Namik Malasi 13-vjecari qe zgjidh problemet e universitetit

Namik Malasi, 13-vjeçari që zgjidh problemet e universitetit
Prindërit i kanë “sajuar” një dhomë të vogël, si një klasë ku ai studion dhe gjatë verës

Moshatarë, por dhe pak më të rritur trokasin tek Namiku që të gjejnë “derman” për matematikën

U ulëm për një kafe pune në një nga lokalet në hyrje të qytetit të Kuçovës i quajtur ndryshe edhe qyteti Naftëtari, por rastësisht zbuluam një talent të ri në lëndën e matematikës, i cili për modesti, në moment na fshehu edhe certifikatat e nderit dhe medaljet e marra në olimpiada të ndryshme të lëndëve ekzakte. Ngjitur me barin pranë ndërmarrjes të KESH–it, pronari i tij Syrja Malasi kishte ngritur edhe një tjetër dhomë, të cilën e kishte kthyer në klasë mësimi për djalin e tij 13-vjeçar Namikun. Kam 8 vjet që kam ngritur këtë dhomë klasë për djalin tim, pasi e pashë që kishte vullnet të mësonte, por që kushtet i kërkonte ndryshe nga dy fëmijët e mi të tjerë. E vinim re tek djali në shtëpi që e vizitonin shumë nxënës që e kërkonin me fletore në dorë, hynin në dhomën ku mësonte djali dhe iknin të kënaqur. Të detyruar jo nga bezdisja, por nga mungesa e kushteve në banesën ku jetonim, u detyrova që t’i bënim këtë dhomë klasë, të cilën e kompletuam me të gjithë bazën materiale si dërrasa e zezë, tavolinë, shkumësa, një kompjuter, si dhe fletë të bardha etj., që i nevojitet një nxënësi normal për të mësuar, apo për t’u përgatitur për të nesërmen. Me ndërtimin e kësaj klase zgjidha disa probleme njëherësh pohon prindi i 13-vjeçarit Malasi, e para për të është se djalit i ngelej kohë më shumë se më parë për të mësuar, e dyta është se angazhohej më shumë si dhe përqendrohej më shumë në përgatitje dhe çka është më kryesorja djali kishte kohë të konsultohej me shokët apo me mësuesit e tij gjatë kohës të pushimit në fundjavë, apo në pushimet semestrale. I pyetur për rezultatet e djalit të tij, Syrjai tha se nuk ka prind në botë që të mos kënaqet me rezultatet që arrin fëmija i tij në shkollë apo në jetë si dhe për arritjet dhe sjelljet në familje e në shoqëri. “Në këto kushte ndodhem edhe unë, kur disa mësues më erdhën dhe më treguan se djali im dhe nxënësi i tyre jo vetëm sillej mirë, por në mësime ishte shumë mirë, madje sipas tyre ai kishte fituar dy olimpiada matematike njërën prej tyre në Tiranë mes rreth 200 konkurrentëve nga e gjithë Shqipëria. Në fakt u kënaqa pasi djali në shtëpi nuk na kishte treguar asgjë. Kjo bëri që unë të interesohesha dhe të tregohesha më i kujdesshëm ndaj djalit. Në fakt vija re se tek shtëpia vinin shumë fëmijë të moshës së tij dhe më të rritur, por që djali të kishte këto arritje këtë nuk e dija, ndërsa e besoja se vëreja që ngulej në dhomë dhe mësonte”. Të shtyrë nga kureshtja e pohimeve të bashkëbiseduesit, njëkohësisht pronari i lokalit si dhe prindi i nxënësit të talentuar na detyroi që të inspektonim dhomën ngjitur me bar-kafen.

Mbi libra dhe gjatë verës

Në këto ditë gushti të nxehta të këtij viti ku temperaturat shënojnë mbi 35 gradë celsius, 13-vjeçarin, Namik Malasi, e gjetëm të ulur në tavolinë mbështetur në dy bërrylat e tij mbi tavolinë, ndërsa para kishte një libër matematike, si dhe disa fletë të shkruara të hedhura në tavolinë pa kujdesin e duhur. Sapo e përshëndetëm në shenjë respekti u ngrit në këmbë si dhe na ftoj të uleshim në karriget bosh. “Janë karriget ku ulen shokët e mi, si dhe mësuesit, këtu përgatitem për çdo ditë”, thotë me pak droje.

“Mbarova klasën e tetë në shkollën private “Irfan Ngjeqani”, shkollë private, ndërsa tani jam me pushime, por që si dhe e shikon vazhdoj të përgatitem për klasën e nëntë, e cila për këtë vit shkollor futet për herë të parë në sistemin e ri mësimdhënës. Duket se është paksa i shqetësuar, ndërsa neve na vjen çudi teksa vërejmë shpejtësinë me të cilën zgjidh problemat e ngatërruara të librit të trashë.

Intervista me Namik Malasin/ I qetë, pak melankolik dhe shqetësohet shumë për të tjerët

I dashurua gjer në vetëmohim... me matematikën

Namik Malasi, këtë vit vazhdon të nëntin vit të arsimit të detyrueshëm. Ndonëse vetëm 13-vjeç ka shumë për të thënë e shpeshherë të çudit me qetësinë prej një të “rrituri” jo vetëm në matematikë...

Kur e keni mbaruar ciklin e ulët?

Jam datëlindja 1994 dhe shkollën fillore e kam mbaruar në qytetin e lindjes këtu në Kuçovë, mësuese të klasës parë kam pasur mësuesen e talentuar Liri Gjika, them të talentuar, pasi edhe tani e dua si në fillim kur isha fëmijë, veç të tjerave përgatitjen time në të gjitha lëndët ia dedikoj asaj, e cila me metodikën e saj të bënte që të dashurohej me mësimet dhe duke e shpjeguar ta bënte lëndën më të lehtë për ta kuptuar. Dua të flas shumë për atë mësuese me përvojë tani që gjërat i kuptoj dhe më mirë. Mësuese Gjika ishte mësuese me përvojë e dashur me fëmijët dhe e respektuar me prindërit tanë, të cilit shpeshherë mesa kuptoja në atë moshë ishin të bezdisur, ndërsa tani që i kuptoj më mirë gjërat e ndjej që prindërit tanë e kanë shqetësuar atë. Ajo nuk mërzitej edhe kur ata e lodhnin duke e pyetur dhe ripyetur për fëmijët e tyre, ndërsa mbaj mend kur ajo qeshte dhe na përqafonte sikur na kishte fëmijët e saj. Këto mbresa nuk kam për t’i harruar. Ndaj me këtë rast dua të them se kështu duhet të jenë mësuesit që të nxjerrin talente ashtu si dhe mësuesja ime e parë Liri Gjika. Cilat lëndë të pëlqejnë më shumë?

Them se jam nxënës që hyj në grupin e nxënësve që paraprakisht pëlqejnë të gjitha lëndët, por që ndajnë apo dallojnë në lëndët ekzakte nga ato shoqërore etj. Grupe të tilla nxënësish janë më të përgatitur në disa lëndë dhe duket se në këtë grup nxënësish bëj pjesë edhe unë, pasi më pëlqejnë lëndët ekzakte si matematika, fizika dhe kimia. Në të tria këto lëndë unë jam shquar që në klasën e pestë. Në klasën e pestë kur mësues Dhimitër Taçe jepte ushtrime në klasë mua më dukeshin të lehta dhe i zgjidhja menjëherë, madje zgjidhja në moment edhe detyrat që mësuesi na kishte dhënë për detyrë shtëpie. Me këto veprime që bëja disa herë fillova të bezdisja mësuesin duke ndërhyrë para se mësuesi të shpjegonte detyra, disa herë i thosha, mësues e zgjidha bëhet në këtë mënyrë, ka një tjetër mënyrë zgjidhje, përfundimi del kaq, për ta zgjidhur duhet kjo apo ai ndihmës ekuacion, me një apo dy të panjohura, duhet përdorur kjo apo ajo formulë etj. Madje në disa raste mësuesi më thoshte mirë Namik po e shpjegoj mësimin për nxënësit e tjerë të klasës. Nisur nga këto zgjidhje të menjëhershme shumë nxënës të klasës time filluan të më kërkonin ndihmë dhe unë ua zgjidhja detyrat e shtëpisë në pushimin e gjatë në dërrasë dhe ata e kopjonin apo kishte edhe nxënës që donin vetëm t’u tregoje rrugën e zgjidhjes. Në shumë raste filluan të vinin edhe nxënës të klasës së gjashtë dhe më kërkonin ndihmë për ushtrimet e matematikës, të fizikës apo të kimisë. Në të gjitha rastet e zgjidhjes mundet të kisha gabuar një apo dy herë dhe në këto raste them se kam punuar pak me nxitim pasi nxënësit prisnin në radhë. Në klasën e gjashtë mësuese Miranda më tha një ditë: Namik t’i duhet të ndihmosh nxënësit e dobët për t’i ngritur në nivelin e tyre.

Keni marrë pjesë në olimpiada ku dhe cilin vend keni zënë?

Po kam marrë pjesë në disa olimpiada matematike, fizike etj. Në olimpiadën e matematikës organizuar në “Udha e Shkronjave në Tiranë mes 250 konkurrentëve unë zura vendin e katërt mes 200 konkurrentëve të ardhur nga të gjitha qytetet e Shqipërisë. Më pas kam zënë vendin e tretë në një tjetër olimpiadë të organizuar në shkallë rrethi nga shtëpia e pionierit në qendër të qytetit të Beratit dhe zura vendin e parë, vend të cilin e kam zënë edhe në olimpiadën e shkollës “Irfan Ngjeqani”. Them se jam i gatshëm që të marr pjesë në disa olimpiada të matematikës, fizikës e kimisë edhe në vite më të larta se viti shkollor që unë do të vazhdoj.

Përse jeni kaq i sigurt dhe kur mësuat të zgjidhni problemat apo ekuacionet e klasave më të larta?

Në pushimet e sezonit të verës mes viteve të klasës së gjashtë dhe të shtatë unë shkova në librarinë shkollore dhe mora disa libra matematike të klasës së shtatë, tetë si dhe të gjimnazit të dy viteve të para. Pasi fillova të lexoj librat mësova të zgjidh edhe ekuacionet e viteve të para dhe të dyta të gjimnazit. Në fillimin e vitit shkollor që kisha kaluar në klasën e shtatë unë fillova t’u vija në ndihmë edhe nxënësve të gjimnazit të vitit të parë e të dytë. Këta shpeshherë më nxirrnin nga orët e mësimit për të zgjidhur detyrat e klasave apo të shtëpisë. Në pushimet e tjetrit vit mora sërish libra të vitit të parë e të dytë të universitetit dhe pasi u përgatita për më shumë se një muaj fillova të zgjidh në dërrasën e zezë të dhomës klasë ku unë studioj edhe këto ushtrime matematikore si dhe problema dhe ekuacione të ndryshme. Zgjidhjen e tyre e masja apo krahasoja me zgjidhjen që jepte libri për disa probleme apo ekuacione. Më pas në shtëpinë time filluan të vinin jo vetëm nxënës të gjimnazit, por edhe studentë të universitetit, por mos kujtoni se kam bërë ndonjë gjë të rrallë, pasi ka shumë nxënës që dinë më shumë se unë. Ndërsa unë mundohem të përgatitem për të qenë një nxënës i mirë mes të mirëve.

Me matematikën jeni marrë më tepër apo ndoshta e keni pak dhe gjenetike?

Ndoshta janë të ndërthurura, pasi nga fisi im në vite ka pasur shumë pjesëtarë që kanë mbaruar studimet e larta dhe sot janë mësues matematike apo ekonomistë të zotë që drejtojnë disa firma apo biznese, një nga këta njerëz ka qenë edhe gjyshi i babait dhe imi. Mbaj mend që gjyshi im kur bënte ndonjë llogari unë ndërhyja në mbledhjen apo zbritjen e numrave dhe pa nxjerrë ai rezultatin me laps unë ia thoja ai më thoshte shumë mirë, ti do bëhesh si unë, gjyshi im kishte mbaruar shkollën e lartë në Turqi dhe kishte dal i pari në matematikë.

Shumë i përgatitur në mësime, po jashtë shkolle si je?

Në fakt jam nxënës që nuk sjell probleme në shkollë dhe në familje, po kështu edhe në shoqëri jam shumë i shoqërueshëm, por që nuk kam shumë kohë për të qëndruar gjatë me shokët ndaj për shokët nxënës që u intereson të mësojnë në matematik unë jam gati t’i ndihmoj. Kam kënaqësinë që prindërit e mi më kanë krijuar kushte shumë të mira për t’u përgatitur.

Po në lëndët e tjera si je?

Nuk i kam lënë pas dore edhe lëndët e tjera shoqërore, më pëlqejnë poezitë. Kam lexuar poezitë e Naimit e të Dritëroit etj, madje edhe kam shkruar disa poezi. Kam lexuar romane të Kadaresë si “Kronikë në gur”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, kam lexuar edhe nga Dritëro Agolli romane e poezi, ku më ka mbetur në mendje “Balta është më e ëmbël se mjalta”. Edhe në histori ndonëse nuk shkëlqej veç mësimeve kam lexuar historinë e Luftës së Dytë Botërore, historinë e popullit shqiptar etj.

Cilët mësues të pëlqejnë më shumë?

Në fakt më pëlqejnë mësuesit që kërkojnë llogari, të cilët racionojnë kohën, orën e mësimit, që kërkojnë llogari për përgatitjen e mësimit që dinë të vlerësojnë mirë mësimet si dhe përgatitjen e nxënësve si dhe mësuesit që janë të përgatitur në mësimdhënien. Mbi të gjitha që njohin konkurrimin mes nxënësve deri edhe tek vlerësimi i notës.

Ti je i shenjës...

Shigjetari, po jo vetëm nga shenja si njeri më pëlqen të di gjithçka nga jeta, në shoqëri madje edhe nga familja, nga ana tjetër dua që problemet të zgjidhen shpejt dhe brenda normave ligjore. Jam tip melankolik, më vjen keq për çdo njeri kur shikoj që vuan dhe pa më keqkuptuar kam arritur të fal edhe libra nxënësve që kanë dëshirë të mësojnë, lexojnë, por që nuk kanë mundësi financiare që t’i blejnë. Në përgjithësi më vjen keq kur shikojë nxënës që vuajnë apo prindër të këtyre të fundit që preken kur nuk u plotësojnë dot kërkesat fëmijëve të tyre. Nisur nga këto probleme në gazetën e shkollës kam shkruar edhe për probleme të tilla.

Së fundmi çfarë dege do të dëshiroje të vazhdoje?

Para se të shkojmë në këtë pik dua të them se më pëlqen nacionalizmi, unë them se jam i pari që kam ngritur flamurin ditën kur Kosova u shpall e pavarur. Unë jam pak nacionalist dhe më pëlqen kombi im. Dhe për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj më pëlqen të vazhdoj shkollën e lartë nëse do të isha maturant në degët: Elektronikë, Arkitekturë, Matematikë etj. Jam më i vogli fëmijë ndaj dhe më pëlqen që të ndihmoj prindit në punët e shtëpisë apo të lokalit. Ndonëse dëftesat e çdo klase i kam mbajtur në një dosje dhe veç krenarisë së prindërve as që më kanë hyrë në punë, po kështu edhe fletët e nderit certifikatat e ndryshme si dhe medaljet. Gjëra apo dokumente që prindërit i mbajnë si një koleksion të zgjedhur dhe të çmuar.

Familja e madhe Malasi

Punëtorë, arsimdashës, por dhe të padëshiruar...

Familja Malasi është strehuar në qytetin e Kuçovës në vitin 1993 ku dhe ka lindur fëmija i tretë i pagëzuar me emrin e gjyshit të tij Namik. Çifti Syrja e Natasha Malasi kanë lindur tre fëmijë, ndërsa kjo familje ka qenë një nga familjet e persekutuara nga regjimi komunist për arsye politike, dhe për shkak të pasurisë që trashëgonte. Familja Malasi jetonte në qytetin e Beratit deri në vitin 1966 kur regjimi i atëhershëm komunist i kishte shpallur kulak dhe në vitin 1966 e dëbon nga qyteti duke e internua në fshatin Syzes në çifligun e tij. Familja e madhe Malasi vjen nga familjet e vjetra beratase, aristokrate të këtij qyteti. Syrja Malasi një nga pjesëtarët e fisit pohon për gazetën: Gjyshi im, Hysen Malasi, ka mbaruar shkollën në Itali dhe ka qenë një nga pjesëtarët e ngritjes të flamurit të Pavarësisë në Vlorë në 1912-n nga grupi i Beratit. Hyseni ka pasur një aktivitet të pasur shoqëror e politik me partinë e vendit të atyre viteve me shumë patriot beratas dhe atdhetar të tjerë. Ishte i zgjedhur në pashallëkun e këtij qyteti, i cili ka qenë qendra më e madhe për gjithë jugun e Shqipërisë, ndërsa në çifligjet e tij që përbëheshin nga tre fshatrat Syzes, Banaj dhe Malasi-Breg vinte për miqësi edhe Pashaj i Beratit. Hyseni kishte mbaruar shkollën në Itali, ndaj dhe dëshira e tij ishte shkolla ndaj për këtë arsye ai ka përkrahur shumë njerëz të ditur që kërkonin të hapnin shkolla shqipe kudo në qytet e në fshat. Hyseni kishte katër djem, të cilët që në fillim i kishte mësuar me punë dhe vazhdonin shkollën. Thuajse çdo javë fëmijët i çonte në çifligun e tij që punonin me bujqit që kishte në çifligun e tij në tre fshatrat Syzes, Malas- Breg dhe Banaj. Aty punonin mbi 50 familje buqësh që punonin në 300 ha tokë, mbarështonin mbi 3 mijë krerë bagëti të imta, kryesisht dhen. Fisi Malaj kishte dy dyqane në qytet si dhe një makinë transporti tip Fiat që e kishte marrë në Itali, ndërsa në fshat kishin në çifligun e tij një mulli, 300 krerë bletë, një baxho të përpunimit të qumështit etj. Djemtë e tij ishin Myrto, Veliu, Neshati dhe Namiku. Ndonëse u vra në trazirat e 1915-s të Haxhi Qamilit për probleme politike dhe administrative Hyseni u nderua në ceremoninë e lamtumirës nga e gjithë paria e pashallëkut të Beratit në atë kohë. Madje sipas Namikut, babait të Syrjajt Hyseni sillej mirë me bujqit e tij dhe kujdesej për ta si kur të ishin njerëz të familjes madje në shumë dasma të familjeve të bujqve Hyseni ishte në krye të dasmave hidhërimeve dhe gëzimeve të rastit. Të katër djemtë e tij Hyseni i kishte bërë me shkollë. Kur komunistët erdhën në fuqi në vitin 1945 njërin nga djemtë Veliun e dënuan për politikë me 9 vjet burg, Neshatin 8 vjet burg dhe të birin e tij Besnikun me 7 vjet burg të gjitha këto për agjitacion e propagandë sipas komunistëve.

Pronat Malasi u sekuestruan pas viti 1946 ku erdhën në pushtet komunistët. Gjatë sekuestrimeve familjes iu sekuestruan 8 kg flori, shtëpi banimi, si dhe dyqanet e kamioni. Në fshat iu sekuestrua i gjithë malli, toka bujqësore, blegtoria, si dhe baçet me ullinj. Më e keqa ishte se në vitin 1966 familjet Malasi u internuan në fshatin Syzes ku dhe kishin pasur çifligun dhe të gjitha pasurit e tjera që dispononin deri në ato momente. Pas proceseve demokratike të vitit 1990 Fisi Malasi vërshoi në shkolla ku deri tani numërohen mbi 30 intelektual, nga të cilit 13 mësues që japin lëndën e matematikës si dhe shumë ekonomistë etj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama