Një vit më parë, etnomuzikologu ishte përzgjedhur me vendim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si komisioner në përgatitjen e Festivalit Folklorik Kombëtar "Gjirokastër 2009". Gjatë kësaj periudhe, ai së bashku me 20 specialistë të tjerë kanë përzgjedhur në çdo qark repertorin më të pasur folklorik, sipas kritereve të paracaktuara për realizimin e festivalit. Xhihan Xhihani lindi në qytetin e Tepelenës, në vitin 1942. Ai u rrit dhe u mëkua me këngët popullore me të cilat u lidh ngushtë, deri në momentin kur u nda nga jeta. Mbasi mbaroi shkollën 7-vjeçare në qytetin e lindjes, ndoqi arsimin e mesëm në liceun artistik "Jordan Misja". Kreu studimet e larta muzikore pranë Institutit të Lartë të Arteve për muzikologji. Me mbarimin e studimeve punoi për një periudhë të shkurtër në Rrethin e Tepelenës si drejtues i institucioneve kulturore. Më vonë ai transferohet në Tiranë dhe punon në shkollën e mesme artistike. Kontributi i tij është i madh, sidomos sa u përket botimeve muzikore dhe metodikave në ndihmë të jetës artistike të vendit. Pas viteve ‘90 e deri sa doli në pension, vazhdoi në Qendrën Kulturore të Veprimtarive Folklorike si metodist i muzikës. Ndihmoi për orientimin dhe organizimin e veprimtarive folklorike në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar. Xhihani udhëhoqi shumë veprimtari folklorike që përfaqësuan vendin në Europë e më gjerë. Ai u lind mes këngëve popullore të vendit të tij, u rrit me to e u nda nga jeta midis folklorit që e donte aq shumë.
En.Se. : Gazeta Shqip