Naim Frasheri jeta ne foto

Naim Frashëri, jeta në foto

Sot më 18 shkurt bëhen 23 vjet nga vdekja e Frashërit. Teatri Kombëtar, një nga themeluesit e të cilit ai ishte, nuk organizon gjë. Po as Arkivi i Filmit në fondet e të cilit janë 3 filma të rëndësishëm të fillimeve të kinemasë shqiptare, ku Frashëri interpreton. Filmi i parë i shkurtër "Fëmijët e saj" i Hysen Hakanit, 1957; filmi i parë i gjatë "Tana" i Kristaq Dhamos, 1958; dhe i pari bashkëprodhim ruso-shqiptar "Skënderbeu" i regjisorit Sergei Jutkeviç fitues në festivalin e Kanës, më 1953.

Fotoja e fëminisë paraqet Naimin shkollar, duhet të jetë dikur në vitin '30 në Berat ose Kavajë. Ishte koha kur familja e Servet Frashërit lëvizte sa në jug në Shqipërinë e Mesme. Servet Frashëri njihej për patriot, trashëgimtar i një familje tjetër të madhe Frashërllinjsh nga Frashëri i Përmetit. Si shumë të tjerë të kësaj dere bejlerësh dhe të atij fshati-qytet të kohës së perandorisë, Serveti studioi në gjimnazin "Zosimea" të Janinës. Për shkak të angazhimit me lëvizjen kombëtare në vendlindje dhe në zonat përreth, shtëpia e Servet Frashërit digjet dhe familja zhvendoset në Berat më 1914. Berati nuk ishte stacioni i fundit, edhe 9 vjet më pas, kur u lind Naim Frashëri më 15 gusht 1923 në Leskovik dhe ku i ati kishte qarkulluar sërish, kësaj radhe i emëruar nënprefekt, detyrë që e kryen edhe në vende të tjera, Skrapar, Gramsh, Përmet dhe në Kavajë.

Kavaja është stacioni i fundit, viti 1935. Fotografia e Naim Frashërit fëmijë mes disa dhjetëra shkollarëve është e kësaj kohe. Një vit më vonë, më 1936 familja Frashëri vjen në Tiranë. Vdes babai. Është 13 vjeç, moshë e përafërt djaloshin e kësaj fotografie, në pantallona të shkurtra i ulur në parvazin që dritares. Naimi me të ardhur në Tiranë hyn në Gjimnazin e Shtetit. Shtatë vjet në gjimnaz ku i japin mësim ndër të tjerë Lasgush Poradeci dhe Aleks Buda. Ka filluar organizimi i Rinisë Antifashiste. Ai është anëtar. Më 1942, shkolla e tij vë në skenë "Vilhelm Telin" ku luan rolin e një fshatari, kurse Vilhelm Telin e luan Sandër Prosi. Me këtë aktor ka një histori të gjatë bashkëpunimi në skenën e Teatrit Popullor. Po botojmë një foto të tyren së bashku me regjisorin Gëzim Erebara, në vitet '70.

Disa muaj partizan, nga janari në nëntor.

Ai kthehet në Tiranë drejt e në Kino Kosovën e asaj kohe (sot Teatri Kombëtar) ku në nëntor 1944 vihet në skenë drama "Partizanët" me tekst të fatmir Gjatës. Siç shihet edhe tek kjo foto të gjithë janë me rroba partizane.

Në shkurt 1945 futet në të parën Shkollë Dramatike nën drejtimin e regjisorit Sokrat Mio. Pak muaj më voë formohet Teatri Profesionist i Shtetit, në atë trupë ku bëjnë pjesë Prokop Mima, Loro Kovaçi, Drita Pelinku, Mihal Popi, Behije Levonja, Gjon Karma etj., është edhe Naim Frashëri.

Pesë vitet e parë përpjekjet e tij duken dështim. Duhej të vinte nga Rumania regjisori Pandi Stillu që të besonte dhe të nxirte prej aktorit të ri më të mirën. Kjo është dekada e artit të sovjetëve edhe në Teatër. Naim Frashëri ngrihet në skenë me rolin e parë të rëndësishëm është Fedia në dramën "Invadimi". Në një ardhme do të bëhej "Artist i Popullit".

Ky është dhjetëvjeçari i autorëve dhe veprave nga ish Bashkimi Sovjetik. Përmenden: "Karakteri moskovit" i Anatolij Sofronov, "Koha e rinisë së baballarëve" i Boris Gorbatovit, "Makar Dubrava", "Proçesi i Lajpcigut", "Zëri i Amerikës" dhe "Përmbysja" e Boris Lavranjevit apo "Armiqtë" i Maksim Gorkit dhe "Orët e Kremlinit".

Në njërën prej tyre ai i ra në sy regjisorit rus Sergei Jutkeviç që do të angazhonte për rolin e Palit në filmin "Skënderbeu". Nga ky film familja disponon shumë foto, një ndër to është edhe kjo foto me ngjyra ku Pali vajton Mamicën. Pak komedi e mirë dhe role komikë të Naimit janë të kësaj kohe nga"Tartufi" i Molierit apo "Qeni i kopshtarit" i Lope de Vega-s. Tek "Familja e peshkatarit" e Sulejman Pitarkës, 1956, ai realizoi fillimisht Selimin dhe pas njëzet vjetësh Jonuz Brugën, roli i fundit i karrierës në teatër.

Vitet '60-'70 janë epoka e artë e Naim Frashërit. Disa vepra nga dramaturgjia shqipe "Besa" e Sami Frashërit, "Qielli i kuq" i Tefik Çaushit, "Gjenerali u ushtrisë së vdekur", po edhe "Intrigë dhe dashuri" Ferdinandi, "Xhaxha Vanja", "Mbreti Lir", Hamleti tek "Hamleti". Fotot e këtyre majave po i botojmë në këtë kolazh, në mes tyre edhe disa prej filmave "Furtuna", "Gjurma", "Plagë të vjetra", "Ngadhënjim mbi vdekjen". Ka disa ku aktori ku aktori është i zhveshur nga roli i gëzohet natyrës.

Naim Frashëri për aktorin:

"Në teatër duhet evidentuar më mirë forca shpirtërore dhe fizionomia kombëtare e figurës. Shqiptari është energjik dhe aspak i ftohtë, është i fuqishëm, i gjallë, i transmeton pasionet me forcën e brendshme.

Shqiptarit i rreh pulsi. Nuk është tip i qetë, por me një temperament të zjarrtë dhe këtë nuk kemi të drejtë t'ia ulim në skenë. Ja ç'më preokupon, që temperamenti të jetë kurdoherë jetësor... Jam kundër "mbytjes" së aktorit nga emocionet, (e kam fjalën për ato emocione të tepërta që zbehin mendimet), ashtu siç jam edhe kundër interpretimit racional, pa qëndrim emocional.

Do të isha më tepër për një shkrirje të tyre dhe për një logjikë të shkrirë në emocione të ngrohta. Nuk jam kurrsesi për qëndrimet "qaramane", "të pakuptueshme"... Unë nuk përpiqem ta mësoj tekstin pa e kuptuar rolin. Kam gjithnjë "frikën" e shtampës. Kërkoj dhe gjej ato veçori që më largojnë nga shtampat.

Nuk më pëlqen matematika në ndërtimin e figurës. Nuk e kuptoj figurën si diçka të ngurtë. Në jetën time skenike kur s'e kam kapur fillin e rolit, më ka shkuar gjithë shfaqja mekanikisht. Kur kam kapur çelësin e kuptimit logjik, emocional, atëhere më ka ecur mbarë, megjithëse më ndërron vazhdimisht ky lloj "çelësi" dhe s'ka gjithmonë të njëjtën ngjyrë. I jap rëndësi edhe kujtesës emocionale. Tek Hamleti, kur më dilte fantazma, shfaqjen e kisha të realizuar. Nga shfaqja në shfaqje, përpiqem të mos jem i njëjtë. E dëgjoj shumë regjisorin, por dua që edhe ai të më dëgjojë...!"

Sandër Prosi për Naim Frashërin

"Në sytë e mendjes ndiejmë cilësitë dhe vetitë e Naimit. Ndjeshmëria, forca dhe pathosi, hirësia skenike dhe plastika, temperamentet e tij, emocionet e mëdha, ekspresiviteti i fytyrës, loja me gjithë zemër dhe mbi të gjitha muzikaliteti i zërit. Këto cilësi të çmuara aktoreske, nuk qenë vetëm të dhënat e natyrës, por edhe fryt i këmbënguljes në punën e tij me skenën. Naimi ishte shok i mirë dhe artist ideal.

Në "Gjeneralin e Ushtrisë të Vdekur", kishim të njëjtin rol "Gjeneralin". Natën e premirës kur hyra në kabinën time për të bërë makiazhin gjej në tavolinë dy karafila dhe një shënim: "Naimi të uron sukses"." Ka thënë për kinemanë: "Kamera do lojën e saj. Dhe kjo me ç'po mësoj, duhet të jetë një lojë më e brendshme, e lirë, e shpenguar, sa më e vërtetë dhe e natyrshme, sa më bindëse."




Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama