Nata e Bardhe dhe aktivitetet kulturore gjallerojne qytetin

'Nata e Bardhe' dhe aktivitetet kulturore gjallerojne qytetin

Viti i tetë i përfshirjes së qytetit të Gjirokastrës në listën e trashëgimisë kulturore botërore, UNESCO, është shoqëruar me një seri aktivitetesh artistike. Ekspozita arkitekture, panair kulinarie dhe artizanati, ndërsa surpriza u rezervua në mbrëmje me të ashtuquajturën “Nata e Bardhë”, e organizuar nga deputeti i ri i qarkut të Gjirokastrës, Erjon Veliaj. Në ekspozitën e arkitekturës përmblidheshin foto nga pesë vende të Ballkanit, mes tyre edhe Shqipëria. Në cilësinë e organizatorit të koleksionimeve dhe ekspozimit të imazheve të arkitekturës, Artan Shkreli u shpreh se Gjirokastra është vendi ideal për të prezantuar mirëfilli këto vlera.

Kësaj ceremonie të rëndësishme nuk i mungoi edhe kryebashkiaku Flamur Bime, i cili tha: “Gjirokastra ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të harmonizuar trashëgiminë me turizmin. Veç kësaj, Bashkia e Gjirokastrës ka nderuar me tituj nderi shumë syresh personazhe të qytetarisë gjirokastrite, të cilët kanë kontribuar në ngritjen e vlerave të qytetit muze”. Panairi i kulinarisë dhe artizanatit që pasoi në rrugët e Pazarit karakteristik, ofroi një paraqitje të punimeve etnografike, atyre prej druri, qilimave, krijimet e dorës të qëndistarisë etj. “Rrëfenja Ballkanase”, siç e etiketuan organizatorët evenimentin, do të vijojë me hapjen e ekspozitës së librave mbi historinë, turizmin dhe letërsinë, ndërsa “Nata e Bardhë” pritet të ndezë me muzikë kështjellën e qytetit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama