Ndonëse u zvarritën për muaj të tërë, çmimet kombëtare të letërsisë për vitin 2011 do të ndahen më 20 dhjetor, ora 18:00 në një ceremoni që do të mbahet në Teatrin Kombëtar. Sipas traditës, këto çmime duhet të ishin ndarë në fillim të janarit, por për arsye që asnjëherë nuk u kuptuan, u shtynë për disa muaj me radhë. Në zhurmën e madhe të 100-vjetorit, ndryshe nga sa ka ndodhur vitet e tjera, nuk patëm një njoftim apo prononcim të jurisë së ngritur për të marrë në shqyrtim veprat.
Mbrëmjen e së enjtes, përveç Çmimit të Madh, do të ndahen Çmimi “Gjergj Fishta” për autorin që me esenë e tij ka ndikuar në mënyrë të veçantë në mendimin kombëtar shqiptar; Çmimi “Faik Konica” për autorin që me anë të studimit ose kritikës ka ofruar zbulime ose interpretime bashkëkohore në fushën e kritikës letrare; Çmimi “Fan Noli” për përkthim nga gjuha e huaj në shqipe; Çmimi “Mitrush Kuteli” për prozën e shkurtër; Çmimi “Petro Marko” për romanin; Çmimi “Migjeni” për autorin që ka mundur të përcjellë te lexuesi modele të reja dhe një nivel të spikatur letrar; Çmimi “Lasgush Poradeci” për veprën poetike; Çmimi “Jusuf Vrioni” për përkthyesin në gjuhë të huaj; Çmimi “Atë Donat Kurti” për shkrimtarin për fëmijë.