi klasicizmin dhe kjo solli mbështetjen e Britanisë për Revolucionin Grek për pavarësi.

Rhigas Pheraios publikoi një manifest më 1797-n, një vit para arrestimit dhe ekzekutimit për komplot antiturk. Puna e tij ofron dituri mbi atë se çfarë mendonin grekët në prag të epokës moderne revolucionare. Rhigas parashihte një shtet të madh që zinte Ballkanin dhe Anadollin, ku do të jetonin të gjitha grupet etnike, por do të sundoheshin sipas ideve greke. Rhigas ishte i avancuar mjaftueshëm në të menduarit e tij sa braktisi religjionin si një kriter për identitetin kombëtar por nuk ishte mjaftueshëm largpamës në mënyrën se si pa nacionalizmin modern etnik, me këmbënguljen e tij për një gjuhë dhe kulturë të përbashkët, gjë që e bënte idenë të pamundur. Ai ndikoi mbi planifikuesit e Revolucionit të vitit 1821. Ne mund të shohim jehonë të mendimit të tij në planet për kryengritjen me tri baza në Stamboll, Rumani, si dhe në Peloponez. Ne pamë se si kjo ide u rrëzua shpejt përballë nacionalizmit rumun dhe që kryengritja në Rumani dështoi sepse rumunët urrenin guvernatorët e tyre që ishin grekë fanariotë (grekë nga Stambolli).

Megale Idea pas 1830-s

Pas arritjes së pavarësisë së Greqisë më 1830, Megale Idea luajti një rol të madh në politikën e Greqisë. Diku mes dy të tretave dhe tre të katërtave të popullit grek mbetën jashtë kufijve të shtetit të kufizuar të Greqisë që u krijua me lejen e Fuqive të Mëdha, të cilat nuk kishin synim të krijonin një shtet të madh grek si zëvendësues për Perandorinë Osmane. Mbreti Othon u bë “Mbreti i Greqisë” dhe jo “Mbreti i Grekëve” ekzaktësisht për këtë arsye: Një titull i mëvonshëm nënkuptoi interesat e tij jashtë kufijve të rinj.

Megale Idea vijoi të jetë një koncept sa intelektual, aq edhe politik. Puna e historianit Konstantinos Paparrigopoulos tregon se si idetë frymëzuan politikën.

Paparrigopoulos pati lindur më 1815 në Stamboll. Si fëmijë, familja e tij iku në Odesa pasi kryengritja e vitit 1821 dështoi në kryeqytetin e Turqisë. Në Greqinë e re, ai u bë një profesor me ndikim duke shkruar histori në shërbim të nacionalizmit dhe “atdheut”.

Puna e tij tregon se në çfarë mase shteti i Greqisë bazohej jo vetëm te nevojat e atyre ditëve por edhe te të dhënat historike për të justifikuar dhe për të identifikuar veten. Më 1843, Paparrigopoulos refuzoi pretendimin e një gazete gjermane, e cila shkruante se popullata aktuale greke ishte pasardhëse e sllavëve dhe shqiptarëve që patën ripopulluar Greqinë në vitet 500 të Erës së Re. Puna e tij ishte me vetëdije politike: Ai foli nëpër manifestime politike dhe ofroi ekspertizën e tij në Kongresin e Berlinit për t’u siguruar që kufijtë e vizatuara më 1878 të reflektonin pozicionin e Greqisë mbi identitetin etnik të popullatës së Maqedonisë.

Paparrigopoulos lidhi Greqinë moderne me rrënjët e veta klasike dhe mesjetare, një qëndrim që nënkuptonte pretendime për të gjitha tokat e Perandorisë Bizantine.

Grekët dhe udhëheqësit e tyre që të gjithë dëshironin çlirimin e grekëve që jetonin jashtë kufijve, por kishin ide të ndryshme mbi atë se si mund të bëhej kjo. Në vitet 1880, Kharilaos Trikoupis (shtatë herë kryeministër mes viteve 1875 dhe 1895) mendoi se rruga më e mirë ishte reforma dhe modernizimi i ekonomisë vendëse para se të ndërmerreshin rreziqe ndërkombëtare. Rivali i tij, Theodoros Deliyannis (pesë herë kryeministër mes viteve 1885 dhe 1905) pati një qëndrim të kundërt dhe karriera e tij tregoi gatishmërinë për të ndërmarrë rreziqe. Kur principata e vogël bullgare u zgjerua në Rumelinë Lindore më 1885, Deliyannis mobilizoi ushtrinë e Greqisë në përpjekje për të siguruar më shumë territore për Greqinë: Por Fuqitë e Mëdha reaguan me një bllokadë që dëmtoi ekonominë e Greqisë.

Deliyannis hyri në luftë me Turqinë më 1897 mbi ishullin e Kretës, gjë që solli poshtërim të dyfishtë: Osmanët e mposhtën bindshëm Greqinë në betejë, ndërsa falimenti kombëtar solli kontrollin e buxhetit kombëtar të Greqisë nga Fuqitë e Mëdha. Por pavarësisht këtyre disfatave, ndjekja e Megale Ideas mbeti një bazë e vlefshme për karrierë politike.

Lojërat Olimpike

Është paksa e padrejtë të flasësh gjithmonë mbi aspektet negative të nacionalizmit. Ndërsa fodullëku nacionalist ka shkaktuar disa nga luftërat më të tmerrshme, ajo në shumë raste ka pasur edhe rezultate pozitive. Një nga më interesantet nga këto ka qenë rigjallërimi i Lojërave Olimpike në formën moderne, të cilat u zhvilluan për herë të parë në Athinë, më 1896-n.

Frymëzimi për lojërat tona moderne olimpike erdhi nga Pierre de Coubertin, një francez që shpresonte se programet atletike sipas modelit britanik do të ndihmonin në rigjallërimin e Francës pas mposhtjes nga Gjermania më 1870. Interesimi mbi konceptin olimpik nuk ishte i ri. Grupime fil-helenikësh në Angli zhvilluan “lojëra olimpike” herë pas here që nga vitet 1600: Shekspiri iu referua lojërave olimpike të lashta te “Henri VI”. Mbreti i Greqisë kontribuoi në një nga trofetë për një seri lojërash angleze të zhvilluara më Shropshair nga 1840 deri më 1880. Mbreti Othon sponsorizoi Lojërat Olimpike jashtë Athinës më 1859, një aktivitet që u zhvillua sërish më 1870, 1875 dhe 1888.

Asnjë nga këto aktivitete nuk përfshinte konkurrencën mes atleteve nga shtete të ndryshme por nocioni i një ngjarjeje ndërkombëtare në Greqinë Moderne i kishte gjithashtu rrënjët në kohët klasike. Ajo qe një ide joshëse për grekët që po përpiqeshin të tërhiqnin vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Lojërat mbartnin një mesazh të qartë se Greqia e vjetër dhe ajo e re qenë një dhe e njëjta gjë dhe mbështeste shpresat e Greqisë se lavdia e lashtësisë do të tërhiqte mbështetje ndërkombëtare për ambicien e Greqisë së re. Për rrjedhojë, grekët e mirëpritën idenë e De Coubertin.

Kur De Coubertin filloi planifikim serioz më 1894, një grek me emrin Demetrios Bikelas organizoi Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Në përputhje me konfliktin e tyre politik, Deliyannis e mbështeti idenë, ndërsa Trikoupis e hodhi poshtë atë si shpërdorim i kotë parash. Gjithsesi, ideja pati mbështetjen e popullsisë dhe të mbretit George. Mbreti ra dakord t’i mikpresë lojërat në Athinë më 1896-n, dhe fonde private u gjetën për t’i financuar ato.

Për të fuqizuar më tej identifikimin e lashtësisë me sportet moderne, sponsorizuesit shpikën një garë 40 kilometërshe “Maratonë” bazuar në legjendat mbi fitoren e Athinasve në Maratonë në vitin 490 para Erës së Re. Sërish në përputhje me idetë nacionaliste, lojërat u hapën në ditën e pavarësisë së Greqisë: 6 Prill 1896. Krenaria e Greqisë u përkëdhel kur një grek fitoi maratonën e parë. Megjithëse propozimi grek për ta bërë Athinën vendin permanent të lojërave çdo katër vjet u hodh poshtë, Olimpiada u bë një mënyrë e pazakontë dhe paqësore për të siguruar besueshmëri për Greqinë, bazuar në historinë e vet kombëtare.

Kreta dhe Maqedonia

Pas kohëve të mira të vitit 1896, humbja në luftën e vitit 1897 ishte një kujtesë e faktit se prapambetja ekonomike, dobësia ushtarake dhe korrupsioni politik sërish e pengonin Greqinë në arritjen e qëllimeve të Megale Idea.

Vendi nuk ishte në gjendje të arrinte bashkimin (Enosis) me Kretën pavarësisht kryengritjeve të vazhdueshme në ishull. Në Maqedoni, grekët u kapën në befasi nga kryengritja probullgare e vitit 1903 dhe iu desh të krijonin forca guerile rivale me nxitim.

Kur Paul Melas, djali i një familjeje të njohur të Athinës dhe një oficer i punësuar në Ushtrinë e Greqisë, u vra ndërsa shërbente në mënyrë sekrete dhe ilegalisht në Maqedoni, zbulimi shkaktoi një skandal: Fuqitë e Mëdha dënuan ndërhyrjen e Greqisë brenda Turqisë por popullata greke dënoi qeverinë për faktin se nuk po bënte sa duhet për të siguruar Maqedoninë për Greqinë.

Megjithëse gueriljet greke gradualisht siguruan gjysmën jugore të Maqedonisë duke mposhtur njësitë probullgare, asgjë nuk erdhi nga fitoret e tyre për shkak se Revolucioni Xhonturk i vitit 1908 rivendosi sundimin osman, në dukje në një formë që ishte edhe më i fuqishëm se sa kurrë më parë.

Në vitin 1909, një kryengritje tjetër u shënua në ishullin e Kretës dhe sërish Greqia ishte tepër e dobët për të rrezikuar duke hyrë në luftë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama