Thanas Medi është vlerësuar dje si autori i veprës më të mirë botuar gjatë vitit 2013. Një i emër pak i njohur në qarqet letrare në vend, Medi prej vitesh jeton në Greqi. Romani i tij “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” është renditur si vepra më e mirë letrare për vitin 2013-të me motivacionin “për arritjen e një niveli të lartë në ndërthurjen kompozicionale në veprën e tij dhe krijimin e personazheve që e mbajnë subjektin e tendosur deri në fund drejt një epilogu befasues”.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u bë dje në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Për këtë çmim konkurronin autorët Albana Shala me përmbledhjen me tregime “Ngarkesa e fëmijës”, Azem Qazimi me “Për dhuntinë e mahnitjes” (poezi), Flutura Açka me romanin “Kukullat nuk kanë atdhe” dhe shkrimtari “Shkëlqim Çela me “Ishulli Ruzvelt” (novela). “Jam përpjekur që me veprën time të sjell diçka të veçantë që lexuesit ta njohin dhe ta pëlqejnë atë dhe jam shumë i gëzuar që nderohem me një çmim të tillë”, tha Medi. I lindur në Dhoskat në Gjirokastër, ai ka studiuar Letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Letërsia ka qenë një zgjedhje e hershme e tij. Para viteve ’90 ka përgatitur një vëllim me tregime e novela, të cilat nuk iu botuan nga shtëpia botuese e atëhershme “Naim Frashëri” me pretendimin “se nxin realitetin”. “Hija e mallkuar” është romani i tij i parë botuar në vitin 2011. Një roman i cili flet për marrëdhëniet shqiptaro-greke, marrëdhënie të njohura mirë nga Medi.
Por një çmim i madh letrar siç mund të quhet çmimi i përvitshëm i Ministrisë së Kulturës, për një autor gati të panjohur solli menjëherë pakënaqësi tek autorët pretendentë për këtë çmim, por edhe njerëz të letrave duke e parë me skepticizëm. A e meritonte Medi këtë çmim? Duke mos pasur mundësi të kemi lexuar veprën e tij le ta lëmë gjykimin, pasi të kemi lexuar veprën. Rasti Medi është i ngjashëm me rastin e autorit më të mirë të panairit të këtij viti të librit, Arben Dedës, sërish një emër i panjohur në letrat shqipe, por që juria e mbrojti me ngulm si një çmim të merituar. Këto çmime janë një mënyrë për t’u njohur dhe me autorë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Ndërsa çmimin për përkthimin më të mirë letrar të vitit 2013 e ka marrë përkthyesi i ndjerë, Guljem Deda, me veprën “Orlandi i çmendur” me motivacionin “me një përkthim të papërsëritshëm që ruan bukurinë e fjalës, ritmin, harmoninë dhe elegancën e vargut, nën një regjistër të epërm të gegërishtes”.
Çmimi iu dorëzua Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, pasi autori ka ndërruar jetë në vitin 1994. Për këtë çmim ishin dominuar këto vepra William Blake “Këngët e pafajësisë dhe të përvojës”, nën përkthimin e Arben Dedes, Saint John Perse, “Poezi të zgjedhura” nën përkthimin e Alket Çanit, Mo Yan “Bretkosa”, roman nën përkthimin e Iljaz Spahiut. Afro 45 veprat në poezi dhe prozë dhe vepra të përkthyera kanë qenë botime të vitit 2013. “Juria, e caktuar nga Ministria e Kulturës për Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2013, u krijua disa muaj më parë dhe iu desh gjatë punës së saj të kalojë përmes një procesi selektimi dhe përzgjedhjeje të gjatë dhe shumë të vështirë, për të arritur deri në fund në pak zgjedhje”, tha anëtari i jurisë, Ben Andoni.
Sipas tij, puna e jurisë është mbështetur në katologimin e librave për vitin 2013 në Bibliotekën Kombëtare. “Modaliteti që u zgjodh për përzgjedhjen finale e ku u arrit në një numër të caktuar krijimesh dhe përkthimesh kishte të bënte me zgjedhjen e autorëve që kishin sjellë risi në krijimtarinë e tyre apo në zgjidhjen e detyrave të vështira të përkthimit. Ky ishte edhe momenti më i vështirë i punës sonë, pasi juria përmes debateve dhe diskutimeve të gjata, duhej të vendoste për vetëm dy libra. Një nga kriteret më të përcaktuara qartë ishte sesi libri mund të tingëllonte për një publik më të gjerë, që i kalonte kufijtë e vendit”, tha Andoni. Ndërsa sipas tij, kriteri në përkthim lidhej jo vetëm me tingullin në shqip të veprës, por edhe me vështirësinë e përkthimit dhe detyrat e zgjidhura të përkthyesit. Juria e këtij edicioni ishte e përbërë nga Brikena Çabej, Rita Petro, Ridvan Dibra, Saverina Pasho dhe Ben Andoni. Ndarja e dy çmimeve në fushën e letrave këtë fundviti është vazhdim i traditës së çmimeve të fundvitit që ministria ka dhënë deri një vit më parë “Penda e Artë” dhe “Penda e Argjendtë”. Duke parë që pjesa më e madhe e prurjeve letrare në vit nuk e justifikonin këtë çmim, që ishte kthyer në qoka mes miqsh letrarë, ministrja Kumbaro vendosi të kishte vetëm dy çmime një për veprën më të mirë të vitit dhe një për përkthimin më të mirë.
Rruga e gjatë e “Orlandit të çmendur”
“Orlandi i çmendur” një nga kryeveprat e letërsisë italiane nuk e ka pasur të lehtë rrugëtimin në gjuhën shqipe. Vepra i mbërriti mjeshtrit Guljem Deda si një dhuratë nga jashtë kur ndodhej në burgun e Kuçit. Ishte Pashko Gjeçi ai që i rekomandonte të lexonte e përkthente këtë libër. “Aty, në atë qoshe gjysmë të errtë, mbi një fletore kalamajsh, filluen të radhiten shqip vargjet e poezisë klasike të Ariostos, oktavat e arta siç quheshin, për bukurinë e përsosmëninë e tyne. Lemi ynë po i radhiste po aq bukur dhe po aq përsosmënisht në gjuhën e Gjergj Fishtës. Që në fillim u pa se vepra që ai kishte nisë, pa asnjë perspektivë fitimi, ishte vetëm si një përkushtim dhe një mundësi të vënies në lëvizje të trunit dhe të aftësive që diktatura donte të shuente. Sa të luente domino, apo spathi e deri brige, shah, cicmic e tjera, ma mirë me lexue apo radhite njato vargje njëmbëdhjetërrokëshe me rimë. Një farë kushti i mirë ishte, sepse nuk na kishin qitë në punë të detyrueshme, e rrinim gjithë ditën duke u marrë me lexime, diskutime, por edhe lojna për të kalue kohën, si shah, letra.
Unë kisha vizatue një palë letra me kapakë kutia cigaresh. Dënimi ynë ishte ai i gjendjes së izolimit në atë fshat të largët midis maleve të Kurveleshit, kujtonte më vonë shoku i tij i burgut, Lek Pervizi, i cili është dhe një nga njerëzit që ka kontribuar që kjo vepër të botohej. Përkthimin Guljem Deda do ta vazhdonte dhe kur u transferua në Plug të Lushnjës. Mbi fletët e Ariostos do të vazhdonte të qëndronte dhe gjatë viteve të internimit në Savër të Lushnjës. Sot poema, një kryevepër e letërsisë italiane është botuar në dy vëllime, mban 40.000 vargje dhe mjeshtri Deda i ka radhitur me dorë 1600 faqe me 5000 oktava. Vetëm një punë titanike si ajo e përkthyesit Deda mund të bënte të mundur sjelljen e këtij autori në gjuhën shqipe. Fatkeqësisht, Deda nuk mundi ta shihte në një libër në shqip Arioston, autorin që u bë për të më shumë se një frymëzim gjatë viteve të diktaturës. Pas viteve ’90 ai shkoi për të jetuar në Itali, aty ku dhe mbylli sytë përgjithmonë në vitin 1994, duke ia besuar këtë vepër miqve të tij. Ata që e quajtën dorëshkrimin duke besuar në vlerat që mbartte për ta sjellë në një vëllim, këtë përkthim që sfidoi sistemin dhe mbajti gjallë shpresat e dhjetëra intelektualëve atje në atë dhomë të errët në Burgun e Kuçit.