TIRANË, 8 Tetor/ATSH-Anila Struga/.- Ndeshja Shqipëri-Serbi për eleminatoret e kampionatit europian, që zhvillohet mbrëmjen e sotme, ishte shkaku për ndërprerjen e punimeve të seancës së sotme dhe
shtyrjen e saj javen e ardhshme.
Drejtuesja e seancës, nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj i beri te ditur deputetëve se 'për shkak të ndeshjes Shqipëri-Serbi, axhenda e seancë së sotme të parlamentit mbartet për seancën e ardhshme'.
Rendi i ditës i Kuvendit parashikonte shqyrtimin e disa pr/ligjeve, por, sikurse dhe një javë më parë,
çështja 'CEZ' vazhdoi të mbajë mbërthyer debatin parlamentar, ku përfaqësues të të dyja palëve shkëmbyen akuza për menazhimin e operatorit të shpërndarjes së energjisë në Shqipëri, pas privatizimit nga kompania çeke.
Ish-kryeministri Sali Berisha, duke përsëritur mbështetjen për hetimin ndërkombëtar, tha se afera 'CEZ' është më e madhja, ndërsa Rama po vijon me mashtrimet. Duke e konsideruar 'të sajuar' konfliktin me kompaninë DIA, Berisha, akuzoi qeverinë se ka dështuar në rikuperimin e humbjeve.
Në reagimin e tij, kryetari i komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe ngarkoi me përgjegjësi ish-kryeministrin për procesin e privatizimit të OSSH-së.
"Sali Berisha ka përgjegjësinë unike të privatizimit të OSSH-së, nga i cili shqiptarët morën 11 miliardë lekë, ndërsa vetëm me deklaratën rregullatore të ERE-s, e ndryshuar katër herë, i dhanë CEZ-t 25 miliardë lekë", tha deputeti Braçe.
Privatizimi, vijoi ai, u shoqërua me favore të tjera, ku 9 kompani u krijuan nga ju (opozita) dhe CEZ-i, për të rrjepur qytetarët me mbledhjen e detyrimeve të parapambetura. Ky është skandali e mos thuaj pastaj se jemi për hetim, iu drejtua Braçe ish-kryeministrit Berisha.
Ky i fundit, gjatë ndërhyrjeve në seancën e sotme, debatoi nga fare afër me kryeministrin Edi Rama, që ndodhej në foltore për diskutim. Ish-kryeministri dhe kreu aktual i qeverisë shkëmbyen batuta për çështjen CEZ, ndërsa ndodheshin njëherazi në foltoren e Kuvendit.
Tension në Kuvend, Meta ndërpret për pak çaste seancën
Debatet në seancën e sotme parlamentare detyruan kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta të ndërpresë për pak çaste punimet. Ndërsa kryeministri Edi Rama po jepte shpjegime për çështjen CEZ, fjala e tij u ndërpre disa herë nga ndërhyrjet e deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka. Më pas ishte deputetja Jozefina Topalli, ish-kryetare Kuvendit, e cila iu drejtua foltores, nga ku po mbante fjalën kryeministri Rama. Në këto kushte, në përpjekje për të qetësuar situatën e tensionuar, ndërhyri kryeparlamentari që njoftoi ndërprerjen për pak minuta të seancës, e nisur me debate të forta.
Rendi i ditës
Seanca e sotme e Kuvendit kishte në rend dite diskutimin e disa ndryshimeve në ligjin 'për barnat', i debatuar fort gjatë diskutimit në komisionet e përhershme. Krahas tij, pritej të shqyrtoheshin dhe disa shtesa në ligjin "Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve të shkollave të larta dhe institucioneve të tjera kërkimore publike", si dhe ndryshimet në ligjin "Për menaxhimin financiar dhe kontrollin". /f.n/