Flamurtari ka frikë nga provokimet në Ballsh. Klubi është duke punuar psikologjikisht me futbollistët për të mos rënë pre e ndonjë provokimi të mundshëm, në këtë ndeshje që mund të shoqërohet me tensione.
Drejtori sportiv Vangjel Laluci, në një prononcim për mediat apelon që futbollistët të tregohen të matur. "Djemtë nuk duhet të bien pre e provokimeve dhe s'duhet të bëhen pre e emocioneve të këqija.
Kemi parë së fundmi, qoftë në ndeshjen derbi Tirana-Partizani, apo dhe ndonjë tjetër, por ne nuk duhet të biem në atë batak.
Ne s'bëhemi pjesë e pazareve nëse ka, por nga ana tjetër nuk do të lejojmë që të tjerët të tallen me djersën tonë. Jemi përgatitur për këtë sfidë dhe do të marrim masat.
Duhet që ekipin ta përgatisin psikologjikisht si nga pikëpamja e durimit, ashtu edhe nga ajo e etikës. Nëse ka një ndeshje ku ne duhet të tregojmë profesionalizëm, është kjo në Ballsh. Pra, kampionati për ne është ndeshja me Bylisin.
Nuk duhet të tregohemi të padurueshëm. Jemi të sigurt që do të ketë provokime, por çështja është se si do t'u përgjigjemi. Për këtë na kërkohet profesionalizëm.
Nuk duhet që për kapriço, lojtarët të nxitohen dhe të gabojnë. Pra, duhet të jemi shumë të matur. Këtë ndeshje e fiton maturia.
Ne kemi treguar që mund të fitojmë si në Ballsh, edhe në vende të tjera. Duhet të bëjmë futboll të pastër, futboll të fortë. Gjithsesi, nuk duhet që t'i fryjmë gjërat. S'duhet të bëjmë sikur çfarë do ndodhë në Ballsh. Nuk ka për të ndodhur asgjë dhe çdo gjë do shkojë shumë mirë", tha Laluci.
Objektivi - Drejtori i Klubit të Futbollit Flamurtari, Vangjel Laluci, shprehu edhe një herë vullnetin e klubit vlonjat për një futboll të ndershëm.
"Ne nuk bëhet fjalë të tolerojmë dhe bëjmë ndonjë kompromis. E kemi deklaruar, jemi për futboll të ndershëm.
Ne nuk duam gjëra që s'na takojnë, por të ketë arbitrim të mirë, të ketë lojë të mirë dhe të kemi kurajën që kur fiton kundërshtari, t'i japim dorën", u shpreh drejtori Laluci.
Rezultati - Laluci shprehet se Flamurtarit i duhen sa më shumë pikë. Drejtori i klubit beson në marrjen e tri pikëve në Ballsh. "Jemi në fazën që na duhen pikë.
Që në momentin e parë që kemi mësuar rezultatin e ndeshjes mes Partizanit dhe Bylisit, kemi filluar përgatitjet për takimin me ballshiotët. Lojtarët janë duke reflektuar, pasi pas fitores po përgatiten për një sfidë tjetër. Kështu që po punohet edhe në aspektin psikologjik.
Do të jemi të mobilizuar për këtë ndeshje, në të cilën na duhet që të fokusohemi te mentaliteti dhe karakteri.
Vetëm me një mentalitet fitues ne do të mund të realizojmë objektivin, pasi jo vetëm që në Ballsh kemi fituar, por një gjë të tillë e kemi bërë edhe në Laç.
Kemi marrë barazimin me Partizanin, edhe pse na takonte fitorja, me Tiranën po ashtu. Pra besojmë që e kemi mundësinë që të fitojmë në Ballsh", përfundon Laluci.
ERMAL SIKA