Nano Me shume vleresim per dy femra si Dora dIstria dhe Edit Durham

Nano: Me shume vleresim per dy femra si Dora d'Istria dhe Edit Durham

“‘E di kuptimin e emrit Mustafa?’, më pyeti andej nga viti 1995, në kohët që bëja diplomatin, një turk, një burrë i hijshëm rreth të gjashtëdhjetave, diplomat dhe ai, në një coffee break të një konference mbi Bashkëpunimin Ekonomik mes Vendeve të Detit të Zi, që zhvillohej në Trabzon, një qytet në këndin verilindor të Anadollit, ku ka kaluar Rruga e Mëndafshtë që lidhte në lashtësi e mesjetë Azinë me Mesdheun. ‘Jo, nuk e kam idenë’, i thashë, dhe për çudinë time nuk vura re ta kisha kapur në befasi me faktin që unë nuk kisha pasur asnjë pikë kureshtjeje e nuk kisha gjetur asnjë grimë kohë për të rënë në gjurmë të një informacioni lidhur me një gjë që më përkiste e që kish të bënte me mua më shumë se çdo gjë tjetër ….” Kështu e nis Mustafa Nano librin “Pax Albanica”, i cili ka vetëm një javë që ka dalë në treg nga shtëpia botuese “Saras”.

 

Duke u nisur nga vetja, Nano bën një rrugëtim në identitetin tonë fetar, si komb që para pushtimit osman, për të sjellë të plotë në një libër raportin që shqiptarët kanë pasur me besimin ndër shekuj. Të hënën, në sallën e kinemasë “Imperial”, shtëpia botuese “Saras” promovoi librin “Pax Albanica”. Përballë një publiku të zgjedhur, Nano shpjegoi disa nga tezat e shtjelluar në libër, si dhe grishjen e tij nga historia. Për drejtorin e botimeve “Saras”, Besnik Myftari, botimi i këtij libri është një kontribut në fushën e historisë. Njohja që kemi ndaj besimit ndër shekuj ka qenë gjithnjë fragmentare, ndaj çdo botim në këtë fushë e mbush këtë boshllëk. “Është një libër historik, që përveçse flet për bashkëjetesën tonë fetare, na bën të kuptojmë edhe historinë e Shqipërisë, nëpërmjet të huajve, por edhe nëpërmjet personazheve tona. Një libër i tillë i ka munguar tregut shqiptar”, tha Myftari. Studiuesi Agron Gjekmarkaj e quajti librin një bibliotekë të madhe historie dhe albanologjie, të cilën Nano e ka shtrydhur. “Kush e njeh autorin e di që nuk do ta bënte gjithë këtë punë për të qenë krejt dakord me ta, a për të thelluar vazhdën e mendimit të tyre!

 

Jo, shpesh i analizon për të mos qenë dakord, nganjëherë për t’i qesëndisur dhe herë tjetër papritmas për t’u bashkuar me ta pa mëdyshje. Gjithë kjo marrëdhënie nevoje pozitive e negative i shërben për të trajtuar atë që konsiderohet problemi më delikat i botës shqiptare, pluraliteti i feve”, tha Gjekmarkaj. Sipas tij, Nano merret me thelbin e problemit dhe ndikimin e tij te forma, që është realiteti shqiptar në epoka të ndryshme historike. “Siç e perceptoj unë, feja ose fetë shikohen prej tij brenda disa proceseve historike, të cilat bëjnë të mundur që religjionet universale të marrin karakteristika etnike dhe krahinore. Duket se shqiptarët e Mustafa Nanos nuk përshtaten me besimet, por i përshtatin ato duke përfituar nga ky veprim kohezion nacional dhe diversitet shpirtëror, aq sa për të, të gjithë janë në vendin e tyre. “Pax Albanica”, i cili rri mes esesë dhe tekstit akademik, përfiton nga statusi i librit të ndërmjetëm për të mos qenë politikisht korrekt, si i tillë më i dobishëm e grishës për lexim”, tha ai. Për drejtorin e Institutit të Medias, Remzi Lani, ky libër shtron disa pyetje të vështira dhe të drejtpërdrejta, por edhe jep përgjigje të guximshme e të drejtpërdrejta.

 

“Pyetjet i bën gazetari, ndërsa përgjigjet i jep studiuesi. Ndoshta është pak e vështirë ta përfytyroni Mustafa Nanon duke gërmuar në sirtarët e arkivave dhe raftet e bibliotekave, por e vërteta është se sjell për herë të parë një koleksion jashtëzakonisht të pasur të botimeve të autorëve të huaj dhe vendas, që kanë trajtuar marrëdhëniet e shqiptarëve ndaj feve, përshtypjet dhe dëshmitë e tyre të sjelljes fetare të shqiptarëve, analiza të mprehta dhe episode të paharrueshme, që dëshmojnë ata që autori e quan, ‘Pax Albanica’, të vërteta të pamohueshme”, tha Lani. Gazetari Enkel Demi vlerësoi stilin me të cilin është shkruar ky libër. “Është një stil shumë i shkathët dhe keni për të lexuar një libër nga faqja e parë, deri tek e fundit, do të lexoni një gjë që do ju lërë pa frymë. Por brenda ka shumë debat, ka shumë polemika, sepse e vërteta e Mustafa Nanos është pa doreza”, tha Demi. Më pas, Demi e ftoi Nanon, të bëhej i ftuari i tij, në një inskenim të emisionit që Nano drejton prej disa vitesh “Jamais Vu”. Përmes fotove të shfaqura në ekran, Nano foli mbi disa çështje të ndjeshme të raporteve që ne kemi me besimin dhe historinë. Fotoja, e cila tregonte disa këmbë tepër elegante femrash, e çoi Nanon larg në histori, duke nxjerrë prej andej dy femra tepër të rëndësishme të historisë sonë, Edit Durham dhe Dora d’Istria. Dhe pse të dyja erdhën në Shqipëri si udhëtare, falë ndjeshmërisë dhe lidhjeve që krijuan me këtë vend, ato mund të quhen dy shqiptare të mëdha.

 

Sipas Nanos, ka ardhur koha për t’i vlerësuar më shumë këto dy personazhe kaq të rralla të historisë sonë. Fotot e tjera kanë provokuar te Nano grishjen e tij ndaj historisë, duke sjellë një vlerësim mbi figura të ndryshme të së shkuarës. Esat Pashë Toptani, një prej shqiptarëve më të kritikuar, i cili është akuzuar e shihet si tradhtar, ka ardhur përmes një analize tepër të saktë dhe të ftohtë historike. Ka ardhur koha për t’i parë në kontekstin e kohës dhe të zhveshur nga metaforat që i kemi vënë ndër vite figurave të njohura të njohura të historisë. Konvertimi i shqiptarëve në fenë islame zë një hapësirë të veçantë në libër. “Unë në libër i mëshoj idesë që, konvertimi i shqiptarëve në fenë islame ka ardhur më së shumti për faktorë të tjerë dhe në listën e faktorëve që kanë diktuar konvertimet e shqiptarëve, dhuna e otomanëve është në fund. Unë e di që kjo gjë do të provokojë, do të shqetësojë shumë vetë, sepse e di që janë të shumtë shqiptarët që mendojnë se ka qenë mizoria otomane që ka sjellë islamin në Shqipëri, por kjo nuk është një tezë e imja”, tha Nano. “Pax Albanica” një libër i guximshëm, i shkruar me nervin e një studiuesi dhe elegancën e një mjeshtri të shkrimit gjendet në të gjitha libraritë nga botimet “Saras”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama