Zekerija Ramadani e cilëson shumë të vështirë ndeshjen e sotme me Laçin. Në daljen e djeshme para mediave, kreu i pankinës vlonjate ka preferuar që të fliste shumë shkurt dhe të mos bënte shumë komente dhe të mos futej në hollësi dhe detaje. Trajneri shqiptar nga Maqedonia, Zekerija Ramadani, është shprehur se Flamurtari i tij do të bëjë maksimumin në Laç. Nga ajo çfarë u tha, por duke parë edhe vështirësitë e kësaj ndeshjeje, Ramadani duket se është i kënaqur edhe me barazimin.
Edhe një pikë ka shumë vlerë për vlonjatët në ndeshjen e sotme. "Ndeshja me Laçin është shumë e vështirë, por ne do të bëjmë më të mirën dhe shkojmë me besim në këtë takim. Sfida do të jetë e vështirë dhe ne do synojmë që të dalim sa më mirë nga kjo ndeshje. Nuk mund të flas për rezultatin, por do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të bëjmë më të mirën dhe për të marrë maksimumin", tha Ramadani.
Kundërshtari
Trajneri foli shkurtimisht edhe për kundërshtarin, të cilin e vlerësoi, por besimin më të madh e ka te grupi i tij. "Shkojmë në Laç për të bërë lojën tonë dhe për të respektuar kundërshtarin. Laçi është një ekip që ka bërë mirë dhe duhet marrë në konsideratë, prandaj duhet të bëjmë kujdes. Në ekip kam lojtarë profesionistë dhe me cilësi, që dinë të japin më të mirën e tyre", theksoi trajneri.
E ardhmja
Zekerija Ramadani thekson se çdo ndeshje është si finale për Flamurtarin, ndaj nuk duhet të bëhen hapa falsë. "Çdo ndeshje deri në fund është si finale për ne. Objektivi ynë madhor është qëndrimi në Superiore, prandaj në çdo ndeshje duhet të bëjmë më të mirën. Çdo takim është i vështirë për ne, por me këmbëngulje dhe me përqendrim maksimal, duhet të arrijmë objektivin tonë", u shpreh Ramadani. Grumbullimi - Dikur urreheshin, ndërsa sot dashurohen. Një dashuri e re, duket se ka lindur në aksin Vlorë-Korçë. Flamurtari është akomoduar dje në ambientet e resorit "Tropikal" në Durrës. Kuqezinjtë kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në "shtëpinë" e Skënderbeut, një ditë para ndeshjes me Laçin. Nuk është hera e parë që Flamurtari akomodohet në Durrës. Për ta mbajtur sa më në tonus ekipin, si dhe për të marrë një rezultat pozitiv, drejtuesit kanë zgjedhur Durrësin dhe pikërisht vendin ku akomodohet Skënderbeu.
Përgatiti: ERMAL SIKA