Kompanitë që nxjerrin dhe eksportojnë pasuritë nëntokësore kanë shmangur 23.7 milionë euro taksa, duke trukuar çmimet e shitjes.
Ky është rezultati i një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilit, 3 kompani eksportuese të naftës, që nuk përmenden me emra, kanë deklaruar në doganë, çmime dukshëm më të ulëta se ato të bursës.
KLSH thotë se këto kompani kanë ulur ndjeshëm vlerën e naftës që kanë eksportuar dhe rrjedhimisht edhe taksën e rentës, e cila llogaritet si përqindje ndaj vlerës. Vetëm nga këto diferenca, për periudhën 2013-2014 këto tre subjekte i kanë shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit në masën 3.3 miliardë lekë ose e konvertuar 23.7 milionë euro.
Pas gjetjeve të raportit, “Top-Channel” bën me dije se përmes një shkrese që mban datën 30 prill të këtij viti, kryetari i KLSH-së i ka kërkuar Doganës që të marrë masa për të arkëtuar këtë dëm në masën 100 për qind, por kjo e fundit ka kërkuar më shumë kohë për të verifikuar faturat edhe në vendet pritëse, pra atje ku është eksportuar nafta.