Kryeministri dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit deklaruan sot me shumë bujë (dhe vetëkënaqësi ekstreme) se përfunduan një marrëveshje për realizimin e stadiumit të ri "Arena Kombëtare", i cili do të ndërtohet nga kompania fierake Alb-star shpk në vend të stadiumit aktual "Qemal Stafa".
Historia e stadiumit të ri është historia e një krimi kulturor, urbanistik, administrativ, tregtar dhe financiar i projektuar dhe zbatuar me vetëdije nga Kryeministri Rama dhe Presidenti i FSHF-së Duka, duke u fshehur pas mirëbesimit dhe entuziazmit patriotik të tifozëve të kombëtares, pra gati të gjithë shqiptarëve.
Stadiumi ka statusin e monumentit kulturor kombëtar i kategorisë së dytë, sikurse Muzeu Arkeologjik, Universiteti i Arteve, Korpusi i Universiteti Politeknik, Pallati i Kongresve, Presidenca, Kryeministria, etj. Dhe është pjesë e zonës së mbrojtur historike që përfshin gjithë Sheshin Nënë Tereza. Si i tillë ai nuk mund të prishet, por Kryeministri ka vendosur ta prishë pa keqardhje dhe, me siguri, me proçedura arbitrare dhe politike.
Ndërtimi i stadiumit do të shkatërrojë përfundimisht kompleksin monumental të Sheshit Nënë Tereza. Projekti i paraqitur duket se ka lidhje vetëm me shijet e Kryeministrit Rama dhe obsesionin e tij me betonin edhe pse ai po përpiqet ta shesë si të barbartë me koloseumin e Romës teksa rreket të shpjegojë në faqen e Kryeministrisë se ajo masë betoni ngjyra ngjyra është "një monument i ri prestigjioz, që shpreh traditë dhe modernizëm njëkohësisht, duke pasqyruar modelin e teatrit antik romak në imazhin bashkëkohor të një kryeqyteti në ripërtëritje të vazhdueshme."
Nga ana tjetër, historia e stadiumit është historia e një privatizimi masiv, të bërë vjedhurazi ligjit, konkurencës, kontrollit parlamentar e syrit të publikut, në favor të interesave të dyshimta private, e filluar nga qeveria Berisha dhe e përfunduar në mënyrë spektakolare nga qeveria Rama.
Stadiumi aktual Qemal Stafa dhe toka e tij i kaluan nga qeveria Berisha shoqërisë tregtare "Qendra Sportive Kuq e Zi sh.a" (QSKZ), kompani e përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit (75 për qind) dhe qeverisë (25 për qind), me qëllim që kjo kompani të ndërtonte stadiumin e ri me financim të FSHF-së dhe qeverisë. Gjatë qeverisjes Berisha u diskutuan dhe tentuan pa sukses disa modele për të mundësuar investimin, përfshi edhe variantin korruptiv të përdorimit të tokës aktuale për ndërtime tregtare dhe ndërtimin e stadiumit të ri jashtë qytetit.
Qeveria Rama si për çdo gjë tjetër, gjeti zgjidhjen "magjike" të partneritetit publik-privat. Një kompani private ka projektuar, do të financojë dhe do të ndërtojë stadiumin. Pas ndërtimit, fusha, stendat dhe disa mjedise zyrash do t'i kalojnë në pronësi FSHF-së--ligjërisht një subjekt privat. Të gjitha mjediset e tjera të stadiumit--qendra tregtare në trupin e ndërtesës, poshtë stendave-- do t'i kalojnë kompanisë private. Kompanisë private do t'i jepet gjithashtu e drejta e ndërtimit dhe e pronësisë të një kulle 25-30 kate të lartë (nuk është bërë e qartë ende lartësia e saktë) në një pjesë të terrenit publik të stadiumit aktual.
Kalimi i pjesës më të madhe të stadiumit në pronësi private, për qëllime tregtare është shkelje ligjore pasi toka dhe stadiumi i kaluan në pronësi FSHF-së (një kompanie të përbashkët mes Federatës dhe qeverisë) me kushtin e mos tjetërsimit të saj për qëllime jo sportive.
Edhe pse Kryeministri e paraqiti projektin si një arritje "e zgjuar" e qeverisë për të mbështetur sportin, pa paguar asnjë cent, nëpërmjet një partneriteti me privatin, historia e vërtetë është ekzaktësisht e kundërta: një privat ka gjetur mënyrën për të privatizuar një tokë publike në një vend të papërsëritshëm, me kushte deri më sot të padëgjuara, dhe pa asnjë konkurencë. Tokën publike që i kalon një privati, Kryeministri Rama e vlerëson "zero cent" (është shumë domethënëse që Kryeministri njeh vetëm vlerën e parasë së thatë në dorë dhe jo vlerën e pasurisë publike).
Edhe pse sot nuk është bërë e ditur asnjë e dhënë për projektin, as në faqen e FSHF-së as të Qeverisë, me përjashtim të videove promovuese me patriotizëm dhe europianizëm të denja për propagandën e regjimeve autokratike, Kryeministri do duhet të sqarojë në ditët e ardhshme një sërë cështjes të rëndësishme, përfshi: me çfarë kushtesh toka është kthyer në pronësi të Federatës dhe me çfarë kushtesh një pjesë e saj do të kalojë në pronësi të kompanisë Albstar; sa metra katrorë tokë dhe sa metra katrorë qendër biznesi dhe qendër tregtare do të ndërtohen dhe sa do të jenë në pronësi të Albstar dhe të privatëve të tjerë; a është përfshirë në projektin e ndëritmit edhe kostoja e pajisjeve, aparaturave dhe infrastrukturës ndihmëse, te cilat kanë raste janë më të mëdha se kosto e ndërtimit të pjesës fizike të stadiumit; etj.
Dhe në fund do të duhet të përballet me një sërë proçedurash të detyrueshme ligjore, që nga mënyra se si do të arrijë të prishë e një monumet kulturor kombëtar, ndërhyrja në një zonë të mbrojtur, deri tek informimi dhe dëgjesat me publikun si pjesë e marrjes së lejes së ndërtimit.