Drejtuesit e furgonëve kanë nisur sot ditën e tetë të protestës, pasi është ndaluar transporti me këto mjete. Protesta e drejtuesve të furgonëve 8+1 është shtrirë në Fier, Burrel e Korçë ku drejtuesit shprehen tepër të indinjuar me vendimin drastik që përfshin paketa e re e masave mbi sigurinë rrugore, që parashikon ndalimin transportit të udhëtarëve me furgonë.
Shoferët në Korçë shprehen të vendosur për të vijuar protestat, duke i përshkallëzuar ato deri në bllokimin e rrugëve. Edhe shoferët e furgonëve në Burrel paralajmërojnë se, do të bllokojnë rrugën e Kombit nëse nuk tërhiqet vendimi për bllokimin furgonëve.
Nga ana tjetër edhe udhëtarët shprehin pakënaqësi për bllokimin e furgonëve. Udhëtarët që lëvizin për në Korçë ditën e sotme janë shprehur të indinjuar, pasi nuk ka mjete për të lëvizur dhe duhet të presin orën 08:00, për udhëtuar me autobus. Një pjesë e tyre, për shkak të punëve të ndryshme që kanë, janë detyruar të marrin taksi. Por, udhëtimi me taksi deri në qytetin e Korçës, është mjaft i kushtueshëm shprehen qytetarët. “Kishim një rast vdekje, u detyruam të merrnim taksi. Për të udhëtuar me autobus duhen 8 orë”,- shprehen udhëtarët.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dje reagoi përmes një deklarate për mediat lidhur me aksionin për bllokimin e furgonëve, apo siç njihen ndryshe automjeteve taksi (8+1).
Në njoftimin për mediat, ministria sqaron edhe arsyet e ndërmarrjes së këtij aksioni. Sipas ministrisë, qeveria synon që të rrisë standardet e sigurisë rrugore për qytetarët. Nisur nga numri i madh i aksidenteve, qeveria ka vendosur që t’i japë fund mjeteve të transportit të palicencuara dhe që drejtohet nga drejtues të pacertifikuar.
Gjithashtu, qeveria synon që të t’i japë fund konkurrencës së pandershme në transportin ndërurban dhe dëmtimin e dhjetëra operatorëve të licencuar për të kryer këto shërbime. Ministria thekson se aksioni bëhet në kuadër të modernizimit të transportit ndërurban, përmes krijimit të kushteve të parashikuara edhe nga ligji për transportet.