Ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, në moshën 49-vjeçare, ish-zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Sipas informacioneve të fundit, zoti Poni ka ndërruar jetë të shtunën në një lokal të qytetit të Prizrenit, në Kosovë, si pasojë e një ataku kardiak. Pas largimit të PD nga pushteti më 23 qershor, zoti Poni ishte kryetar i grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës.
Jetëshkrimi
Ferdinand Poni lindi në Berat më 16 mars të vitit 1965. Ai është diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dhe më pas në Fakultetin e Drejtësisë. Prej vitit 1999 e në vazhdim, ai ka qenë funksionar pranë selisë qendrore të PD-së dhe ka mbajtur një sërë funksionesh.
Në periudhën 1993-‘95 ka qenë ndihmës i Kryeministrit për pushtetin lokal. 1995-1997, Drejtor i Përgjithshëm i Pushtetit Lokal në Ministrinë e Brendshme. Njihet si hartues i shumë punimeve në fushën e autonomisë lokale, institucioneve demokratike dhe zgjedhjeve, si bashkëhartues në një sërë ligjesh të rëndësishme. Në 2005 u emërua zv/ministër i Brendshëm, pozicion të cilin e mbajti deri në vitin 2013. Deri para vdekjes ai ka mbajtur postin e kreut të Këshilltarëve të PD-së në Bashkinë e Tiranës.