Blendi Nallbani, drej tori ekzekutiv i klubit "Studenti", i quan të pavërteta pretendimet e ngritura nga ish-trajneri Ylli Tomorri. Sipas Nallbanit, tekniku ka dalë në pension dhjetorin e kaluar.
"Unë e kam mbajtur gjashtë muaj për nevojat e ekipit. Që më 4 dhjetor të 2015-ës, Ylli Tomorri kishte mbushur moshën e pensionit. Por unë bëra një shkresë më pas duke ia përcjellë edhe ministrisë se ne do ta mbanim si trajner për nevojat e ekipit deri në përfundim të kampionatit.
Shkarkimi është fjalë e rëndë. Thuhet si kur e kam larguar unë pa të drejtë, ai ka dalë në pension. Më vjen keq që Ylli Tomorri sillet në këtë mënyrë me mua. Unë kurrsesi nuk mund të shkel ligjet. Ato janë njësoj për të gjithë. Ose ndryshe të largohem unë nga puna. Më vjen shumë keq që Ylli Tomorri thotë se më shkarkuan me dashakeqësi", replikoi fillimisht për gazetën drejtuesi i klubit kryeqytetas, Nallbani.
Pyetjes nëse i druhet një eksodi të lojtarëve me ish-trajnerin te Partizani, Nallbani u përgjigj:
"Nuk i druhem fare pasi edhe për këtë çështje ka ligj. Licencimet i ka paguar klubi dhe Federata nuk ka të drejtë të lejojë të tilla lëvizje. Unë kam folur edhe me federatën, ose përndryshe do të kthejnë lekët mbrapsht. Nuk është aq e lehtë sa po e bëjnë ata. S'përjashtohet si mundësi për trajner ndonjë kandidat nga brenda grupit. Por që konflikti është i hershëm. Ai nisi që me federatën pasi nuk e zgjodhën trajner të ekipit kombëtar dhe këtë ia përcjell klubit si shqetësim.
Ndoshta s'i ka ardhur mirë për kombëtaren që nuk e zgjodhën ata lojtarë që i ka nxjerrë vetë ai. Unë e gjeta ekipin me 48 mijë lekë të vjetër për trajtimin ushqimor, një turp i madh, dhe e çova mbi 200 mijë lekë". Gjithashtu Nallbani pranon edhe borxhin e madh që kanë ndaj pallatit të sportit "Asllan Rusi". "Stërvitjen dje në pallat sporti nuk e kam lejuar unë vetë, pasi kemi 15 milionë lekë pa paguar. Gjysmën e buxhetit të klubit e harxhon vetëm skuadra e Studentit në volejboll për meshkuj, ndërsa kam edhe mjaft ekipe të tjera.
Ylli Tomorri pa ardhur unë në këtë detyrë nuk merrte pjesë për katër vite në Kupat e Europës. Tre vitet e fundit kam bërë unë luftë me ministrinë dhe nuk kam reshtur me komunikimet me federatën dhe CEV-it. Unë u prisha me Ylli Tomorrin se nuk lejova të shkonte ekipi në Abu Dabi. Nuk mund të paguaja 20 milionë lekë se në fund të fundit Studenti je, nuk je Juventusi. Aq fond kemi", e mbylli deklaratën e tij i indinjuar numri një i Studentit, Blendi Nallbani.
Përgatiti: OLGERT SERANI