Ngjarjet që shoqëruan 100 vjetorin e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar krijuan idenë e ringjalljes së politikës së vjetër nacionaliste për bashkimin e Shqipërisë. Në fakt, ngjarjet ndezën dhe çliruan patriotizmin e vjetër dhe atdhedashurinë shqiptare për pamundësinë e realizimit të ëndrrës së shumë gjeneratave për bashkimin e trojeve shqiptare. Konceptimi i kësaj feste, si një ngjarje e madhe që nuk i takon Shqipërisë por gjithë kombit shqiptar kudo ku jeton e punon, ishte meritë e pamohueshme e organizatorëve.
Shqiptarët u ndjenë për herë të parë të bashkuar dhe krenarë rreth një flamuri, të respektuar, të barabartë dhe faktorë në atë që Benedikt Anderson e quan “komunitet imagjinar”, i cili nënkupton kombin etnik dhe perceptimin e tij nga individë që i përkasin një gjuhe, kulture dhe një historie të përbashkët. Festimi i kësaj feste të madhe për shqiptarët, nuk mund të ishte shpërthimi i nacionalizmit shqiptar brenda një dite, i fshehur dhe i shtypur nga ideologjitë politike paraardhëse, sistemit totalitar ku ata kanë qenë të destinuar të jetojnë apo pamundësisë së tyre për t’ju imponuar Fuqive të Mëdha të kohës një zgjidhje realiste dhe të drejtë për Shqipërinë.
Perceptimi për lindjen e një nacionalizmi shqiptar që ka për bazë bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të përbashkët, vjen, në radhë të parë, si rezultat i një të drejte historike të pamohueshme dhe padrejtësive që i janë bërë shqiptarëve dhe copëzimit të Shqipërisë në shekullin e kaluar. Askush nuk mund të mohojë një të drejtë historike duke besuar në mundësinë e korrigjimit dhe dhënien e një zgjidhjeje të drejtë.
Së dyti, ky perceptim mbështetet në shfaqjet e nacionalizmit dhe veprimeve ekstreme që shoqërojnë rastet e krizave ekonomike botërore si zgjidhje alternative. Europa sot po përjeton raste të tilla të ngjashme. Kushtet politike ekonomike mundësojnë lindjen e lëvizjeve të tilla.
Së treti, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Greqi, etj. ngritja e forcave nacionaliste për të korrigjuar politikat e qeverive demokratike krijojnë idenë e rikthimit të nacionalizmit në politikë.
Nacionalizmi dhe krijimi i shteteve kombe është një proces historik i cili i përket shekullit të XIX dhe XX, dhe vjen si rezultat jo vetëm i dëshirave, por kryesisht i nevojave të kombeve për tu mbrojtur dhe zhvilluar në sistemin kapitalist. Ai përmbledh evolucionin e shoqërisë njerëzore nëpërmjet industrializimit, progresit të shtypit të shkruar, zëvendësimit të gjuhës latine me gjuhët e veçanta nacionale, shpërbërjes së monarkive si sisteme administrative drejt shteteve që formoheshin në bazë etnike apo qytetarëve që jetonin në një shtet të përcaktuar (Franca). Nacionalizmi në shekullin e XXI nuk mund të jetë një përsëritje e rëndomtë e nacionalizmit të shkuar për arsye të ndryshme:
a. Kushtet ekonomike, sociale dhe politike të shoqërisë njerëzore kanë evoluar e ndryshuar rrënjësisht dhe tendencat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore janë drejt integrimit ekonomik, respektimit të të drejtave të njeriut, lëvizjen e lirë, etj. Në shoqërinë e sotme shtetet nuk janë aktorët e vetëm të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku shoqëritë multinacionale, organizatat joqeveritare po marrin një rol gjithmonë e më të rëndësishëm dhe interesat e tyre nuk mund te kufizohen e përcaktohen nga interesat e shteteve.
b. Nacionalizmi nuk mund të promovohet dhe zhvillohet nga politika. Si ideologji ai duhet të ndjehet e të besohet nga shoqëria civile si nevojë, të shtyhet nga nevojat ekonomike të kompanive apo biznesit privat dhe të përcaktohet si domosdoshmëri për zhvillimin e vendit.
c Marrëdhëniet ndërkombëtare kanë ndryshuar e janë zhvilluar në kushtet e botës moderne e cila gjithmonë e më shumë po bëhet më e ndërthurur e më e ndërvarur. Koncepti i “sovranitetit shtetëror”, si element bazë i kombit shtet, gjithmonë e më shumë po ndryshon drejt “sovranitetit popullor”, të respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Për rrjedhojë, bota moderne gjithmonë e më shumë është e prirur ndaj shoqërisë së hapur, shteteve multi-etnike dhe lirisë së të drejtave të njeriut sesa në përkrahjen e shteteve të pastra etnike. Krijimi i shteteve të pastra etnike nuk qëndron në bazë të filozofisë së komunitetit ndërkombëtar që rregullon marrëdhëniet ndërkombëtare.
E parë në kontekstin e zhvillimit të shoqërisë njerëzore dhe interesave të shoqërisë shqiptare, nacionalizmi shqiptar mbetet një ide e bukur por e tejkaluar nga koha. Bashkimi i shqiptarëve, si një e drejtë e pamohueshme do të vijë natyralisht në integrimin e gjithë rajonit tonë, ku shtrihen hapësirat shqiptare, në Bashkimin Europian. Hyrja në Union, ku kufijtë janë të parëndësishëm, do të sjellë normalisht dhe bashkimin e hapësirave shqiptare. Patriotizmi i sotëm nuk është lufta në përcaktimin e territoreve, por në përpjekjet për të ngritur një shoqëri më të edukuar, më të lirë, më me dinjitet për kombin tënd, për të zënë vendin e merituar në botën e qytetëruar.
“Nacionalizmi shqiptar” dhe sfondi ndërkombëtar
Dëshira jonë për bashkim kombëtar jashtë kuadrit të Europës së Bashkuar, në këndvështrimin e situatës ndërkombëtare, mbetet një utopi dhe quhet folklorike në kuptimin e të qënit një histori e bukur. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet mbajtur dhe ushqyer, por nuk duhen ushqyer iluzione për arritjen e saj në kushtet konkrete
Muajt e fundit ka një perceptim të fermentimit të nacionalizmit shqiptar. Natyrisht nuk është shumë e vështirë të bësh dallimin midis shpërthimit të krenarisë së ligjshme kombëtare, manifestuar gjatë festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, me shprehjet nacionaliste, kinse patriotike. Dështimet e qeverisjes dhe të shtetit ligjor, situata e vështirë ekonomike, papunësia, ndjenja e mungesës së shpresës dhe perspektivës se si dilet nga kjo situatë, mungesa e legjitimitetit të qeverisjes dhe e drejtësisë, kanë bërë që shumë prej nesh, shumica të rinj dhe për më tepër nga zonat urbane dhe të arsimuar, ta shikojnë bashkimin kombëtar si një mënyrë për të luftuar më me efektivitet plagët e krijuara nga qeverisja e keqe. Pra, duket se në këtë dimension është krijuar një rezervuar votash të lakmuara në këtë prag fushate. Kjo gjendje e ka nxjerrë nga qendra qeverisjen duke synuar këtë grup votuesish përmes retorikave ta pazakonshme për të. Shumëkush po nxiton me plane e ide për bashkimin kombëtar përmes pasaportave etj.
Por a është kjo rruga. Abstragimi qoftë edhe për një moment nga realiteti ndërkombëtar është i palejueshëm për një analizë të mirëfilltë. Rendi ndërkombëtar është më i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin botëror sesa dëshirat tona, qofshin këto edhe shumë të bazuara në të drejtën historike, pra edhe duke pasur shumë të drejtë. Ende jetojmë në një kohë historike, kur në arenën ndërkombëtare fuqia bën drejtësinë. Sa të fuqishëm janë sot shqiptarët ekonomikisht, politikisht, si kohezion social, (nuk e di nëse vlen të përmendet ushtarakisht) etj, besoj se nuk është e vështirë të gjykohet nga statistikat të njohura publikisht. Thënë fare shkurt, jemi ende vendi më i varfër i Europës dhe për shkak apo pasojë edhe vendi më i korruptuar. Për të ruajtur sovranitetin na u desh të përpiqeshim shumë dhe i gëzohemi Aleancës së Atlantikut të Veriut, jo rrallë përsëri në mënyrë folklorike, po të kujtojmë se sa ishte ajo aleancë në gjendje të pajtonte fqinjët tanë, në gjysmën e viteve 70, në konfliktin për Qipron.
Pra, dëshira jonë për bashkim kombëtar jashtë kuadrit të Europës së Bashkuar, në këndvështrimin e situatës ndërkombëtare, mbetet një utopi dhe quhet folklorike në kuptimin e të qënit një histori e bukur. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet mbajtur dhe ushqyer, por nuk duhen ushqyer iluzione për arritjen e saj në kushtet konkrete.
Projekti Europian të cilin gëzojnë sot Europianët, nuk lindi vetëm si një shpikje nga mendje të ndritura, por ishte domosdoshmëri historike që Europianët të mos vrisnin më njeri-tjetrin, siç kishin bërë për gjatë një a më shumë shekujve. Është naivitet të mendosh se do të ishte realizuar pa mbështetjen e ShBA.
Sot ky projekt i gatshëm i ofrohet Ballkanit dhe shqiptarëve përsëri si një domosdoshmëri historike. Çfarë rëndësie ka sot se kush e ushtron sovranitetin në Alcas-Lorene apo në Tirolin e Jugut e kështu me radhë, kur qeverisen nga të njëjtat rregulla dhe gëzojnë të njëjtat të drejta e privilegje. Në këtë këndvështrim, nuk kuptohet qartë se ku qëndron defekti që shqiptarët të mos bashkohen me njëri-tjetrin në ombrellën e shtëpisë së përbashkët Europiane. Për më tepër, që në fund të fundit kështu do të ndodhë, sepse nuk jemi ne që përcaktojmë fatet e kontinentit edhe sikur të jemi nesër 10 apo 15 milionë të bashkuar nën një shtet të vetëm. Duhet shtuar edhe argumenti se stabilizatori i sotëm i botës, (çka ka gjasa të jetë kështu edhe për të ardhmen e parashikueshme) Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështesin pikërisht këtë projekt, me një angazhim shpesh përtej interesave të real-politikës.
Është krejt e kuptueshme që për ata që janë në politikë, interesat e “partes”, të pjesës së tyre politike, pra mbajtja ose marrja e pushtetit, ato që mbizotërojnë dhe kjo është në natyrën normale të gjërave. Problemi është që votuesit e thjeshtë do të duhet të jenë më syçelë për të kuptuar se çfarë është hile dhe çfarë është serioze, çfarë është interes afatgjatë i tyre, fëmijëve dhe nipërve dhe çfarë është kënaqësi emocionale e çastit. Nga ana tjetër, është edhe momenti kur, besoj unë, votuesi syçelë do të jetë në gjendje të dallojë se ku janë interesat më të mira të tij dhe se cilën vijë politike duhet të mbështesë apo të ndjekë. Kjo bëhet më imperative në këtë kohë, kur duket se është kapërcyer ndarja elektorale me thikë, blu e rozë dhe është rritur ndjeshëm, në kuptimin deri përcaktues, se kush do të drejtojë shtetin shqiptar 4 vitet e ardhshëm, pesha specifike e atyre që votojnë me mendje dhe jo me triskë partie.