Nafta dhe benzina drejt 200 leke / litri

Nafta dhe benzina, drejt 200 leke / litri
Lajm i keq për shoferët. Çmimi karburanteve pritet të pësojë një rritje tjetër të madhe, shtrenjtim i cili u vu re edhe dje në disa pika të caktuara të shitjes me pakicë. Rritja ka ardhur kryesisht për naftën, ndërkohë që benzina vazhdon të mbetet në shifra të larta, mesatarisht 178 lekë për litër (bëhet fjalë për çmimin mesatar në të gjithë Republikën). Për sa i përket naftës, rritja që pritet të aplikohet do të jetë në masën 5 lekë për litër. Edhe pse rritja e re e çmimeve u ndje menjëherë në treg, një gjë e tillë konfirmohet edhe nga portali i energjisë, “energjia.al”, i cili raporton në mënyrë periodike për zhvillimet këtë treg. Portali i referohet zhvillimeve në bursa dhe kursit të këmbimit të lekut me dollarin, monedha me të cilën bëhen të gjitha transaksionet në lidhje me karburantet.

 Mësohet se çmimi i naftës ka pësuar një rritje me të paktën 13 për qind në bursa në vetëm në një muaj, ndërkohë që dollari ka pësuar një rritje me të paktën 3 lekë në raport me lekun krahasuar me muajin e shkuar duke u këmbyer aktualisht me 102.94 lekë. “Për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të diezelit në bursat ndërkombëtare, por edhe të rritjes së kursit të dollarit ndaj lekut, pritet që të ketë një rritje prej të paktën 5 lekë/litër të këtij produkti në Shqipëri. Bursa ndërkombëtare e diezelit është rritur me rreth 13 %, nga 910.5 USD/ton që ishte në fillim të muajit Tetor në 1025 USD/ton që ishte në 12 nëntor 2011. Gjithashtu, kursi i dollarit është në pothuajse të njëjtat nivele gjatë dy muajve të fundit, me oshilacione të vazhdueshme, por me tendencë rritjeje”, – citon portali, i cili edhe pse nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Shoqatës së Hidrokarbureve, paraqet zhvillimet e tregut në përgjithësi, me të cilët përballen të gjitha kompanitë.

Por, rritja e çmimit të naftës në bursa nuk ka ndodhur menjëherë. Fakti që ajo nuk është pasqyruar direkt në treg ka të bëjë më shumë me detyrimin që kanë kompanitë e karburanteve për të mbajtur rezerva deri në 90 ditë në depozitat e tyre, të cilat duket se janë përdorur deri më tani.

Duke u bazuar në të dhënat e publikuara, por edhe vëzhgimet në pikat e karburanteve, pjesa më e madhe e tyre e kanë shitur dje një litër benzinë me rreth 180 lekë për litër, ndërkohë që një litër naftë në rrallë vende mund të blihej me më pak se 178 lekë për litër. Në më pak se dy muaj, çmimi i një litri naftë apo benzinë ka pësuar një rritje në më shumë se 11 lekë për litër. Shtrenjtimi i karburanteve ka një ndikim të përgjithshëm në ekonomi përveç faktit që rendon çdo ditë e më tepër xhepat e përdoruesve të makinave. Në raste të tilla, INSTAT ka vërtetuar që rritja e çmimit të karburanteve ka ndikuar direkt në rritjen e përgjithshme të çmimeve, kostos së transportit si dhe çmimeve të mallrave të tjerë që janë të lidhur me të.

Karburantet u shtrenjtuan me 11 lekë nga shtatori

Rritja e djeshme, e shtyre nga zhvillimet e tregut sipas kompanive, pasoi një tjetër shtrenjtim të karburanteve, kësaj radhe me ligj. Nga 24 gushti i këtij viti, qeveria ka filluar të vjelë një taksë të re mbi karburantet. Detyrimi i quajtur “taksa e qarkullimit mbi karburantet” është në masën 5 lekë për litër, por duke i shtuar edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar 20 %, për blerësit me pakicë, rritja e saj pasqyrohet me 6 lekë për litër. Një gjë e tillë ka bërë që një litër benzinë që shitej me të paktën 170 lekë për litër para aplikimit të taksës së re, të shitej më pas mesatarisht me 176 lekë për litër, ndërsa nafta nga 168 të shitej me 174 lekë për litër.

Karburantet janë një ndër produktet që kanë njohur shtrenjtimin më të madh gjatë këtyre dy viteve të fundit, të ndikuara nga çmimet e tregjeve të huaja por edhe politikave të qeverisë.

Taksa e qarkullimit më e fundit ndër detyrimet që buxheti i shtetit vjel nga karburantet. Taksat fillojnë të vilen që prej momentit kur karburanti futet në doganë deri në derdhjen në serbatorin e makinës.. Direkt pas futjes në doganë fillimisht aplikohet akciza, më pas Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në masën 20 për qind, taksa portuale, tarifa e IQT-së, tatimi mbi fitimin, depozita, etj. Kështu, për çdo litër naftë të futur me këtë çmim 37 lekë janë akcizë, TVSH-ja 20 % e çmimit fillestar shtuar akcizën, 3 lekë janë taksë karboni, 5 lekë është taksa e re e qarkullimit, etj. Përllogaritet që taksat të përbëjnë gjysmën e çmimit final të një litri karburant.

Cilat janë taksat që vjel shteti nga karburantet*

TVSH në masën 20 %

Akcizë                    37 lekë litër

Taksë karboni      3 lekë/litër nafta

1.5 lekë/litër benzina

Taksë qarkullimi 5 lekë litër

Tatim fitimi          10 %

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama