Veshur sportive dhe me pranga në duar, Nazime Visha iu drejtua dje Gjykatës së Tiranës me kërkesën për amnisti, për të përfituar nga neni 71 i Kodit Penal. Ky nen thotë se, organi kompetent përjashton nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht apo pjesërisht e dënimit ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë. Amnistia shtrihet për ato vepra penale të kryera deri një ditë para shpalljes së saj, veç rastit kur në aktin përkatës vendoset ndryshe. Nazimeja ishte e vetme në sallën e gjyqit, e pashoqëruar, as nga familjarët dhe as nga juristët apo avokatët e burgut, ku ajo po vuan dënimin.
Seanca u drejtua nga gjyqtari Sokol Tona dhe u ndoq nga prokurori Shahin Pasha. Që prej datës 13 gusht 2012, Nazime Visha gjendet pas hekurave, pasi u arrestua në flagrancë për vrasjen e 45 –vjeçarit Fiqiri Muçaj, baba i pesë fëmijëve, me të cilin ajo kishte pasur një lidhje intime. Më vonë Nazimeja tregoi se, Fiqiriu duke përfituar nga njohjet familjare, e kishte abuzuar seksualisht, që kur ishte e mitur. Sipas saj, Fiqiriu e kishte ndarë nga i fejuari dhe kishte tentuar ta trafikonte. Në datën 8 maj 2013, Gjykata e Tiranës dha dënimin me 10 vjet burg për akuzën e “vrasjes me paramendim” dhe “prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake” për Nazime Vishën.
Fillimisht Nazimeja u dënua me 15 vjet burg për vrasje me paramendim dhe dy vjet burg për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake. Duke pasur një gjykim të përshpejtuar, sipas nenit 406 të Kodit Penal, asaj ju ul 1/3 e dënimit dhe për të dyja këto vepra penale Nazimeja u dënua vetëm me 10 vjet burg. Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit. Seanca e djeshme për amnistinë u shty për më datën 8 maj, që Nazimeja të vijë e shoqëruar me një avokat, i cili do të paraqesë para trupit gjykues argumentet ligjore mbi të cilat bazohet kërkesa për amnisti. Gjatë një bisede të shkurtër që bëmë me të para se të niste seanca gjyqësore, Nazimeja na tregoi se dëshirën për të qenë e lirë e kishte shumë të madhe.
Nazime, pse ke ardhur sot në gjykatë?
Jam në burg që prej 13 gushtit të vitit 2012. U konsultova me juristët dhe avokatët që janë në burg dhe ata më sugjeruan që të bëj këtë kërkesë, pasi mund të përfitoj nga neni 71 për amnistinë. Kur më dhanë dënimin më thanë se, dënohesha me 10 vjet burg për vrasje dhe 2 vjet burg për armën, por gjithsej kisha 10 vjet dënim. Unë dua që gjykata të më ulë dënimin për armëmbajtjen.
Ke marrë dhe më parë ulje dënimi?
Po, kam marrë 1.5 vjet ulje dënimi nga dinamika e vuajtjes së dënimit, në vitin 2014. Po i drejtohem përsëri gjykatës, nëse është e mundur që ta ulë edhe pak dënimin. Po numëroj një nga një ditët derisa të dal nga burgu. Juristi ma ka bërë të qartë që është e vështirë në këto kushte për të përfituar nga amnistia, por unë gjithsesi me ndihmën e avokatit do të tentoj një herë.
Edhe sa vite dënim të kanë mbetur?
Katër vite e nëntë muaj që duhet t’i shlyej fizikisht në burg. Pasi të shlyej tre të katërtat e dënimit do të kërkoj lirim me kusht sipas ligjit. Do të bëj edhe më 20 nëntor një kërkesë tjetër për ulje dënimi.
Po nga familja vijnë të të vizitojnë?
Po vijnë. Më shpesh vjen gjyshja.
Kërkesat për falje
Nazime Visha ka dërguar dy kërkesa për falje te Presidenti i Republikës, një në vitin 2013 dhe një tjetër në vitin 2014. Kërkesat u refuzuan me motivacionin e “mospërputhjes së kritereve ligjore për përfitimin e faljes”. Disa figura publike, mes të cilave edhe shkrimtarët Ismail Kadare e Dritëro Agolli, sopranoja Inva Mula e violinisti Tedi Papavrami, nëpërmjet një letre të hapur, i kërkuan drejtësisë shqiptare mëshirim dhe falje për Nazime Vishën, por këto kërkesa sërish u refuzuan.