Dëmtimi i Mauro Ikardit dhe përfundimi i sezonit në lidhje me objektivat për Interin bën që ndeshja e fundit të jetë fare e parëndësishme për të besuarit e Mançinit.
Skuadra zikaltër nuk ka më asnjë shans për të arritur Champions-in, ndërkohë që Europa Ligën e ka siguruar matematikisht. Mediat pranë skuadrës zikaltër raportojnë se trajneri zikaltër do t'u japë mundësinë disa të rinjve që të aktivizohen përballë Sasuolos.
Një prej tyre është edhe Rei Manaj. Sulmuesi kuqezi është mbajtur në skuadër me insistimin e trajnerit të zikaltërve, pasi për të ka pasur disa oferta në merkaton e janarit që ta merrnin në formë huazimi.
Takimi i fundit pritet të jetë i pari për shqiptarin që të mund të luajë si titullar me fanellën zikaltër në Serinë A.
Ai ka luajtur në katër takime në këtë kampionat, kundër Atalantës, Sampdorias, Udinezes dhe Romës duke numëruar 32 minuta aktivizim. Zikaltrit pritet të blejnë kartonin e tij për ta huazuar.