Nard Ndoka braktis opoziten bashkepunim me PS-ne

Nard Ndoka braktis opoziten, bashkepunim me PS-ne

Partia Demokristiane dhe kreu i saj Nard Ndoka janë aleatët e radhës, të cilët i largohen opozitës për t’u futur në koalicion me mazhorancën. Pasi nuk arriti dot një marrëveshje me Partinë Demokratike, në lidhje me kandidaturat për zgjedhjet vendore, Ndoka firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Socialiste për të hyrë së bashku në zgjedhjet lokale të 21 Qershorit. Pas takimit të zhvilluar me negociatorët e koalicionit të majtë, Ndoka vendosi të përfshihet në aleancë, duke u shprehur se, partia e tij do të konkurrojë me kandidatët e saj për këshillat bashkiakë. Tashmë me afrimin e PDK-së, numri i partive në koalicionin e majtë shkon në 42. Ndërsa ende pritet të mbyllet marrëveshja me aleatët e vjetër të PDS-së së Paskal Milo dhe PSD-së së Skënder Gjinushit.

Koalicioni

I pyetur nga gazeta “Shekulli”, kreu i PDKsë Ndoka tha se, bashkëpunimi me koalicionin mazhoritar do të vijojë edhe për nivelin qendror. Njësoj si Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit, edhe PDK-ja e Ndokës nuk do të bashkëpunojë me PS-në dhe aleatët e tjerë vetëm për këto zgjedhje, por edhe në nivel qendror. “Jemi në vazhdimësi të zgjedhjeve lokale të vitit 2011. Me Partinë Socialiste kemi fituar disa njësi dhe 52 mijë vota”, tha Ndoka.

Ndërsa në lidhje me prishjen e aleancës me PDnë, Ndoka u shpreh se bashkëpunimi me demokratët u bë i pamundur për shkak të mungesës së korrektesës nga ana e tyre. “Bashkëpunimi me PD-në u bë i pamundur, pasi demokratët nuk na lanë asnjë hapësirë për të vendosur kandidatët tanë në zgjedhjet lokale. Fillimisht ramë dakord në parim me Partinë Demokratike, ndërsa pas 24 orëve këta të fundit ndryshuan qëndrim pa asnjë arsye”, u shpreh Ndoka. Ndërsa me anën e një deklarate të lëshuar për mediat thuhet se, PD-ja refuzoi kandidatët e PDK-së edhe në zonat ku ata rezultonin fitues. “Partia Demokristiane, në mbledhjen e Kryesisë, pasi analizoi situatën parazgjedhore, shprehu keqardhjen për dështimin e negociatave me Partinë Demokratike.

PD-ja, në mënyrë të njëanshme, refuzoi bashkëpunimin me PDK-së dhe ofertën e Partisë Demokristiane në njësi të veçanta zgjedhore, ku kandidatet e saj rezultonin fitues dhe ku PDK-ja ka një mbështetje të konfirmuar elektorale në të gjitha proceset zgjedhore. Në këto kushte PDK-ja vendosi të ndërpresë negociatat me PDnë dhe të mos bëhet pjesë e koalicionit zgjedhor të udhëhequr nga kjo parti”, thuhet në reagimin e partisë së Ndokës. Ndërsa në lidhje me pjesëmarrjen në koalicionin mazhoritar, PDK-ja shprehet se, vlerësuan ofertën e koalicionit të majtë dhe do të dalin në zgjedhje së bashku, duke konkurruar me kandidatët e saj në këshillat bashkiakë. “Kryesia e PDK-së shqyrtoi gjithashtu ofertën për bashkëpunim dhe bashkëqeverisje me Partinë Socialiste dhe vendosi të bëhet pjesë e koalicionit zgjedhor, të drejtuar nga koalicioni qeverisës.

PDK-ja do të konkurrojë me kandidatët e saj në të gjitha njësitë zgjedhore për këshilltarë bashkiakë, duke e përfaqësuar me dinjitet alternativën demokristiane në qeverisjen lokale dhe qendrore”, thuhet në deklaratë. Partia Demokristiane e Nard Ndokës deri në zgjedhjet vendore të 2013-ës ishte pjesë e opozitës. Pas kësaj Nard Ndoka vendosi të bashkohej me koalicionin e mazhorancës që udhëhiqej nga Partia Demokratike, që në atë kohë drejtohej nga Sali Berisha. Ky i fundit vendosi ta fusë Nard Ndokën në një pozicion fitues në listën e qarkut të Shkodrës, e pavarësisht numrit të vogël të votave që mori PDK-ja në ato zgjedhje, Ndoka fitoi një vend në Parlament.

Fillimisht Ndoka kërkoi nga lideri i PD-së Basha që t’i linte zona të lira për të vendosur kandidatët e tij, në emër edhe të koalicionit, në bashkitë e Fushë-Arrëzit, Mirditës, Kurbinit, Mallakastrës, Sarandës dhe Selenicës. Ndërsa vetëm disa ditë më parë kryetari i komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj, zhvilloi një takim me Bashën për të kandiduar në bashkinë e Lezhës, në emër të koalicionit të djathtë. Kërkesa e tij nuk u pranua nga Basha, ndërsa Kaçaj u shpreh se, do të kandidonte për bashkinë e Lezhës nën siglën e PDK-së. Ndërsa pas marrëveshjes me PS-në, tashmë ngelet jashtë edhe kandidatura e Salvador Kaçaj, duke qenë se nga koalicioni i majtë për këtë bashki është rikonfirmuar kryetari aktual, Viktor Tushaj, i cili vjen nga radhët e LSI-së.

Aleanca Demokristiane e Zef Bushatit mbetet në koalicionin e majtë

Aleanca Demokristiane dhe drejtuesi i saj Zef Bushati duket se zgjidhën “ngërçin” e krijuar mes tyre dhe PSsë, duke qëndruar në koalicionin e majtë. Kështu me PDK-në dhe ADKnë, numri i partive që janë pjesë e koalicionit të majtë shkon në 42. Më herët gjatë një prononcimi të dhënë për gazetën “Shekulli”, kreu i ADK-së, Zef Bushati ishte shprehur se partia e tij do të qëndronte në koalicionin e majtë, vetëm nëse rifutet në lojë akt-marrëveshja e nënshkruar përpara zgjedhjeve të vitit 2013. Pas takimit me negociatorët, Bushati ra dakord të mbe tet në koalicionin e majtë, ndërsa do të kërkojë të përfaqësohet me këshilltarë bashkiakë.

Duket se koalicioni i majtë do të jetë më i madhi në zgjedhjet e 21 qershorit. Fillimisht PDIU-ja e Shpëtim Idrizit braktisi PDnë për t’u bashkuar me mazhorancën. Më pas minoritarët maqedonas të Edmond Themelkos ishin largimi i radhës nga opozita. Për të vijuar me ish-partinë e Neritan Cekës, Aleanca Demokratike, me Partinë e Punës së Shqipërisë, të drejtuar nga Muharrem Xhafa, Partinë për Evropianizim dhe Integrim dhe një parti e qendrës së djathtë, si FRD-ja e Bamir Topit.

Koalicionet

Nard Ndoka, kreu i PDK-së Zyrtarizimi i koalicioneve parazgjedhore tashmë është në orët e tij të fundit, kjo për shkak edhe të skadimit të afatit ligjor për regjistrimin. Partitë politike do të duhet që deri nesër në orën 18:00 të kenë firmosur koalicionet mes tyre. Neni 65, pika 1 e Kodit Zgjedhor parashikon që dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, mund të regjistrohen si koalicion në shkallë vendi, jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve, që është 21 Qershori.

Dy partitë e mëdha politike thuajse e kanë përfunduar marrëveshjet me partitë e vogla dhe pritet që brenda ditës së mërkurë të dorëzojnë në KQZ listat e plota të koalicioneve. Partia Socialiste dhe aleatët e saj e zgjeruan koalicionin e majtë me rreth 42 parti, jo vetëm të spektrit të majtë, por edhe të krahut të djathtë, ku i fundit që ju bashkua kësaj force ishte demokristiani Nard Ndoka, i cili erdhi pas bashkimit të Frymës së Re Demokratike, e drejtuar nga ish-Presidenti, Bamir Topi. Ndërsa, pritet dhe konkretizimi i marrëveshjes mes PS-së edhe për dy aleatët e vjetër të saj, Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit dhe Demokracia Sociale e Paskal Milos.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama