Ndahet nga jeta aktori Fatos Sela

Ndahet nga jeta aktori Fatos Sela

Mbrëmjen e djeshme është ndarë nga jeta në moshën 65-vjeçare aktori i skenës dhe ekranit, me një karrierë të pasur artistike, Fatos Sela. Ai vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Fatos Sela ka interpretuar në shumë vepra të njohura të dramaturgjisë kombëtarë dhe botërore. Për herë të fundit ai u ngjit në skenë vitin e kaluar, në dramën psikologjike “Amadeus”, me regji të Altin Bashës. Rolin kryesor në këtë pjesë e interpretoi aktori Fatos Sela (Salieri). Salieri ishte dhe sfida ndaj skenës për aktorin e madh. Fatos Sela u lind në Tiranë më 1948. Ka kryer studimet e larta në Akademinë e Arteve Tiranë, ku është diplomuar si aktor. Karrierën e ka nisur si regjisor në RTSh (1972-1975).

 

Nga viti 1975-1995 punoi si aktor e regjisor në Teatrin “Bylis” të Fierit. Ndër rolet më të spikatura të kësaj periudhe janë Avni Rustemi te “Dy krisma në Paris”, “Zoti godet me putër”, “Kush e vrau Kastinën”, “Shtrigat e Salemit”, “Një letër e humbur” “Gjëmimi i atij dimri”, “Balade për një grua”, “Fytyra e dyte”, Dashuria me fantazmën”, “E bukura shtëpi e vjetër”, “Plumba dhe shkronja”, “Dorina” etj. Emërohet aktor i Teatrit Kombëtar në vitin 1995, ku vazhdoi deri më sot. Ndër interpretimet e kësaj periudhe veçojmë rolet kryesore në dramat “Armiku i Popullit”, “Xhaxha Vanja”, “Portreti i Dorian Grej”, “Pulëbardha”, “Streha e të harruarve”, “Tiranosauri”, “Anonimi i Venedikut”, “Magjia e madhe”, “Pamje nga ura”, “Franku V”, “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, Salieri tek “Amadeus”, “Shtrigat e Salemit”, “Henri VI”, si dhe rolin e fundit ku mishëroi shtetarin e parë shqiptar Ismail Qemali te drama “Ëndrra e Ismail Qemalit” etj. Interpretimi i tij është vlerësuar me diploma e çmime republike. Mban titullin “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama