Ndarja e re e territorit sot ligji ne Kuvend

Ndarja e re e territorit, sot ligji ne Kuvend

Në orën 12.00 pritet që të mblidhet sot Konferenca e Kryetarëve për të diskutuar rreth axhendës së Kuvendit. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se, pritet që të diskutohet ngritja e Komisionit parlamentar që do të merret me reformën territoriale. Sipas draftit të mbërritur në Kuvend dhe që pritet të miratohet shumë shpejt, brenda 15 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, për mbikëqyrjen e procesit të ndarjes administrativo- territoriale, Kuvendi krijon një Komision të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo- Territoriale, me bashkëkryesim të përfaqësuesit të mazhorancës dhe opozitës parlamentare.

 

Një tjetër pikë e nxehtë që pritet që të ndezë debatet në Kuvend është edhe votimi i dy kandidaturave për në Gjykatën e Lartë të dekretuar nga Presidenti Bujar Nishani, Petrit Çeno dhe Gjovalin Përnoca. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, do të paralajmëronte rrëzimin e kandidaturave Petrit Çeno dhe Gjovalin Përnoca duke i cilësuara ato politike. “Është emergjencë kombëtare, të kthyer në një pazar klientelist, pazare të ulëta dhe klientelizëm politik, për shkak se hallka kryesore, Presidenti i Republikës, është një lojtar partiak, që po bën vetëm një detyrë, të krijojë celula militante brenda sistemit.

 

Ai po përpiqet ta provokojë këtë mazhorancë kur bëri qokën e radhës presidenciale me një proces konsultimi fals, fiktiv dhe propozoi në këto dy vende jo dy juristë, gjyqtarë me karrierë të spikatur në fushën e të drejtës administrative”, do të shprehej Fatmir Xhafaj. Sipas deputetit socialist, emërimet e kryera gjatë kohës që të djathtët kishin shumicën, nuk plotësojnë as kriteret më minimale për të qenë gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama