Për aktorin Robert Ndrenika, është e rëndësishme që një drejtor teatri të mos jetë i politizuar, e po kështu dhe aktorët, as të majtë e as të djathtë. Në tryezën për teatrin, zhvilluar në Ministrinë e Kulturës, aktori Ndrenika dha mendimin e tij mbi mënyrën e zgjedhjes së drejtorit, që për të është shumë i rëndësishëm në funksionimin e punëve “Teatri Kombëtar nuk është se nuk ka eksperiencë, por kohët kanë ndryshuar dhe është një tjetër kontekst.
Përse të mos shohim të paktën teatrot e vendeve fqinje, si Shkupi, Beogradi, Athina, Milano… (Hollivudi pak më vonë). Drejtori i teatrit të mos zgjidhet as nga ministri e as nga Kryeministri, por të jetë një komunitet artistësh me peshë që të shqyrtojnë platformat e 3-4 artistëve. Drejtori të mos jetë i përjetshëm. Nikoqirësia e Teatrit ka shumë rëndësi dhe drejtori duhet ta ketë këtë në platformën e tij, si do t’i përdorë paratë”, tha Ndrenika. Sipas tij, është e nevojshme që Ministria e Kulturës t’i vërë një plan teatrit. “Drejtori është shumë i rëndësishëm dhe nuk di në duhet të jetë një kombinim i drejtorit artistik me një nëndrejtor administrator apo menaxher.
Drejtori duhet të jetë aktiv dhe i plotfuqishëm”. Sipas tij, teatri kërkon më shumë financim nga shteti. Pavarësisht shifrave të përmendura nga ministrja Kumbaro, sipas tij, Teatri Kombëtar është më i varfri në rajon. Nëse kërkohet punësimi i të rinjve, që dalin përditë nga Akademia e Arteve, për këtë duhen fonde. Në këtë pikë u hodh edhe propozimi që Akademia të mos prodhojë për ndonjë dyvjeçar aktorë. Por kjo është një çështje që kërkon tjetër diskutim. Për Ndrenikën, shqetësuese është jeta artistike në Tiranë. “Është krim ta lësh Tiranën pa shfaqje, sepse po bën njëri apo tjetri prova. Le të bëjë kush të dojë, në orën 2 çmontohet skena dhe vihet tjetra”, tha Ndrenika, i cili në këtë pikë u përball me kundërshtimin e drejtorit Skrami, sipas të cilit kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë.