Ndahet nga jeta poetja e famshme amerikane Maya Angelou

Ndahet nga jeta poetja e famshme amerikane Maya Angelou

Poetja dhe shkrimtarja me famë botërore, Maya Angelou, është ndarë nga jeta këtë mëngjes, në Karolinën e Veriut. Ajo ishte 86 vjeçe. “Maya ka qenë shumë e brishtë dhe kishte probleme me zemrën, por ishte përqendruar në përfundimin e një libri të ri,” tha agjentja e saj Helen Brann. Së fundmi ajo ka anuluar disa evente, ku do të nderohej me çmime të larta, për arsye shëndetësore. Ajo jetoi si një mësuese, aktiviste, artiste dhe qenie njerëzore. Ishte luftëtare për barazi, tolerancë dhe paqe. Poezitë e saj, janë përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe njihen për notat e besimit, fortësisë së karakterit dhe për dashurinë, që i ka shkruar sipas mënyrës së saj të veçantë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 



    Përsëri ngrihem
    nga Maya Angelou

    Mund të më përshkruash në histori
    Me gënjeshtrat e tua të hidhura dhe të shtrembëruara
    Mund të më zhysësh në baltë,
    Por përsëri, ashtu si pluhuri, do të ngrihem!

    A të mërzit paturpësia ime?
    Përse je rrethuar nga errësira?
    Ngaqë unë eci sikur kam puset e naftës
    Që më pompojnë në kuzhinë.

    Ashtu si hënat dhe diejt
    Me sigurinë e baticave,
    Ashtu si shpresat gufojnë lart,
    Përsëri do të ngrihem!

    Do të më shohësh të mundur?
    Kokëpërkulur dhe me sy përdhe?
    Me shpatullat që varen porsi lot,
    Të dobësuara si klithmat e ndjeshme…

    A të skandalizon arroganca ime?
    A nuk të duket e tmerrshme
    Që unë qesh sikur kam miniera ari
    Në kopshtin e shtëpisë?

    Mund të më qëllosh me fjalët e tua,
    Mund të më copëtosh me sytë e mprehtë,
    Mund të më vrasësh me urrejtje,
    Por përsëri, ashtu sikurse ajri, do të ngrihem.

    Të mërzit seksualiteti im?
    Të befason fakti
    Që kërcej sikur të kem diamante
    Në vendin ku takohen kofshët e mia?

    Nga kasollet e turpit të historisë,
    Unë ngrihem!
    Mbi një të kaluar që është rrënjosur në dhembje,
    Unë ngrihem!
    Jam një oqean i zi, që kërcen e shtrihet gjerë,
    Gufim dhe ënjtje mbaj në valë
    Duke lënë pas netët e tmerrit dhe frikës,
    Unë ngrihem!

    Në agimin që është mrekullisht i pastër,
    Unë ngrihem!
    Duke sjellë dhuratat që paraardhësit më dhanë,
    Unë jam ëndrra dhe shpresa e skllavit!
    Unë Ngrihem!
    Unë Ngrihem!
    Unë Ngrihem!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama