Ndahet nga jeta Xha Sulo Artisti i Popullit Albert Verria

Ndahet nga jeta 'Xha Sulo' Artisti i Popullit Albert Verria

U nda nga jeta nga një sëmundje e rëndë, Artisti i Popullit, Albert Verria, aktor i madh i dhjetra roleve në kinematografinë dhe dramës shqiptare dhe të huaj, që la pas 110 role, shumica e të cilave falë interpetimit të tij, janë sot pjesë e kujtesës kombëtare. 

Për shumë njerëz, Albert Verria njihet si aktori vlonjat. Por pak e dinë se Vlora nuk është qyteti i lindjes, por qyteti ku nisi rrugën si aktor.

Lindi në Fier më 3 shtator 1936, në familjen e madhe tregtare Verria, një ndër 5 të parat që zbritën në Fier nga Voskopoja në vitin 1796 me djegien e parë të qytetit mesjetar me emër për kulturën shqiptare, të cilat shënuan nisjen e vizionomisë te qytetit Fierit, aso kohe fshat.

Në Fier bëri shkollën fillore dhe të mesme dhe rrugës së artit i hyri që në vogëli, kur fëmijë, shkonte në Apolloni. Atje gërmonte me  durim të jashtëzakonshëm profesor Hasan Ceka, që i mblidhte dy- tre fëmijë të vegjël dhe u tregonte për amfiteatrin dhe dramaturgjinë antike. Rolin e parë si fëmijë, ishte nga pjesa “Minçurini i vogël”, ku lozi personazhin e një djali të vogël me emrin Shulkë, të apasionuar pas botanistit të famshëm rus.

Pasi mbaroi studimet e mesme për zoteknikë, Albert Verria punoi si zooteknik për dy vjet në Kukës e më pas, u rikthye në Fier si pedagog në shkollën e kuadrove bujqësore, ku mjaft pedagogë të shkolluar jashtë vendit, me kulturë të mirë artistike, flisnin për operan, baletin, teatrin, c’ka ndikoi tek ai për të mbajtur gjallë dëshirën e fshehur për artin. Në 1959 kur u hap për herë të parë në Tiranë shkolla për aktorë, “Aleksandër Moisiu”, Albert Verria ishte me punë në Berat, ku regjizori me emër, Viktor Stratobërdha, që nga drejtor i kinemasë, ishte dërguar me internim aty, e nxiti të ngjiste skenën, e ndihmoi në përgatitjen e monologjeve dhe pantonimave të ndryshme. Konkurroi dhe fitoi studimet në shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu” (1959 -1963) me grupin e parë të saj. U emërua aktor në Teatrin e Vlorës,  duke shënuar drejtimin përfundimtar të karrierës së Albert Verrisë drejt teatrit dhe kinemasë.  Që nga viti 1979, Albert Verria mban titullin “Artist i Popullit”.

Asnjëherë nuk e ndau dashurinë mes kinemasë dhe teatrit: “Teatri të jep kënaqësi se je në kontakt me spektatorin. Ndien buzëqeshjen e tyre, frymëmarrjen, emocioni është i drejtpërdrejtë. Ndërsa kinematografia të jep popullaritet. Filmi transmetohet dhe ritransmetohet disa here”, kujtonte Albert Verria.  

Nga viti 1963 dhe deri në 1991, kur doli në pension, Artisti i Popullit Albert Verria ka luajtur në 110 role të ndryshme në teatër, variete, seriale të ndryshme televizive dhe në kinematografi, pa lënë mënjanë edhe rolin si regjizor në disa shfaqje të ndryshme. Rolet e Vehipit tek “Familja e peshkatarit” në 1963, të fajdexhiut tek drama “Rrenjët” e Kujtim Spahivoglit në 1969, Halil Shkoza tek “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit, etj, janë nisjet e para të roleve, që përvijuan Albert Verrinë si aktor i përmasave të mëdha, që shumë shpejt u pranua dhe u afirmua nga publiku.

Ishte vetëm 32 vjec në vitin 1972 kur interpretoi rolin e kapedanit Sulo tek filmi “Kapedani”, që e vendosi në rreshtin e parë të artistëve të mëdhenj shqiptarë. Me rolet e tjerë si “Hiluku” tek Operacion Zjarri” [1973], “Soll Lili” tek  “Agimet e stinës së madhe”, Kaporal Pelegrini tek “Në fillim të verës” -1975, Nuri Beu tek “Koncert në vitin 1936”-1978, Kopi tek filmi “Rrethimi I vogël”-196, etj, janë të tjerë role, që e bëjnë të njohur në mbarë trevat shqipfolëse artistin e Popullit Albert Verria.  

Numurohen mbi 20 filma ku ai luajti role, që sot mbahen mënd, qoftë dhe për një batutë të vetme, sepse Albert Verria dinte t’i futej në lëkurë cdo roli për ta bërë madhëeshtor dhe të paharrueshëm nga shikuesit.

