Dikur e pagëzuar si “perlë e bregdetit shqiptar”, sot Saranda është një përbindësh betoni që epohet mbi det mes lartësisë e rrëmujës së ndërtesave të larta që kanë pushtuar jo veç truallin, por edhe qiellin. Kjo duket ditën. Natën, në kulmin e sezonit turistik mund të vërehet sesi një nga një fillojnë të ndizen dritëzat në këto ndërtesa. Një këtu e një aty... për të kuptuar se pjesa dërrmuese e masakrës bregdetare është e pabanuar. Përveç ndopak shkëndijave të shpërndara çrregullt, fasadat e ndërtimeve mbeten në terr. Kjo është veç një fabul lokale e asaj që ka ndodhur e po ndodh me një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit. Të paktën deri dje, i rëndësishëm. Kështu është pagëzuar sektori i ndërtimit deri pak vite më parë: “Motor i ekonomisë shqiptare”. Ndoshta ky emërtim kishte kuptim deri diku nga fundi i vitit 2008, kur sakaq kish filluar të ndjehej një farë shtrëngimi në zhvillimin e këtij sektori, ndërsa në vitin 2009, “motori” në fjalë bëri një zbritje të fortë marshesh, duke e ulur ritmin e punës në një gjendje thuajse ndalese të plotë.
Sipas Institutit të Statistikës, në vitin 2009, sektori i ndërtimit ka patur një rritje me vetëm 0.4 për qind, ndërsa një vit më parë, i njëjti tregues rezultonte në nivelin 10.9 për qind. Por, sipas INSTAT, kjo e dhënë duket se nuk e ka prekur shumë peshën që zë ndërtimi në përqindje të PBB-së. Nga viti 2008, kur sektori i ndërtimit zinte 16 për qind të PBB-së së vendit, krahas të gjithë sektorëve të tjerë, në vitin 2009, kjo e dhënë ka zbritur me vetëm 1 për qind, në masën 15.1 për qind, ndërsa nga një vlerësim paraprak i vitit 2010, ndërtimi ka rënë në 11 për qind të PBB-së. Për më tepër, muajt e parë të këtij viti duket se shënojnë një pikë kthese për këtë sektor. Sipas Institutit të Statistikës, aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2011 pati rritje me 4.8 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2010, dhe me 11.8 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2010.
Në vendnumëro?
Trazimet e vitit 2009 rezultojnë vetëm fillimi i një historie të hidhur të sektorit të ndërtimit shqiptar, e cila do të vijonte të shkruhej në muajt pasardhës. Ngërçi i sektorit ka bërë që edhe shitja e apartamenteve të pësojë një goditje të fortë. Ndonëse nuk ekzistojnë të dhëna të hollësishme dhe zyrtare për shpërndarjen e stokut të banesave të pashitura në Shqipëri, e vetmja e dhënë e disponueshme, e cila vjen nga vetë Shoqata e Ndërtuesve flet për një vëllim prej rreth 4000 apartamentesh që nuk po shiten në zonën Tiranë-Durrës. Ndërkaq, nga kjo situatë duket se po vuan edhe industria e lëndëve të para të ndërtimit, nga zhavorri, pllakat, tullat, hidrosanitaret, materiale për instalimet e ndryshme elektrike, hidraulike etj. Eksperti i njohur i ekonomisë, Ilir Hebovia, njëherësh nëndrejtor i Shoqatës së Ndërtuesve, thotë për Revistën “Mapo” se të dhënat nga sektori i lëndëve të para të industrisë së ndërtimit janë një tjetër burim shumë i rëndësishëm informacioni për të kuptuar se çfarë po ndodh me këtë sektor. “Pavarësisht se çfarë thonë të dhënat e INSTAT, nëse të dhënat verifikohen në mënyrë të tërthortë, rënia është evidente, çka provohet edhe nga situata e vështirë në sipërmarrjet e lëndëve të para të sektorit të ndërtimit”, thekson Hebovia.
Ai shpjegon se i duket shumë e vështirë për t’u pranuar se nga një nivel mesatar -20 për qind të regjistruar gjatë viteve të fundit, sektori mund të kërcejë në disa për qind në kahun pozitiv brenda pak muajsh. “Duhet parë më kujdes sesi janë përllogaritur këto të dhëna; ndoshta janë fokusuar te lëndët e para, ku individët vazhdojnë të realizojnë një farë vëllimi blerjesh, por diçka e tillë jo domosdoshmërisht ka të bëjë me sektorin e ndërtimit”, vëren Hebovia. Eksperti shton se nga hulumtimet e kryera nga vetë shoqata në këtë kategori, rezulton se ka një rënie në nivelin 12 deri në 15 për qind në krahasim me vitet e kaluara. “Gjithashtu, edhe të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se ka një rënie të theksuar të mbledhjes së të ardhurave nga ky sektor”, shton përfaqësuesi i sektorit të ndërtimit. Gjithashtu, ai thotë se mungesa e likuiditetit vihet re edhe në faktin se bankat po ofrojnë kushte më të mira huaje për blerje banesash, por megjithatë, aksesi nga individët ka mbetur shumë i kufizuar.
E pur si muove
Problemi në këtë histori është se ngërçi në sektorin e ndërtimit shkakton një reaksion zinxhir, i cili përfshin edhe sektorë në varësi, siç janë bizneset e lëndëve të para, çka në total ndikon edhe punësimin në këta sektorë, kontributin në detyrimet që derdhen në arkën e shtetit, konsumin – në pak fjalë: provokon një valë të fortë goditëse në krejt ekonominë shqiptare. Kjo situatë nuk ndikoi siç mund të pritej në uljen e çmimeve, por vetëm në frenimin e rritjes së tyre. Deri më tash, gjithçka flet për një ndalesë, në shitje, çmime etj., por pavarësisht kësaj situate lejet vazhdojnë të jepen. Sipas INSTAT, nga viti 1996 e deri më sot, janë dhënë rreth 35 mijë leje ndërtimi për objekte të ndryshme, nga të cilat për objekte banimi janë rreth 19500. Por, ndonëse sektori ka qenë në krizë për vitet 2009-2010, lejet e ndërtimit për këto vite janë përkatësisht 1534 dhe 1845. Ndërsa vetëm për zërin banesa, ato rezultojnë 1021 për vitin 2009 dhe 1238 për vitin 2010. Prej këtej, mund të thuhet se ndërtimi i ka ulur ritmet në nivele shumë serioze, por nuk është ndalur tërësisht.
INSTAT raporton se numri i lejeve të ndërtimit të miratuara gjatë tremujorit të parë 2011 është 503 nga të cilat 317 leje janë miratuar për ndërtesa banimi, dhe 186 për ndërtesa të tjera si hotele, ndërtesa tregtare, etj. Krahasuar me tremujorin e parë 2010 ky tregues është rritur 267.1 për qind. Në totalin e vlerës së ndërtimit, ndërtesat zënë 87.9 për qind të vlerës, ndërsa punimet inxhinierike zënë 12 për qind të kësaj vlere. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2010, ndërtimi u paraqit me rritje më të lartë me 11.8 për qind. Por, ndonëse ritmi i rritjes së ndërtimit dhe më specifikisht, ai i shitjes së ndërtesave ka rënë ndjeshëm, jeta vazhdon, përveçse asaj çka thuhet në të dhënat zyrtare, disi edhe në terma reale.
Çfarë ndodhi?
Deri tani renditen tre faktorë kryesorë: Efektet e importuara të krizës ekonomike, rënia e dërgesave të emigrantëve si pasojë e krizës ekonomike; dhe një farë ngopje e tregut. Është e vërtetë se hapat e parë të sektorit të ndërtimit ishin të shëndosha. Sipas Bankës Botërore, mjedisi i qëndrueshëm i krijuar nga kuadri politikave të shëndosha mbështeti një transformim të madh të ekonomisë ku burimet u zhvendosën nga sektori i bujqësisë dhe industrisë së vjetruar në sektorin e ndërtimit dhe atë të shërbimeve. Aq e fortë qe kjo prirje sa deri në vitin 2006, në Shqipëri, struktura e investimeve anonte nga sektori i ndërtimit, dhe vetëm rreth 10 për qind e PBB shkonte për investime në sektorin e prodhimit. Që atëherë, investimet në fusha të tjera jo-ndërtim janë rritur, megjithatë pjesa e investimeve në ndërtim mbetet e lartë.
“Me ngadalësimin e kërkesës për ndërtime banesash, ekziston një potencial i madh që disa nga kursimet që shkojnë aktualisht në ndërtim të drejtohen për në fusha të tjera të prodhimit. Në fakt, kthimi i Shqipërisë në nivelet e larta të rritje së qëndrueshme ekonomike lidhet ngushtësisht me rritjen e investimeve në aktivitetet jo ndërtuese” thuhet në raportin e BB-së. Kjo do të thotë dy gjëra: së pari ekziston një rënie e vërtetë e kërkesës në treg, dhe së dyti, sektori i ndërtimit i vetëm nuk garanton një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në afatin e gjatë. Sipas imobiliares “Colliers International”, segmenti i ndërtimit të qendrave të biznesit në Shqipëri pritet të përballet me ofertë të tepërt dhe projektet në zbatim do ta rrisin ofertën në këtë treg sakaq të ngopur, me 75% brenda pak vitesh.
I njëjti raport i BB, duke cituar Bankën e Shqipërisë, thekson se kredia për sektorin e ndërtimit përbën 20 për qind të numrit total të kredive. Pika tjetër, ajo e rënies së të ardhurave nga emigracioni dhe efekti që ka pasur mbi sektorin e ndërtimit, duket se përligjet në studimin e Bankës Botërore. Në raportin në fjalë thuhet se remitancat janë një faktor shtytës kritik për kërkesën e brendshme të Shqipërisë. Vlerësimet ekonometrike sugjerojnë se për ekonominë (duke përjashtuar bujqësinë) një rënie prej 10 për qind në remitanca do të çonte në një ulje prej 3.6 për qind në kërkesën e brendshme, e përafruar me indeksin e shitjeve. Por cilët janë sektorët më të prekur? “Sektorët më të prekur nga remitancat janë ndërtimi, shërbimet dhe ushqimet, të cilët janë edhe kontribuuesit kryesorë në PBB e Shqipërisë. Mendohet se tkurrja e madhe në ndërtim ka ardhur pjesërisht si rezultat i rënies së prurjeve nga emigrantët që punojnë jashtë vendit”, thuhet në raport.
Tmerri... tmerri...
Të dhëna nga sektori bankar në vend flasin se një masë e konsiderueshme sekuestrosh apartamentesh janë në punë e sipër – situatë që vlen për shumicën e bankave në vend Shkak është rritja e konsiderueshme e huamarrësve që nuk arrijnë të shlyejnë kredinë e marrë në bankë për blerje pasurish të paluajtshme. Në muajt e shkuar operatorët përmbarues kanë bllokuar një sërë ndërtesash e apartamentesh.
Por ndërsa kjo situatë nuk ka pasur ndonjë ndikim të tmerrshëm te sektori bankar, përveç se në statistikat e kredive të këqija dhe në masat që Banka Qendrore mund të marrë si rrjedhojë, tmerri i vërtetë sakaq ka përfshirë firmat e ndërtimit. Si rrjedhojë e situatës së krijuar, të paktën në teori, pronat e sekuestruara do të ishin nxjerrë në shitje me ankand, duke rezultuar në një fluks apartamentesh e pronash të tjera në treg, me çmime potencialisht më të lira nga ato që ofrohen nga vetë firmat e ndërtimit. Por, diçka e tillë nuk ka ndodhur. Agonia vazhdon...
Një problem i madh lidhet me faktin se në sektorin shqiptar të ndërtimit, marrëdhëniet ndërmjet firmave që kryejnë procese të ndryshme në ndërtimin e një pallati, për shembull, nuk kryhen në formën e transaksioneve financiare, por në formë shkëmbimi në natyrë. Kryesisht në dhënie apartamentesh apo në formë përqindjeje nga shitjet. Nëse dy vjet më parë, situata e krijuar në treg ishte kambana e një oguri të keq edhe për këto forma transaksionesh që paraqiten në dukje me rrezik të ulët nga palët e përfshira në biznes, sot drobitja e skajshme e sektorit të ndërtimit dhe e sektorëve kontribuues mund të thotë se mynxyra ka ndodhur. Thjesht nuk ka shpërthyer ende.
Tashmë është folur e stërfolur se situata e tensionuar politike ka pasur ndikimin e saj tejet negativ te konsumi e investimet e publikut dhe biznesit shqiptar. Edhe pse kjo situatë e vështirë për ekonominë shqiptare u pagëzua si “parazgjedhore”, madje edhe thjesht “zgjedhore”, historia mund të mos ketë mbaruar me zgjedhjet. Sektori i ndërtimit nuk bën përjashtim në këtë zamallahi. Në një prononcim të pak kohëve më parë për News 24, Ilir Hebovia, lëshoi një mesazh alarmi. “Si çdo fushatë elektorale ndërtuesit gjenden përballë një presioni të prerjes së shumë shiritave dhe presionet për të marrë pjesë në këto investime por edhe rreziku që likujdimi i këtyre investimeve ndodh shumë më vonë se sa e parashikon ligji. Kompanitë janë të detyruara të marrin pjesë në investime publike, sepse janë investime të sigurta, por nga ana tjetër duke parë edhe buxhetin e shtetit dhe krizën është shumë i madh rreziku dhe frika që këto para të merren më vonë se sa ishin parashikuar, gjë që i vë edhe në vështirësi më të mëdha firmat e ndërtimit të cilave nuk janë likujduar për projektet e para”, vërejti ai.
Sot zgjedhjet kanë përfunduar, dhe rezultati i Tiranës, mori për mirë a për keq një drejtim të caktuar. Por, a kanë mbaruar trazimet e politikës dhe efektet në ekonomi? Përgjigja është “jo tamam”. Ende diskutohet nëse opozita do të hyjë apo jo në parlament, rezultati i Tiranës pretendohet nga e njëjta palë se është manipuluar dhe termat e dashur të ndërkombëtarëve si “kompromis”, “marrëveshje”, e çka është edhe më i rëndësishmi “bashkëpunim”, duket se janë ende dëshira teorike. Dhe në kohë krize, kësi nocionesh janë të domosdoshme për ekonominë e një vendi, në mos për t’i dhënë zgjidhje, për të ndalur hemorragjinë në pikat më kritike. Mosveprimit i shtohet edhe efekti psikologjik se “politikës ende nuk i dihet se ç’mund të bëjë”, dhe se “punët me ekonominë janë keq, por më keq pritet të bëhet”. Të dyja drojet e mëdha popullore janë në një farë mase të vërteta, por një pikë shumë serioze ka të bëjë me faktin se në një farë mase, janë edhe profeci që vetëpërmbushen. Nëse populli nuk pret që politika të bëjë diçka të mirë, atëherë ajo minimalisht nuk do të bëjë ndonjë veprim pozitiv; por nëse publiku mendon se ekonomia do të shkojë edhe më keq, atëherë ai vetë do të ndikojë pa e ditur, që punët të shkojnë vërtet shumë më keq. Si?
Duke mos shpenzuar, duke mos investuar, duke tkurrur transaksionet e përditshme dhe duke paguar më pak detyrime. Rezultati është një efekt domino me pasoja të pallogaritshme, por që në çdo rast, vetëm të mira që nuk mund të jenë. Disa thonë se ky është përfundimi i një epoke të vështirë, por shumica nuk e mendojnë kështu. Ata besojnë se ky është vetëm fillimi, dhe mund të kenë të drejtë. Shumica ka zakonisht të drejtë, jo sepse janë më shumë mendje e si rrjedhojë, mençuria kolektive është më e gjerë dhe e lartë se ajo e pakice. Jo domosdoshmërisht. Por sepse në ekonomi, shumica, përmes veprimit, por kryesisht përmes mosveprimit, i vetëpërmbush profecitë e zymta.