Dëme të pallogaritshme janë shkaktuar në zonat e mbrojtura të vendit tonë; përfshi liqenet; pyjet; por edhe monumentet kulturore dhe kalatë. Këto objekte të trashëgimisë kulturore janë prekur nga ndërtime të paligjshme, liqenet janë ndotur; ndërsa pyjet janë prerë pa kriter. Për të ndalur këtë fenomen Ministria e Mjedisit ka nisur një monitorim të rreptë në të gjitha zonat e mbrojtura të vendit tonë.
Masat e Ministrisë
Zv/ministrja e Mjedisit, Diana Bejko, tha dje në media se inspektorët e mjedisit, do të ndëshkojnë të gjithë personat që ushtrojnë aktivitete të paligjshme, në pyje, parqe e liqene, pasi janë konstatuar dëme të jashtëzakonshme të florës dhe faunës në shumë zona të vendit. Zv/ministrja shtoi se puna sapo ka nisur me identifikimin e të gjitha zonave të cilat janë dëmtuar nga dora e njeriut, por edhe pastrimin e tyre nga ndërtimet e paligjshme.
Ndërtimet e paligjshme
“Ne jemi në fazën e identifikimit të ndërtimeve të paligjshme. Shkatërrimet janë ndërprerë për faktin se ne kemi ngritur një taks-force për të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe specifike e Ministrisë së Mjedisit është prezenca në taks-forcës për ruajtjen e zonave të mbrojtura”, tha Bejko, ndërsa shtoi se një nga zonat e mbrojtura është edhe Liqeni i Shkodrës, ku për vite me radhë nuk iu ka shpëtuar aktiviteteve të paligjshme. Shumë shpejt në këtë zonë thotë ajo do të fillojë të zbatohet një projekt-monitorim për cilësinë e ujit, gjendjen e liqenit, në bashkëpunimin edhe me Malin e Zi.
Liqeni i Shkodrës
“Ka pasur aktivitet të paligjshëm siç ka qenë gjuetia e peshkut gjatë periudhave të ndalimit të peshkimit. Ndërsa aktivitetet e paligjshme siç kanë qenë ato të guroreve, në Liqenin e Shkodrës tashmë janë ndërprerë. Ministria e Mjedisit është në fazat e kërkimit dhe negocimit me donatorët ndërkombëtarë për investime të drejtpërdrejta siç është edhe impianti i trajtimit të ujërave të zeza,”u shpreh më tej Bejko. Në të gjithë vendin numërohen rreth 54 zona të mbrojtura. Nga inspektimet e Ministrisë së Mjedisit gjatë muajve të fundit të 2013-ës janë konstatuar me qindra objekte të paligjshme të cilat kanë dëmtuar ndjeshëm parqet kombëtare. Aktualisht sipas të dhënave të Ministrisë, rreth 15% e territorit gëzon statusin e zonave të mbrojtura, ndërkohë që deri në vitin 2020 synohet që sipërfaqja të shkojë në jo më pak se 17%.