Ndahet nga jeta regjisori Ibrahim Mucaj

Ndahet nga jeta regjisori Ibrahim Muçaj
U nda nga jeta në moshën 65-vjeçare, regjisori i njohur Ibrahim Muçaj. Një infarkt në zemër i mori në mënyrë të papritur kinematografisë shqiptare, një nga emrat më të shquar të saj. Ibrahim Muçaj ishte një nga regjisorët më prodhimtarë shqiptarë, skenarist e pedagog në Akademinë e Arteve. Firmën e tij mbajnë një seri filmash, që renditen në fondin e artë të kinemasë shqiptare. Muçaj lindi më 8 dhjetor të vitit 1944, në Vlorë. Pasioni për kinematografinë u shfaq qysh herët tek ai. Në moshë fare të re, ai ka realizuar filma mjaft të suksesshëm, duke bashkëpunuar me emrat më të mirë të aktrimit shqiptar, si “Tokë e përgjakur” (1976),

“Dimri i fundit” (1976), “Nusja dhe shtetrrethimi” (1978), Liri a vdekje (1979), etj. Gjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar ngushtë me regjisorin Kristaq Mitro, me të cilin ka realizuar një numër të madh filmash. Të tjerë filma që mbajnë firmën e Muçajt janë “Dëshpërimisht”(2000), “Një djalë edhe një vajzë”(1990), “Telefoni i një mëngjesi” (1987), “Duaje emrin tënd” (1984), “Apasionata”, “Njeriu i mirë” (1982), “Në prag të lirisë” (1981). Gjithashtu është autor i një sërë dokumentarësh. Gjatë karrierës së tij ka shërbyer edhe në funksione të larta si drejtor i “AlbaFilm Studio”, drejtues Projektesh në Qendrën Kombëtare Kinematografike Shqiptare, një kontribut të çmuar ka dhënë edhe në fushën e mësimdhënies, si pedagog në degën e regjisë skenike, pranë akademisë së Arteve. Vdekja e parakohshme, i la disa projekte përgjysmë.

Në prillin e vitit 2008 Qendra Kombëtare Kinematografike miratoi projektin “Fundi i një iluzioni”, të cilin po e realizonte, së bashku me të birin, Irvin Muçaj. Miqtë dhe të gjithë ata që kanë adhuruar artin e tij, mund t’i japin lamtumirën e fundit, regjisorit, sot në orën 12:30 në ambientet e Teatrit Kombëtar. Përcjellja për në banesën e fundit do të zhvillohet në orën 14:00.

Marre nga : Gazeta Panorama

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama