Në prag të takimit të radhës me Teutën, dje laçianët kanë preferuar të stërviten në shtëpi. Stafi teknik, me Ndreun në krye, i kanë pasur të gjithë lojtarët në dispozicion, teksa për rreth dy orë janë stërvitur me intensitet. Në dy ndeshjet e ardhshme që figurojnë dhe të fundit për kampionatin e 77-të kombëtar të futbollit, bardhezinjtë duhet të marrin patjetër tri pikë.
Por strategjia e javëve të fundit ndjekur nga kurbinasit ka pasur si qëllim të ruajë forcat për finalen e 22 majit, ndërsa Laçi dhe Kukësi do të synojnë trofeun e dytë për nga rëndësia në vend, Kupën e Shqipërisë.
Stërvitja
Ata fillimisht kaluan në "sitën" e Bankinit dhe më pas u përfshinë nën urdhrat e Ndreut, duke ndjekur orientimet e teknikut. Pas saj, trajneri tha se ndeshja me Teutën dhe një rezultat pozitiv në Durrës do t'i mbyllte në kohë hallet e Laçit.
"Për Laçin, punët nuk mbarojnë kurrë. Pas barazimit të fundit, jemi në terren për të bërë gati ndeshjen e radhës. Natyrisht që kjo sfidë kërkon impenjim maksimal, sepse Teuta kërkon Europën, por dhe ne kemi nevojë të mbyllim llogaritë me kampionatin.
Dhjetë ditë larg finales së Kupës, domosdo që kemi nisur të mendojmë seriozisht për këtë takim që për ne merr shumë rëndësi. Disa nga lojtarët kanë pësuar simptoma në takimin e fundjavës, por edhe Buljan që është kthyer nga Kroacia ende nuk është gati. Gjithsesi, ne kemi alternativa dhe siç theksova më lart, në Durrës do të kërkojmë befasinë", u shpreh tekniku.
Përgatiti: Isuf Myrtaj