Për artistin e madh, Albert Verria pensioni nuk ishte asgjë, sepse moshën e kishte sfiduar me gjallërinë dhe pasionet, aq të shumta dhe jo vetëm për artin skenik. Gjithë filozofinë e jetës, fenomentët e saj, shfaqjet e sjelljeve, prej të cilave gjenden burimet e të mirës dhe të keqes, Albert Verria ju dha jetë në disa libra filozofikë dhe gati mitikë. Në vitet e fundit ja doli të botojë dhe promovojë disa libra si “Rrëfim paradoksal”, “Deshifrimi”, “Misteri” dhe “Deri kur”, ndërsa i mbetën, për mungesë financimi, ende të pabotuar librat e tjerë si “Homosapiens dhe i padukshmi”, “Universi, koha, materia”, “Fundi i pashmangshëm”.

Para pak vitesh, hapi ekspozitën me 62 fotografi të roleve, personazhet e interpretuar prej këtij mjeshtri të madh të aktrimit. Të gjitha personazhet i mblodhi në një biografi artistike, fiksuar në celuloid si një rrugëtim fotofilm me rolet. Në 62 fotografi me përmasa të mëdha kalojnë rolet e paharruar të “Xha Sulos” te filmi “Kapedani”, Soll Lili tek “Agimet e stinës së madhe”, Hiluku” tek “Operacioni zjarri”, etj, etj. “Arsyeja kryesore që më shtyu të hap këtë fotoekspozitë, nuk është vetëm që të ekspozoja krijimtarinë time, por nëpërmjet këtyre fotove t’u kujtoj artëdashësve shqiptarë, kudo ku janë, filmat ku kemi luajtur dhe vazhdojmë të luajmë sot e kësaj dite”, shprehej në përurimin e parë të ekspozitës tek Galeria “Zenit” në Tiranë vite më parë Albert Verria. E hapi ekspozitën si një homazh artistëve të mëdhenj të skenës dhe artit shqiptar, që nuk jetojnë më, si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Ndrek Luca, Naim Frashëri, Kujtim Spahivogli, Violeta Manushi, etj, me të cilët luajti në filma të ndryshëm. 

Jetoi një jetë plot dashuri për artin, ku asnjë rrethanë e fatit nuk ia ndryshoi drejtimin e “shkruar” të tij: të bëhej një aktor i madh i teatrit dhe kinemasë shqiptare.    

Para pak muajsh Albert Verrisë i erdhi propozimi i fundit për të luajtur në një film ndërkombëtar me një rol në filmin “Contromano”, skenarist dhe regjisor Andamion Murataj, fitues i “Ariut të Argjendtë” për Skenarin më të Mirë me filmin “Falja e Gjakut”, me Gary Keith Griffin drejtor fotografie i nderuar me çmimet më të rëndësishme të kinemasë, deri fitues i çmimit Oscar 1992. Personazhi që do të luante ishte një 80 vjeçar, një rol me shumë karakter, i vështirë dhe me domethënie të madhe, pasi filmi bazohet në temën e hapjes së dosjeve. Filmi fitues në Projektin “Memoria” mes 60 projekteve të propozuara, mbështetet nga “Pulia Film Comission” në Itali.

Por nuk mundi të realizonte rolin e tij të fundit, që e kishte shumë qejf për shkak të sëmundjes së rëndë, që e mbajti gjatë në spitalet e Tiranës.

Për plot 52 vjet, Artisti i Popullit Albert Verria jetoi në Vlorë, ku krijoi familjen me dy djem dhe karrierën e tij artistike. E donte deri në fund Vlorën, ndaj dhe  shprehej përherë: “Megjithëse jam nga Myzeqeja, kam marrë shumë nga Vlora. Kam marrë atë që vlonjatët bëjnë shumë për njëri- tjetrin. Janë të besës, të fjalës, krenarë, që i përkasin qytetit ku është ngritur flamuri. Vlonjatët i duan dhe i respektojnë artistët e tyre. Gjithë shpirtin tim të përkushtimit ndaj artit, e kam për ta nderuar këtë spektator, që pret biletën për të më parë dhe që dua t’ua shpërblej vetëm me lojë të mrekullueshme”.

“Të largohesh nga kjo botë është njerëzore, të largohesh me dinjitet është hyjnore", shkruan në një nga librat e tij ikona e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Artisti i Popullit Albert Verria. Kështu jetoi, kështu dhe po ikën sot nga ne...


Filmat dhe rolet e luajtur ndër vite nga Artisti i Popullit Albert Verria.


Historiani dhe kameleonët (1988), Historiani
Trapi i Vjetër (2005), komedi
Misioni përtej detit - (1988)
Në emër të lirisë - (1987)
Rrethimi i vogël - (1986), shoku Kopi
Melodi e pandërprerë - (1985) bariu
Ditë të qytetit tim - (1982) (TV)
Agimet e stinës së madhe (1981), Soll Lili
Dëshmorët e monumenteve (1980), Tasi
Përtej mureve të gurta - (1979), babai i Asimes
Koncert në vitin 1936 - (1978), Nuri Beu
Nga mesi i errësirës - (1978) , Ibishi
I treti - (1978), Saliu
Thirrja - (1976), Lec Kabashi
Në fillim të verës - (1975) , Kaporal Pelegrini
Shtigje të luftës - (1974), Jani Ferra
Shpërthimi - (1974) xha Kasemi
Brazdat - (1973), babai Ademit
Operacioni zjarri - (1973), Hiluku
Kapedani - (1972), xha Sulo
Kur zbardhi një ditë - (1971), Bakalli
I teti në bronz - (1970), Alo
Përse bie kjo daulle - (1969), i dehuri


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama