Përkthyesi dhe publicisti Amik Kasoruho ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare nga një sëmundje në mushkri. Ai ishte vendosur përgjithmonë në Shqipëri dhe ishte bërë mjaft aktiv në fushën e përkthimit letrar. Amik Kasoruho ka lindur në Tiranë më 1932. Në moshën 17-vjeçare u arrestua dhe u dënua me 10 vjet burg.
Ndërkohë i ati, Qemal Kasoruho, pushkatohet pa proces, vetëm 5 ditë pas arrestimit, bashkë me 21 intelektualë. Pas burgut, bashkë me familjen jetoi për 27 vjet në internim. Përkthimi në burg dhe më pas gjithë jetës është zanati i tij, krahas krijimtarisë origjinale dhe publicistikës.
Ka përkthyer letërsi nga Pirandelo, Ibanjezi, Alende, Robins, Brontë, Hawthorne. Kasoruho ishte më tepër i njohur ai autor, se si përkthyes. Letërsia, eseistika apo publicistika e tij më e rëndësishme është në veprat “Midis burgut dhe dritës”, “Çmimi i një ëndrre”, “Fluturimi i gjatë i një ore”, apo “Një ankth gjysmëshekullor – Shqipëria e Enver Hoxhës”. Vitet e fundit ka botuar në Kosovë romanin autobiografik “Ikje nga trilli i perëndive”.