Talenti i saj u dallua qartazi mes të tjerëve dhe sopranoja Nina Mula, do të emërohej soliste pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, ku punoi deri në daljen e saj në pension në vitin 1976. Vetëm gjashtë muaj pasi kishte ardhur në TKOB, Ninës iu besua roli i Jolantës në veprën me të njëjtin titull të Çajkovskit. Një shfaqje kjo që e afirmoi duke marrë më pas shumë kryerole deri në mesin e viteve ’70. Në vitin 1958, me partner bashkëshortin, Nina Mula interpretoi rolin e Rozinës në operën “Berberi i Seviljes” me pas interpretoi në “Pranverën” e Tish Daisë.
Rolet e saj që nuk do të harohen në opera janë “Evgeni Onjegini” , “Madam Batërflaj”, “Dasma e Figaros” e më pas, i trokiti fati të luante pikërisht në operën “Karmen”. Pak vite më vonë pati rolin e Mrikës në veprën me të njëjtin titull të Jakovës dhe atë të Donikës në premierën e operës “Skënderbeu”.
Një muaj më parë, me rastin e 80-vjetorit të saj, Teatri Kombetar i Operas dhe Baletit organizoi një ceremoni festive të mbushur me kujtime dhe interpretime të disa prej roleve të saj. Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, si Urdhrin “Naim Frashëri të klasit të II”, titullin “Artiste e Merituar”, Çmimin e Parë në Festivalin e Romancës si dhe titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.
Topi: Skena shqiptare humbi një artiste të madhe
Presidenti i Republikës, Bamir Topi i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes Mula, për ndarjen nga jeta të sopranos, artistes së mirënjohur shqiptare, Nina Mula.
"Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të njeriut tuaj të dashur dhe në këto momente të vështira dhimbjeje, ju lutem të pranoni ngushëllimet e mia të thella dhe shprehjen më të sinqertë e të ndjerë të mbështetjes dhe mirëkuptimit njerëzor", thuhet në mesazhin e presidentit.
"Bashkë me humbjen tuaj shpirtërore, skena shqiptare dhe arti operistik shqiptar humbën sopranon e talentuar dhe të shquar ndër vite për origjinalitetin dhe temperamentin artistik, por edhe një njeri tepër të dashur, të drejtpërdrejtë e të sinqertë. Në panteonin e personaliteteve me një kontribut të jashtëzakonshëm për artin shqiptar, Nina Mula do të mbetet e skalitur si një grua fisnike, e cila me veçoritë e jashtëzakonshme vokale, me sharmin dhe individualitetin artistik dhe me përkushtimin ndaj profesionit, bëri për vete zemrat e publikut shqiptar, si soliste e Teatrit të Operës dhe Baletit, por dhe si një pedagoge e shumë brezave artistësh të skenës operistike. Kujtimi i ndritur i Nina Mulës do të ruhet i tillë përgjithnjë në zemrat e të afërmve, të miqve, kolegëve e bashkëpunëtorëve, si dhe të mbarë publikut artdashës, të cilit ajo, gjatë gjithë jetës së saj, i dhuroi shpirtin”, shkruhet në mesazhin e Presidentit Topi.
Topalli: Shqipëria humbi një artistë të rrallë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistes së madhe Nina Mula.
"Sot, e gjithë Shqipëria humbi muzën e "Valsit të lumturisë", artisten e madhe me të cilën është krenuar dhe do të krenohet gjithnjë. Arti shqiptar humbi sopranon me një zë të rrallë. Zëri i saj heshti sot, por ky zë mbetet i pavdekshëm sepse Nina do të mbahet mend përjetë me admirim, si artistja me gjak rus, që e deshi aq shumë Shqipërinë e shqiptarët, dashuri të cilën e përcolli me aq emocion, pëmes vokalit të saj të mrekullueshëm.Nina u nda sot nga ne, por la pas një pasuri të madhe muzikore, unike siç ishte ajo vetë.
Në këto çaste trishtimi, më lejoni të ndaj bashkë me ju dhimbjen për humbjen e njeriut tuaj të dashur, duke iu lutur Zotit që shpirti i saj të prehet në paqe", thuhet në mesazhin e Topallit.