"...Anija e rënduar nga pesha e njerëzve largohet nga porti shumë ngadalë. I mbështetur në hekurat e ftohtë të saj vështroj molin ku mijëra të tjerë mbeten me krahë që tunden pa pushim drejt detit. Të tjera anije mbushen...Durrësin e shoh për të fundit herë."
Nisja e ditarit të Përparim Turrës, i njohur nga të gjithë si Mimi, i larguar nga Durrësi me anijen "Liria" 6 marsin e vitit 1991. Mimi, 33 vjeç, lë familjen, Suzanën dhe djalin Holger 7 vjeç, për të udhëtuar bashkë me 5000-6000 të tjerë drejt një bote të panjohur, të pasigurt, por ku mund të ishe i lirë në mendime, në ide, mund të lexoje Danten dhe Kiplingun, mund të dëgjoje "The Beatles" dhe "Rolling Stone". Ditari i Mimit mban titullin "Deti i Ngrirë". Botimi i parë, me titullin "Ditar i qytetit tim" 1993, kaloi në heshtje. U botua në gjuhën italiane më 1994 me titull "Il mare di ghiacio". Historia e dy personazheve kryesorë të librit "Deti i Ngrirë", Ana dhe Agroni, është historia e të gjithë të rinjve shqiptarë që ëndërronin një botë të lirë. Kjo është historia e librit. Kurse Mimi Turra tregon për "Shekullin" historinë e vërtetë, përjetimet e një nate të gjatë marsi në anije "Liria"
Ja si fillon.
Mimi, kur je larguar nga Shqipëria?
Jam larguar në Mars të vitit 1991 me anijen "Liria". Në atë moment vendosa që të largohesha nga Shqipëria. U nisëm pa dokumente, siç ikën gjithë shqiptarët e tjerë.
Pse u largove?
Sepse nevoja për liri është ndjesia më e fortë që mund të ketë njeriu. Unë në atë kohë punoja në kushte relativisht të mira. Kisha studiuar për gjuhë të huaja dhe punoj përkthyes nga gjuha angleze në dikasterin e Tregtisë së Jashtme. Por kërkoja lirinë. Liria ekziston kur ekzistojnë të drejtat e njeriut, kur ti ke mundësi të shprehësh atë që mendon. Ishte një nevojë e imja dhe shumë të tjerëve. Ne në atë kohë na mungonte liria e mendimit, liria fetare, deri edhe liria për të lexuar, për të studiuar. Nuk mund të lexoheshin autorë të tjerë, veç atyre të realizmit socialist, ishin të ndaluar. Për shembull një Kipling, Dante Aligeri, apo të dëgjoje "The Beatles", "Rolling Stone", Led Zeppelin. Nuk mund t'i dëgjoje me atë liri që mund t'i dëgjoni ju sot. Unë isha pjesë e atyre që kërkonte këtë liri. Nuk isha vetëm unë, por një popull i tërë.
Sa vetë u nisët me Ilirinë dhe kur?
Ishin 500-6000 vetë. U nisëm në mëngjesin e datës 6 mars dhe aty kaluam një natë. Por pjesa më e madhe e shqiptarëve udhëtoi edhe me anije të tjera dhe arritën të largoheshin nga Shqipëria rreth 25.000 vetë. Kaq arritëm në Brindizi.
Çfarë imazhesh ke në kokë nga ajo natë?
Njerëzit që flinin në tokë, ku të mundeshin, korridoret të kthyer në banja. Anija "Liria" për mua ishte një anije njeri, një njeri gjigant. Ishte njeriu që largohej dhe kërkonte të gjente vetveten.
Si ndiheshe? Çfarë bisedoje më të tjerët?
Kisha një luftë të brendshme. I bëja pyetje vetes nëse bëra mirë apo keq që ika. Të gjithë shkonin me shpresën për të punuar, për të jetuar, për të gjetur një jetë më mirë. Por, të gjithë ishin të pasigurt se ku do të shkonin dhe çfarë do të bënin. Pyetjet, si do t'ia bëjmë, kur do takohemi, ku do punojmë, i shoqëronin të gjitha bisedat e djemve. Në anijen e parë ishim më tepër djem dhe burra, gra më pak.
Çfarë ishte për ju Italia?
Një vend ku mund të shprehje atë që doje. Një botë e lirë, ku ti mund të studioje, mund të punoje, mund të kishe idetë e tua. Një botë tjetër.
Çfarë le në Shqipëri në atë kohë?
Familjen. Gruan dhe djalin, lashë prindërit, lashë të afërmit, shokët. Lashë çdo gjë.
Sa vjeç ishe?
33 vjeç. Kisha vetëm një djalë, Holgerin, 7 vjeç.
Shkuat në Brindisi. Çfarë ndodhi atje?
Me mbërritjen në Brindisi mësuam që shumë qytetarë të tjerë dhe familje kishin marrë anije të tjera për t'u bashkuar, gratë me burrat, me prindërit, fëmijët me baballarët, me motrat me vëllezërit. Ishin nisur edhe anije të tjera mbas anijes sonë. Dhe u vumë në kërkim të bashkimit të familjeve dhe pikërisht ky libër flet për këtë, ribashkimin e familjeve, në qytetin Italian që na mikpriti.
Kur e takove gruan, djalin? Pas sa kohësh?
Mbas dy ditësh. Me ndihmën e qytetarëve italianë, të qytetarëve të Brindizit. Ekzistonte një pikëpyetje e madhe nëse do të na mikpriste një popull tjetër fqinjë që nuk na kishte njohur asnjëherë, na kishte dëgjuar vetëm nëpërmjet televizionit. Brenda tri ditësh qyteti i Brindizit u kthye në një kamp të madh mikëpritjeje për 25.000 shqiptarë.
Po Suzanën si e takuat?
Me ndihmën e qytetarëve italianë, të cilët e kishin ndihmuar. U takuam në rrugë. Të tjerë takoheshin nëpër shkollat që qeveria italiane i kishte mbyllur për studentët dhe ishin kthyer në fjetore për nënat dhe fëmijët që kishin ikur me anije për në Itali. Unë me familjen time u takuam te Piazza Viktoria, një qendër ku u bë bashkimi i të gjitha familjeve që kishin marrë një udhëtim aventuresk, të paligjshëm. Kishte familje që u takuan nëpërmjet telefonave, lajmërimeve që ishin vënë në të gjitha shkollat e qytetit. Filloi të qarkullonte gojë më gojë, lajmi që do takoheshim te sheshi Viktoria.
Çfarë gjetët në Itali?
Në portin e Brindizit ndenjëm dy net fjetëm jashtë. Natën e parë fjetëm të gjithë siç ishim, kurse të dytën u organizua që gratë dhe fëmijët të shkojnë nëpër shkollat e qytetit, ose të strehoheshin nga Karitasi, Kryqi i Kuq, shoqata të tjera bamirëse, që u vunë në dispozicion për t'i ndihmuar këta 25.000 persona që kishin nevojë për t'u lidhur me njëri-tjetrin.
Si vijoi historia më tej?
Unë me mundësitë që i krijova vetes arrita të integrohem në Itali. Gjetëm punë bashkë me gruan. Vetë fillimisht kam punuar si nëpunës në një zyrë noterie. Më pas bashkë me gruan hapëm një aktivitet që është i njohur për të gjithë shqiptarët deri më 1997, agjencinë turistike "Aquila". Mbas '97-ës, Brindizi nuk na mjaftonte. Ambiciet u shtuan. U transferuam në veri të Italisë, në Bergamo, ku mendova për perspektivën e djalit. Filluam të punojmë me gruan në transport dhe i dhamë një drejtim edhe djalit. Punojmë në ndërmarrjet më të fuqishme të vendit, për sa i përket transportit detar, rrugor, ajror.
Çfarë mban mend djali juaj nga ajo kohë?
Nuk mund të harrohen ato pesë ditë. Është një kujtim që e ka rritur. Aty mësoi çfarë do të thotë liri.
A mendon të kthehesh në Shqipëri?
Po. Jam 53 vjeç dhe e di që asnjë vend nuk mund të bëhet si vendi yt. Më mungon, vëllai, motra, shokët, kjo bisedë që po bëjmë bashkë.