Nafta per makinat e deputeteve si do ndahen 60 milione leke

Nafta per makinat e deputeteve, si do ndahen 60 milione leke

Kuvendi e ka ndarë fondin që secili nga deputetët do të përdorë këtë vit për qëllime transporti. Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe parashikon kompensimin me të holla nga 30 deri në 40 mijë lekë në muaj, në varësi të largësisë së zonave elektorale me Tiranën.

Kuotat

Përfitimi financiar mujor i deputetëve merret neto, pa u taksuar. Deputetët e Qarkut të Tiranës do të marrin 30 016 lekë në muaj, kuota më e ulët në krahasim me qarqet e tjera. Kjo për shkak të afërisë së zonave të tyre me zyrat e Kuvendit. Deputetët e Qarkut të Durrësit do të marrin një bonus prej 31 214 lekësh të reja në muaj. Kuota nis të rritet për qarqet e tjera. Deputetët e Lezhës do të marrin 34 035 lekë në muaj. Deputetët e Elbasanit, 33 702 lekë në muaj. Ndërsa deputetët e qarqeve të Dibrës, Vlorës, Shkodrës, Fierit, Beratit, Kukësit, Korçës dhe Gjirokastrës do të marrin nga 40 mijë lekë të reja në muaj. Ndarja e kuotave erdhi pas rishikimit të shpenzimeve për transportin e zyrtarëve të lartë, që bëri qeveria në nëntor të vitit që shkoi. Sipas këtyre ndryshimeve, çdo deputet pavarësisht largësisë nga zona e tij elektorale, nuk do të shpenzojë më shumë se 40 mijë lekë në muaj për transportin e tij, nga rreth 45 mijë lekë që ishte limiti më parë. Ndërsa funksionaret e tjerë, këtë kufi e kanë 20 mijë lekë nga 35 mijë që e kishin më parë.

 

Transporti 60 milionë

 

Këtë vit deputetët do të harxhojnë gjithsej për transport 60 milionë lekë të reja nga buxheti i Kuvendit. Kuota ka ardhur në ulje ndër vite, duke nisur që nga viti 2009, kur kriza globale nisi të japë efekte serioze në buxhetin e shtetit. Parlamenti shqiptar deri në vitin 2009, renditej i pari në Evropë për trajtimin e veçantë që u ofronte deputetëve, duke i pajisur të gjithë me makinë personale. Gjithashtu, ai kishte rekordin për shpenzimet për automjetet në dispozicion të deputetëve, me 20 për qind të buxhetit të përgjithshëm të Kuvendit, ose 50 për qind e shpenzimeve operative të këtij buxheti. Sipas llogaritjeve të qeverisë së mëparshme, një deputet i kushtonte buxhetit me makinën, mirëmbajtjen dhe shoferin, 19 mijë dollarë në vit. Qeveria në nëntor të vitit 2013 shkurtoi nga shpenzimet totale të transportit të zyrtarëve 165 milionë lekë, në të cilat u përfshinë edhe deputetët. Shkurtimi i shpenzimeve u shoqërua me debate në komisionin e Ekonomisë, pasi dëmtonte deputetët e rretheve të largëta, që nuk kishin të ardhura të tjera veç atyre të parlamentit. Funksionimi i Kuvendit të Shqipërisë i kushton buxhetit të shtetit me rreth 8 milionë dollarë në vit. Mirëpo këto shpenzime ndahen ndërmjet administratës dhe Kuvendit. Në shërbim të deputetëve dhe funksionimit të Parlamentit janë edhe rreth 360 punonjës, të cilët kanë pothuajse fond të përafërt pagash me ato të deputetëve.

Këtë vit deputetët do të harxhojnë gjithsej për transport 60 milionë lekë të reja. Kuota ka ardhur në ulje ndër vite, duke nisur që nga viti 2009, kur kriza globale nisi të japë efekte serioze në buxhetin e shtetit. Parlamenti shqiptar deri në vitin 2009 renditej i pari në Evropë për trajtimin e veçantë që u ofronte deputetëve, duke i pajisur të gjithë me makinë personale
Nr. Qarku Vlera mujore



1 Tiranë           30 016

2 Durrës          31 214

3 Lezhë           34 035

4 Elbasan         33 702

5 Dibër            40 000

6 Vlorë            40 000

7 Shkodër        40 000

8 Fier               40 000

9 Berat            40 000

10 Kukës         40 000

11 Korçë         40 000

12 Gjirokastër 40 000


(Në lekë të reja)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama