Nafta bie 30 ne bursa por sa ndikohet tregu?

Nafta bie 30% ne bursa, por sa ndikohet tregu?

Operatorët e konsoliduar në tregun shqiptar, importojnë prej vitesh nënprodukte nafte me shumicë sipas çmimeve përgjithësisht të bursës Platts Londër, Med Itali. Me kontrata lëvrimi dhjetëra mijëra tonëshe dhe terma afatgjatë, ata furnizojnë periodikisht në rrugë detare depozitat pronësi e tyre (ose me qera apo nënqera) në magazinat doganore bregdetare me terminal të Porto Romanos dhe Petrolifera-s që nënkupton se:

 

• këta “lojtarë” njëkohësisht pronarë të depozitave ose që kanë eksluzivitet mbi depozita, ofrojnë kapacite të lira nga taksat dhe tatimet për nënprodukte e produkte nafte që zotëruesit e përtej detit të mallit ofrojnë kundrejt marrëveshjeve përkatëse të furnizimit;

 

• malli në depozita është ose me saktë duhet te jetë në sasi sa rezerva ligjore e sigurisë plus sasitë që tregtari lëvron ritmikisht në tregun e brëndëshëm ose tranzit;

 

• çmimi i mallit është neutral, pra opsion i marrëveshjes me furnitorin e huaj (rafineri, kompani, një lojtar burse, etj..) që zotëron mallin deri në momentin e daljes së tij nga magazina për të tretë;

 

• kostoja reale e mallit në depozita pavarësisht nga konjuktura në bursë, mendohet se varet nga iniciativa, nevojat dhe aftësitë e operatorit shqiptar me shumicë për të zgjedhur momentin ose periudhën e prishjes së neutralitetit, pra faktikisht ajo është kumulative dhe eksluzivitet i tij;

 

• vlera e mallit për të do të varet nga bursa HFOB Med Itali e momentit/periudhës, plus një shtesë future si garanci monetare për luhatjet nga çmimi i negociuar për një periudhë kohore gjithashtu të negociuar më parë me furnitorin, plus premio, transport e sigurim malli.

 

Pra, të paktën diezeli e benzina nga importi gjithmonë blihen me çmime burse pikërisht në magazinat doganore të këtyre dy porteve; GLN-ja, apo solari kanë një tjetër skemë. Nënprodukti vendas diezel 10 ppm natyrisht shitet me çmim burse, por s’ka ngarkesat shtesë si future, transport detar, sigurim e të tjera si psh. tarifat portuale, prandaj koston të paktën 6-7 lekë/litri më lirë. Kësisoj, çmimet e tyre do të varen nga luhatjet në bursë, luhatje të cilat normalisht pritet të reflektohen në kosto e më tej, në çmimin final të pompave me pakicë. Edhe nafta bruto kuotohet në këtë bursë, por çmimi dhe luhatjet vlejnë për rafineritë edhe si trend, jo për tregun e nënprodukteve aq më tepër atyre të distiluara. Ndërtimi i çmimit në pompë bazuar në çmimin ndërkombëtar të saj e më tej, nxjerrja e konkluzioneve mbi këtë bazë llogaritje, është e pasaktë! A është çmimi i blerjes në deklaratën doganore, ditën e zhdoganimit, i njëjtë me atë real? Jo domosdoshmërisht, përderisa në mes ekziston një marrëveshje konfidenciale për mënyrën e llogaritjes së çmimit të mallit në blerje dhe afatet e vlefshmërisë së tij si dhe një pronar i përtej detit i mallit. Por, patjetër ky çmim duhet të jetë shumë pranë kuotimit të bursës Platts në rast se produkti nuk është i falsifikuar që në origjinë apo i mangët në sasi.

 

Abuzime këto që janë përgjegjësi direkte të autoriteteve, jo të skemës. Nëse hyn hollues më shumë se sa i duhet Bankers- it apo Stream Oil-it, patjetër do të destinohet për t’u tregtuar në pompë. Kushdo që pretendon të kundërtën apo skenarë me shifra ireale, fantazon. Të mos harrojmë se spekulimi apo manipulimet me kostot reale në blerjet e përtej detit janë në logjikën e biznesit përderisa jemi këta që jemi, pra “të vegjël” e jashtë BE-së, lojtarët kryesorë nuk janë listuar në bursa dhe administrimi publik i sektorit është në forcim e sipër, për të mos folur për cilësitë fizikokimike “çudibërëse” të naftës që sigurisht favorizojnë hapësira spekulimi jo vetëm tek ne! Një tra i fortë doganor si dhe një marrëdhënie ligjore e bashkëpunimi biznes- autoritete, i minimizojnë ato. Abuzimet reale ndodhin rëndom në tregun e brendëshëm ku disponohen sasi të ndryshme që nga naftë bruto e deri produkte të falsifikuara, pa origjinë apo kartë teknologjike. I trashëguar me minimum administrimi publik, ky treg gjeneroi për vite me radhë falsifikime me standardet e për pasojë evazion fiskal në dëm të shtetit, pa le të konsumatorit vulnerabël. Sot është realitet numri i stërmadh i stacioneve të furnizimit me pakicë për t’u disiplinuar dhe përqëndrimi i aktivitetit me shumicë në disfavor të konkurencës. Nëse për fenomenin e parë qeveria ka një projekt në veprim, i dyti mbetet për t’u administruar. Realitet është edhe një regjim fiskal enkas për aktivitetin, specifikisht UDHËZIMET Nr. 17 (17.1, 17.2, 17.3), datë 13.5.2008 e Nr.18, datë 18.6.2008 të MF, që frenojnë uljen apo diferencimin e çmimeve në pompa.

 

Çmimi në bursë, në rënie drastike

 

Çmimet e karburanteve për automjete si gazoil ULSD dhe benzinë Euro-Super 95 pësuan rënie në Bursën e Londrës pavarësisht kërkesës në rritje përgjatë sezonit veror. Sidomos rënia e benzinës u bë evidente pas mbylljes së shpejtë të sezonit herët në shtator. Sipas European Marketscan Platts, kuotimi më i lartë High FOB (CIF) Med Italy ishte pothuajse në ulje kostante me 15-20 USD/TON në javë nga fundi i gushtit në tetor, ndërsa për gjithë periudhën: pas një maksimumi në qershor respektivisht Benzina 95 prej 1067 e Gazoili 10 ppm 968 USD/TON, çmimi ra në minimumin historik 746 dhe 737 USD/ TON në javën e dytë të nëntorit (shih Grafikun 1) dhe në vlerë absolute 321 dhe 231 USD/TON.

 

Dollari u forcua kundrejt Lekut me rreth 9 pikë; nga 103 USD/ALL në fund të Qershorit arriti 112 USD/ALL në javën e dytë të Nëntorit. Shprehur në përqindje, Leku u dobësua me rreth 2.2 % në muaj për periudhën e marrë në shqyrtim dhe rënia faktike e benzinës në fund të periudhës së marrë në shqyrtim korrektohet në 19.6 lekë/litri, e diezelit 14.1 lekë/litri (shih Tabelën 1) sipas densiteteve të tyre.

 

Rënia reale e çmimit në blerje 19.6 dhe 14.1 lekë/litri padyshim krijon mundësi reale për ulje të çmimeve në pompa. Ngarkesa fiskale është fikse: 56.114 lekë/litri benzina dhe 57.614 lekë/litri diezeli. TVSH 20 % është variacion i çmimit final ndërsa fitimi i konjukturës dhe politikave tregtare të importuesve (dhe natyrisht organeve Tatimore). Nëse çmimi ulet, ulet TVSH dhe humbet shteti, por importuesi mbetet neutral, madje mund të rrisë fitimin nga rimbursimi i TVSH-së gjatë shitjes me shumicë/pakicë për të tretë.

 

Parashikimi i ecurisë së bursës edhe për muajt e fundit të vitit është në favor të mbajtjes së çmimit të naftës bruto nën 80 USD/Ton duke favorizuar minimizimin e kostove të nënprodukteve të rafinuara; sipas Bursës Platts çmimet e Diezelit 10 ppm dhe Benzinës 95 mund të jenë nën 700 USD/TON dhe mbas mesit të 2015 nafta bruto parashikohet nën 60 USD/TON e favorizuar nga rritja e prodhimit (në USA) në raport me kërkesën. Pra, ngarkesa future në çmimin njësi në kontratat e blerjes së këtyre nënprodukteve, mendohet të shkojë në favor të importuesve!

 

Çmimi nën kosto?

 

E pamundur sipas skenarëve reale të aktivitetit dhe llogaritjeve që vërtetojnë të kundërtën. Së pari sipas skemës llogaritëse të Agjensisë së Prokurimit Publik (APP), e cila deklaron çmimin mesatar maksimal me TVSH të zbritshme të benzinës 95 në Doganë (Kosto) për periudhën : a) 85.2 lekë/litri në Blerje dhe b) 83.74 lekë/litri Vlera Doganore, pra jo më i madh se 170 lekë/litri; e çmimin e Diezelit ULSD: a) 83.17 lekë/litri në Blerje dhe b) 85.08 Vlera Doganore, pra jo më i madh se 169 lekë/litri, në javën e fundit të qershorit (kur çmimet e të dy produkteve në bursë ishin maksimalë). Aktualisht në tetor-nëntor, kur kostot kanë rënë qartazi kundrejt çmimeve të pakicës, referencat janë të panevojshme. Edhe llogaritjet tona (Tabelat 1,2) janë shumë pranë atyre të APP-së.

 

A janë ulur çmimet në treg?

 

Relativisht po. Nga monitorimi i çmimeve të 152 stacioneve kryesore të shitjes me pakicë në aksin Tiranë-Durrës-Kavajë- Lushnjë-Fier, është verifikuar për gati gjithë periudhën e verës çmimi mesatar në tabela 189 Benzina 95 e 185 lekë/ litri Diezeli 10 ppm. Bazuar në koston sipas APP, ka një minimum diferencë çmimi prej 17-20 lekë/litri miks (3-4 Lekë diferencë TVSH, 3-4 Lekë transport i brëndëshëm e tarifa pakice, 10-12 Lekë fitim midis shumicë-pakicës) në fund të Qershorit, por që shkoi në 20-25 L/litri në shtator!

 

Por në tetor dhe aktualisht në javën e dytë të nëntorit, çmimet në bursë “u gremisën” (shih Tabelën 3) veçanërisht i Benzinës 95.

 

Shënim: Diferenca në llogaritjet tona me të APP-së ka të bëjë me faktin se kjo e fundit publikon me vonesë e të mesatarizuara të dhënat.

 

Çmimet nisën të ulen në tetor edhe për shkak të diferencës që po thellohej midis kostove të blerjes dhe shitjes në pompë, gjë që u sillte lojtarëve kryesorë probleme në mbifaturimin me TVSH e kreditueshme. Hyrja në skemë e produktit vendas diezel ppm me çmim mesatar tabelë 170 l/litri, ishte faktori i tretë që besohet ndikoi në uljen e çmimeve në tabelë të diezelit nga importi, por dhe benzinës në nivelet aktuale mesatare 177 e 180 lekë/litri. Në këtë mënyrë, ulja absolute e çmimeve në Shqipëri është sidoqoftë afër 8-9 lekë/litri për naftën dhe benzinën, por jo në sinkron me rënien drastike në bursa! Pavarësisht kësaj, ulja 5.4 % e çmimit të benzinës në tregun shqiptar, është e përafërt me atë të vendeve të BE (5.5 %), por më poshtë se p.sh. Kroacia (5.8 %) për të njëjtën periudhë, natyrisht mbi një bazë llogaritje çmimi të ndryshme nga ai i tregut shqiptar! Por, gjithmonë tregu jotransparent shqiptar ka një konflikt kur ulen çmimet, atë rreth faktit se sa bëhen fitimet për litër në raport me kostot reale e shpenzimet e aktivitetit, 10, 20, apo .. më shumë lekë/litri, përveç të tjerave!  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama