Ndahet nga jeta kreu i Partise Komuniste Hysni Milloshi.

Ndahet nga jeta kreu i Partise Komuniste, Hysni Milloshi.
Mësohet se Milloshi ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Sanatoriumin e Tiranës, ku gjendej i shtruar për shkak të fibrozës pulmonare, nga e cila vuante prej kohësh. Hysni Milloshi është themeluesi i Partisë Komuniste të riorganizuar. Ai kandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës  nën siglën e PK-së, në zgjedhjet e 8 majit 2011, krahas Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Milloshi mori mbi 1300 vota.

Një biografi e shkurtër

Hysni Milloshi lindi më 1948, në Macukull të Matit. Pas shkollës 8-vjeçare në vendlindje studioi në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Pas diplomimit si oficer gjitharmësh, punon si sekretar i Komitetit të Rinisë në Korpusin e Shkodrës ku fillon studimet me korrespondence në “Luigj Gurakuqi”. Më pas dërgohet nga Ministria e Mbrojtjes për studime në Universitetin e Tiranës, ku kreu Fakultetin e Shkencave Juridiko-Politike. Për disa kohë drejtoi si kryeredaktor edhe gazetën “Studenti”. Ka punuar si gazetar dhe drejtues në organet e shtypit ushtarak, si dhe ka botuar shumë libra në prozë, poezi dhe dramë. Më 10 shtator 1991 drejton riorganizimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe zgjidhet kryetar i saj. Me daljen e PKSH-së jashtë ligjit arrestohet, por lihet shpejt i lirë dhe ndiqet nga regjimi. Udhëheq Partinë Komuniste në ilegalitet, merret me publicistikë politike, jep shumë intervista brenda vendit e në gazeta prestigjioze të botës. Në Kongresin e 11-të të PKSH-së, më 4 Qershor 1995 dhe në të 12-in, më 7-8 Nëntor 1998, rizgjidhet në krye të Partisë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama