“Postbllok”, një projekt i iniciuar nga Bashkia e Tiranës dhe i ideuar nga publicisti Fatos Lubonja dhe artisti Ardian Isufi u përurua dje nga kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kryebashkiaku Lulëzim Basha, ambasadorja gjermane, Carola Müller-Holtkemper dhe dy realizuesit, Fatos Lubonja e Adrian Isufi. I konceptuar si një instalacion, memoriali është realizuar nga tri objekte autentike që prezantohen në formë artefakti, ku secila prej tyre është një rrëfenjë. Rrëfenja e parë: Fragment i Murit të Berlinit, dhuratë për popullin shqiptar nga qyteti i Berlinit. Muri u ndërtua më 1961, duke u bërë simbol i izolimit të botës komuniste.
U shkatërrua më 1990-ën. Rrëfenja e dytë: Bunkeri me matrikull “TR III 1976 I”, që ruante hyrjen kryesore të zonës së banimit të quajtur Blloku, ku ka jetuar i veçuar diktatori Enver Hoxha dhe nomenklatura më e lartë komuniste nga viti 1945 deri më 1991, dhe Rrëfenja e tretë: Trupa betoni të nxjerrë nga galeritë e minierës së kampit famëkeq të Spaçit, vend pune i detyruar për të burgosurit politikë nga viti 1968 deri më 1990. Të tria këto objekte bashkë përbëjnë atë që ideatorët e kanë titulluar ‘Memoriali i izolimit komunist’, i vendosur jo pa qëllim në hyrje të zonës së ish-Bllokut, edhe ajo simbol i izolimit të një populli.
Fatos Lubonja
E vetmja gjë që unë mund të them këtu në këtë moment është një lloj dedikimi nga ana ime, për të gjithë ata që nuk arritëm dot, që sot i kujtojmë, që do i kujtojmë nëpërmjet këtyre e shpresojmë edhe veprave të tjera. Do i kujtojmë si njerëz që nuk mundën dot ta kapërcejnë kohën e diktaturës dhe ta jetojnë këtë kohë. Një pjesë prej tyre ndoshta ishin më të mirët.
Ardian Isufi
Së bashku me Lubonjën, kemi qenë shumë të interesuar që të ndërhynim në këtë zonë specifike që ka lidhje me një bunker, i cili mund të jetë një metaforë dhe një simbol i rëndësishëm për të na folur për diktaturën dhe për kohën e regjimit dhe gjithashtu na është dukur shumë integrues momenti kur do të integronim edhe Murin e Berlinit dhe galerinë e Spaçit…
Kryeministri Berisha
Shqipëria, në tragjedinë e saj, shndërroi pothuajse të gjitha pasuritë që krijonte në qindra e mijëra bunkerë, të cilët po t’i kthesh në blloqe të piramidave, ndoshta do të ndërtonin dy herë piramidat e faraonëve. Ky ishte njëri aspekt i tmerrshëm i bunkerit dhe bunkerizimit. Aspekti tjetër, tmerrësisht tragjik, ishte uria kronike, në të cilën kombi u zhyt në bunkerin e tij.
Kryeparlamentarja Topalli
Për mua personalisht, elementi i tretë është më prekësi, më i dhimbshmi, ndoshta e kam edhe pak më personale; Spaçi, Aushvici shqiptar. Spaçi është emri që e kam dëgjuar që kur isha e vogël, aty ku familjarët e mi, ashtu si qytetarë të qytetit tim, ashtu si shumë qytetarë të tjerë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë torturoheshin në mënyrën më barbare.
Ambasadorja gjermane Holtekemper
Është pjesë e karakterit të njeriut, që gjërat e zakonshme apo të shëmtuara të përpiqet t’i ndrydhë apo edhe t’i harrojë, ndaj në kontekstin e së shkuarës komuniste e socialiste bëhet edhe më i rëndësishëm trajtimi i ngjarjeve të së shkuarës.
Kryebashkiaku Basha
Është e domosdoshme kjo, veçanërisht për brezin e ri, qindra e mijëra prej të cilëve këtu në Tiranë e kalojnë periudhën e tyre të lirë të ditës apo fundjavat në këtë zonë të njohur si Blloku, por pa ditur saktësisht se çfarë simbolizonte dhe çfarë projektonte në zemrat dhe mendjen kolektive të shqiptarëve për vite e vite me radhë.