Gjatë analizës së punës 300 ditore të Ministrisë së Rinisë dhe Mirëqenies Sociale të kryesuar nga Erion Velias, ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka vlerësuar punën e këtij dikasteri pavarësisht nga vështirësitë dhe pengesat e hasura gjatë rrugës.
“Është puna më e vështirë dhe më e padukshme, se të detyron të merresh me probleme që asnjë nuk do të dëshironte t’i kishte dhe që vështirë se duket, ndërkohë që rezultatet e këtyre 300 ditëve, flasin për një punë të bërë fort, me shumë përkushtim dhe me efikasitet”, – deklaroi Rama.
Sipas Ramës, janë paguar njerëz për ndihmë ekonomike që rrinë nëpër lokale dhe pastaj rrahin gratë në shtëpi, “por brenda pak ditësh, 20 mijë abuzues dolën jashtë skemës. Janë paguar për korrupsion, klientelizëm dhe zgjedhjet e radhës, 100 milionë”, – shtoi Rama.
Më pas Rama premtoi se brenda mandatit të parë të kësaj qeverie, do të shpërblehen të gjithë ish-të burgosurit politikë: “Ndihemi krenarë që 1.200 të përndjekur kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit. Brenda mandatit të parë, nuk do të ketë asnjë të burgosur politik, që ai vetë të mos e ketë marrë shpërblimin. Kemi vendosur 18 milionë dollarë për këtë dëmshpërblim, ky është fondi më i madh i dhënë ndonjëherë për këtë shtresë”.