E konsideruar si art prej shumë njerëzve, si sport prej shumë të tjerëve, dhe si një dhunë mizore ndaj kafshëve nga të tjerë, ndeshja me dema është lufta mes një bishe dhe një njeriu, lufta për jetë a vdekje mes këtyre dy llojeve. Ajo i ngjan një drame dhe po të shohësh me kujdes edhe strukturimi i ndeshjes është i tillë, me tre akte, që ngjasojnë me tetarin.
Ndeshja me dema është një aspekt domethënës dhe i rëndësishëm i kulturës spanjolle, pavarësisht se mjaft njerëz nuk arrijnë dot të bëjnë lidhjen mes saj dhe sportit, teksa gjatë ndeshjes haptazi shfaqen skenat e torturimit dhe vdekjes së demave. Edhe për ata që nuk janë anëtarë të lëvizjeve për mbrojtjen e kafshëve, ndeshja me dema mbetet diçka absurde dhe kundërshtuese në vetvete. Të tjerë i mëshojnë misterit në këtë lloj ballafaqimi mes njeriut dhe kafshës.
“ E adhuroj trashëgiminë antike, madhështinë e saj, joshjen, midis gjithë kësaj ndeshja me dema është patjetër një nga më të çmuarat dhe më të vjetrat gjëra që ka mbijetuar deri në ditët tona”, shkruan Suzan Orlean në revistën “Outside”, pasi sheh për herë të parë një ndeshje me dema në një program vendas të quajtur Korrida. “Gjatë ndeshjes isha e humbur dhe më vinte për të vjellë, unë kurrë nuk e kisha kuptuar përse kaq shumë njerëz, një komb i tërë, ishin aq të dhënë pas këtij dueli”.
Spektakli i vdekjes
Në tërheqjen spanjolle ndaj këtyre ndeshjeve spektakolare, mbetet gjithmonë në vëmendje diskutimi për ta klasifikuar atë se çfarë është në fakt ndeshja me dema: Por me siguri që kjo ndeshje nuk është sport. Ndeshja me dema është mbase dëshmia më e lashtë e përballjes së njeriut me fuqinë e bishave. E rezervuar gjithmonë për të dielën pasdite, ndeshja me dema është kështu pranë zakonit fetar të soditjes mbi vdekjen. Është një teatër i madh dhe tragjik. Është vallëzimi me vdekjen.
Kjo dramë e gjallë e ndeshjes me dema që ka mbërritur deri më sot tek ne, ka tërhequr mjaft shkrimtarë, të cilët kanë dashur të kapin esencën e gjithë kësaj përballjeje, hyrjen në zemër të ndeshjes, çfarë ndien njeriu dhe çfarë ndien demi në ato minuta të pakrahasueshme me asgjë. Ernest Hemingueji në “ dhe dielli ngrihet gjithashtu” dhe në “Vdekja pasdite” është përpjekur t’ia dalë kësaj. Ndërsa Vensent Blasko Ibanjez është rrekur të zhbirojë të njëjtën gjë në “Gjaku dhe rëra”. Sipas Heminguejit, ndeshja me dema është “ i vetmi art në të cilin artisti është i rrezikuar për vdekje dhe në të cilin shkalla e përsosmërisë së performancës lihet në nderin e fituesit”.
Opinionistë të tjerë, të paanshëm, mendojnë se ndeshja e demit me njeriun është në fakt e paracaktuar si e njëanshme. Ata nuk mund të shohin asnjë favor për njeriun që ndeshet me demin. Një dem tipik korride është demi i zi dhe ky lloj demi është tek 460 kg. Ky dem është si një motor, i shpejtë, i rrezikshëm, me brirë të mprehtë që të çopëtojnë në çast. “ brirët e demit të hedhin në erë për punë sekondash”, shkruan gazetari Toni Hendra. “ Sa më shpejt që demi ta takojë njeriun, aq më i tmerrshëm është fundi i njeriut”, thotë ai. Koha pak para ndeshjes, ajo kohë kur sytë e demit ndeshin sytë e njeriut, është një çast drame, është një moment i pafundmë që vendoset midis jetës dhe vdekjes.”
Në fakt shumë matadorë janë plagosur rëndë ose vrarë në ringun me demin. Një incident mbetet veçanërisht i freskët në kujtesën e spanjollëve të dhënë pas ndeshjes me dema. Në shtator 1984 një matador karizmatik, 37-vjeçari Françisko Riviera Paquirri u godit për vdekje në Pozoblanko, një qytet i vogël në veri të Kordobës. Kamerat e televizioneve xhiruan çastin kur demi e hodhi tej me brirë trupin e matadorit, si të ishte një kukull. Demi ia kishte ngulur të dy brirët në trup dhe e flaku tej me fuqi. Matadori vdiq rrugës për në spital.
Por, në vend që të fashitej, pasioni i të rinjve për ndeshjet me dema, pas vdekjes së këtij matadori, u bë më i fortë. Shumë djem të rinj nga e gjithë Spanja donin të zinin vendin e matadorit të famshëm që vdiq. Por po në këtë kohë interesi filloi të ngjallëj shumë edhe në radhët e femrave të reja. Shumë vajza e gra shkonin në arenë dhe kjo e ktheu në një biznes fitimprurës për disa njerëz, ndeshjen me dema. Duke u mbështetur tek admirimi i madh për matadorët, një grua madrilene hapi në Madrid një lokal “ vetëm për femrat”, ku i ftonte gratë të ndiqnin striptizë matadorësh.
Ndeshja me dema jashtë Spanjës
Ndërsa në Spanjë stinët e ndeshjeve me dema janë pranvera dhe vera, në Meksikë, është dimri stina e ndeshjes, ndërsa në Peru është vjeshta. Ndeshja me dema është traditë ende sot edhe në Venezuelë, Kolumbi dhe në Francën jugore në kohë të ndryshme të vitit, por si ditë janë zakonisht të dielat dhe ditët e festave.
Në Portugali zakoni dhe ceremonia e këtyre ndeshjeve janë të njëjta si në Spanjë
Me një ndryshim, që është i rëndësishëm: portugezët nuk e vrasin demin në arenë në sy të spektatorëve, por pas ndeshjes e dërgojnë atë në një thertore. Një tjetër ndryshim në ndeshjet portugeze të demave është El rejeno-ja, një mënyrë e qëndrimit të matadorit mbi shpinën e kalit ku ka hipur dhe nga ku ndeshet me demin. Gjithmonë këta matadorë zgjedhin kuaj të mirëstërvitur, të cilët reagojnë vetë ndaj demave dhe janë njëherësh pjesë e luftës, duke ndihmuar të zotët si të munden në këtë ndeshje të pazakontë. Kuajt e matadorëve kthehen nga demat për të ekspozuar sa më pak të jetë e mundur të zotin. Këto lloj spektaklesh, me të tillë kuaj, rezervohen zakonisht për turistë, sepse një kalë i tillë kushton 40 mijë dollarë dhe pavarësisht preçizionit që ai ka vetë, duhet të bëhet kujdes që të mos plagoset dhe të mos dëmtohet në arenë.
Marre nga : Olimbi Velaj - Gazeta Metropol