Ndihma ekonomike, duke filluar nga viti i ardhshëm, do të tërhiqet vetëm nga gratë e familjeve që e përfitojnë këtë lloj pagese. Kjo është bërë e ditur gjatë konferencës kombëtare për dhunën ndaj grave, ku ka marrë pjesë edhe Kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë tha se kalimi i ndihmës ekonomike si përgjegjësi e gruas do të rrisë efektshmërinë në përdorimin e kësaj ndihme në funksion të ushqimit të familjes, si dhe peshën e përgjegjësisë në familje të gruas në sytë e burrit. “Një element i politikës sonë të re të ndihmës ekonomike që është në diskutim dhe që ka të bëjë me një ndryshim rrënjësor, në fakt, të raporteve mes shtetit dhe familjes në ndihmë ekonomike.
Ky është një element që mund t’i japë vetë ndihmës ekonomike atë vlerë që ajo, sado e pakët në shumë, e humbet rrugës, për shkak të shpërdorimit të saj nga kryefamiljarë të papunë e të dëshpëruar që e përdorin këtë ndihmë për alkool apo që e shpërdorojnë këtë ndihmë për bixhoz”, u shpreh Rama. Kryeministri u angazhua për forcimin e mekanizmave mbështetës për gratë e përballuara me dhunën në familje, ofrimin e ndihmës ligjore falas për to dhe riintegrimin e tyre në shoqëri. “Dhuna ndaj grave e vajzave nuk është beteja e viktimave të dhunës, por është beteja e të gjithë atyre që kanë detyrimin të bëhen bashkë, për ta penguar dhe ndaluar dhunën”, tha Kryeministri. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka nxjerrë së fundi një udhëzim për administratorët socialë, sipas të cilit, kur një grua merr urdhër mbrojtjeje, ndihma ekonomike i shkon menjëherë asaj.
Sipas statistikave për dhunën ndaj grave, vitet e fundit ka pasur një rritje të këtij fenomeni nga 56% në vitin 2007 deri në 59.4% në vitin 2013, me 53% të grave që aktualisht jetojnë nën abuzim të vazhdueshëm. Sipas të dhënave nga Ministria, mbi 80% e abuzimit fillon brenda tri viteve të para të martesës, ndërkohë që shumë gra e vajza raportojnë vite të tëra marrëdhëniesh të dhunshme. Ndërkohë që niveli i denoncimit të rasteve mbetet i ulët, pasi vetëm 8.4% e grave kërkojnë ndihmë duke iu drejtuar institucioneve përkatëse. j.t