Ndahen Cmimet Kombetare te Letersise ja 10 fituesit e vitit 2011

Ndahen Cmimet Kombetare te Letersise, ja 10 fituesit e vitit 2011
Është mbajtur sot ceremonia për ndarjen e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2012. Një komisioni përbërë prej 7 vetash ka vendosur që çmimin e madh ta marrë Visar Zihiti. Ndërsa janë dhënë edhe 9 çmime të tjera. Gjithashtu poeti Ali Podrimja i ndarë nga jeta pak muaj më parë, me kërkesë të ministrit të MTKRS-së Aldo Bumçi, u vleresua nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani me titullin e lartë ” Nderi i Kombit”.

Ndarjet e çmimeve:

Çmimi i Madh i Letërsisë për vitin 2011

I jepet shkrimtarit Visar Zhiti për prurjet në nivel të lartë artistik e estetik që ka përcjellë në Letërsinë bashkëkohore shqipe, nëpërmjet korpusit letrar të veprës së krijuar prej tij.

Çmimi “Petro Marko” për vitin 2011

I jepet shkrimtarit Zija Çela për romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, për kodet e ligjërimit dhe risitë e përcjella nëpërmjet një forme autentike të narracionit, duke pasuruar me vlera të qenësishme prozën romanore shqipe.

Çmimi “Mitrush Kuteli” për vitin 2011

I jepet shkrimtarit Moikom Zeqo për vëllimin me tregime “Klepsidra”, për prurje origjinale në vijimësi në artin e tregimtarisë si dhe një stil unik letrar.

Çmimi “Lasgush Poradeci” 2011

I jepet poetit Rudian Zekthi për vëllimin me poezi “Panair“, nëpërmjet të cilit autori spikat në thurrjen e monologut poetik që tirret përmes imazheve e formave meditative, duke përcjellë vlera dhe risi origjinale në poetikën shqiptare.

Çmimi “Faik Konica” 2011

I jepet studiuesit Shaban Sinani për veprën studimore “Camaj i paskajuar“, për trajtimin në nivel të lartë shkencor dhe origjinalitetin e mendimit kritik mbi veprën letrare të Martin Camajt, për rolin që ajo ka luajtur në rrjedhat e Letërsisë Shqipe.

Çmimi “Gjergj Fishta” 2011

I jepet shkrimtares Mira Meksi, për librin eseistik “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura”, për këndvështrimin origjinal të trajtimit dhe përcjelljen e një mendimi analitik e sistematik mbi protagonistë e dukuri të pazakonta të shfaqura në botën e letrave.

Çmimi “Fan Noli” 2011

I jepet përkthyesve Bashkim Shehu e Edlira Hoxholli për përkthimin mjeshtëror të veprës “Nokturnet e Kilit” të shkrimtarit të shquar Roberto Bolanjo, duke shënuar prurje me vlera të spikatura në traditën e përkthimit të autorëve të rëndësishëm nga letërsia e huaj, në gjuhën shqipe.

Çmimi “Jusuf Vrioni” 2011

I jepet përkthyesit të njohur Aleksandër Zoto, për kontributin e gjithanshëm e të shumëçmuar në përkthimit dhe promovimit e dhjetra shkrimtarëve dhe veprave të letërsisë shqipe në gjuhën dhe kulturë franceze.

Çmimi “At Donat Kurti” 2011

I jepet shkrimtarit  Ruzhdi Gole me librin “Kureshtja për tu rritur”  duke e vlerësuar  veprën e tij si një hop emancipues të zhanrit të letërsisë sonë për fëmijë dhe të rinj.

Çmimi “Migjeni” 2011

I jepet shkrimtarit debutues Plator Ulqinaku për vëllimin poetik “Libri i qëndresës”, duke e vlerësuar për një hap të parë të pjekur dhe premtues në poezinë shqipe

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama