Edhe pse në tabelën e klasifikimit Anglia do të ketë një pikë për Roi Hoxhsonin, "Tre luanët" kanë humbur. Komisari teknik i një herë kampionëve të botës ka qenë kritik me veten e tij për zgjedhjet e bëra, ndërkohë që vlerësoi lojtarët që u lanë rivalëve vetëm 15 minuta kohë për të luajtur.
Shije e hidhur - "Kur pëson një gol në minutën e fundit, atëherë dëshpërimi është i kuptueshëm. Përveç 15 minutave të para të pjesës së dytë, mund të themi se kemi dominuar plotësisht rivalët.
Unë isha i kënaqur edhe me 1-0. Pësuam gol jo për shkak të një gabimi trashanik, prandaj pranojmë gjithçka dhe mendojmë për duelin e radhës". Në konferencën pas ndeshjes, Roi Hoxhson ishte i hidhëruar me rezultatin që mori Anglia në ndeshjen e parë të Europianit.
Edhe pse kishin përballë një ekip modest, "Tre luanët" nuk mundën që të thyenin tabunë e debutimit. Në të nëntë takimet e para të Europianëve që kanë marrë pjesë anglezët, nuk kanë regjistruar kurrë fitore (kanë barazuar 5 takime dhe humbur 4).
Autokritika - Në një moment të dytë, tekniku pranoi se zëvendësimet që kishte kryer nuk kishin rezultuar të efektshme. "Zëvendësova Runin me Uilsherin, pasi edhe ky i fundit, ashtu si sulmuesi na ndihmon në krijimin e lojës. Pastaj ndërrova Rahim Sterlingun, pasi m'u duk i lodhur pas atyre sprinteve që bëri në krah.
Në vend të tij, preferova Milnerin, pasi do të më ndihmonte në goditjet standarde. Por në fund asgjë nuk shkoi siç e kisha parashikuar", arsyetoi 68-vjeçari.
Si humbje - "Mendoj se kemi luajtur mirë. Në pjesën e parë vendosëm në vështirësi rivalët, ndërsa në të dytën i lejuam që të luanin vetëm për 15 minuta. Prandaj them se kjo ndeshje më lë shijen e humbjeje. Ne ishim të përgatitur për të festuar, por tani nuk e kemi këtë mundësi", tha Hoxhson.
Ironia - Mediat angleze "ironizuan" Hoxhsonin duke e akuzuar për kopje. Ata nuk i falin disa ndryshme taktike britanikut, që ashtu si Van Gali ka tërhequr Runin në mesfushë.
Gjithashtu, e pakuptimtë ishte zgjedhja e tij për të caktuar Heri Kejnin që të ekzekutonte goditjet e këndit (te Junajtid është parë që nga këndi i ka ekzekutuar Fill Xhonsi).
Përgatiti: ALTIN VORPSI