Ndricim Kulla Qendrueshmeria e botimeve shqiptare eshte e rrezikuar tregu i librit eshte rrudhur

Ndricim Kulla: Qendrueshmeria e botimeve shqiptare eshte e rrezikuar, tregu i librit eshte rrudhur

 “Sido që të ndodhë, botuesit dhe tregu do ta gjejnë gjuhën e përbashkët, në përgjigjen e ofertës që vjen nga tregu. Por pikërisht në këtë përshtatje dhe udhëheqje, që botimeve do t’u vijë nga tregu dhe konsumi që ai i bën librit, qëndron edhe rreziku më i madh që mund t’i vijë shoqërisë shqiptare”, kështu shprehet studiuesi dhe ish botuesi Ndriçim Kulla, në një intervistë rreth librit në prag të Panairit të 17-të Librit, në gazetën “Shekulli”. Sipas tij, pavarësisht se botimet mund të kërkojnë dhe të gjejnë vazhdimësinë e tyre financiare, humbja e cilësisë së botimeve të veçanta deri te rrudhja, apo mosbotimi më i librave, që u përkasin fushave të shkencave humane (histori, filozofi apo sociologji), apo i librave shkencorë dhe profesionalë në tërësinë e tyre shumëdegëshe, s’do të jetë thjesht një pjesë e tregut që humbet për botuesit, por një plagë e hapur në zemër të edukimit të së ardhmes. Kulla mendon se e vërteta duhet që të shikohet sikurse është, në mënyrë që të kuptohet se rreziku është mbarëkombëtar. Vetëm kështu edukimi i pedagogjisë së shkollës sonë, nuk do të trajtohet vetëm si problem financiar, por edhe kulturor-arsimor. Kjo gjë, sipas tij, nënkupton që botimet shqiptare duhet të bëhen pjesë e qëndrueshme dhe strukturore e të gjitha buxheteve financiare të Ministrive të Arsimit dhe Kulturës.

Zoti Kulla, cila është gjendja e botimeve shqiptare sot, në prag të Panairit të Librit?

Për nga cilësia dhe pjekuria e përmbajtjes dhe përzgjedhjes së librave për t’u përkthyer apo për t’u botuar, ashtu si në të gjitha fushat, edhe botimet shqiptare kanë bërë hapa të konsiderueshëm përpara. Madje mund të themi se kanë mbajtur mbi shpatullat e tyre të brishta financiare edhe mbushjen e mjaft boshllëqeve, që institucionet e tjera të edukimit apo pse jo edhe ato akademike, kanë lënë gjatë rrjedhës së këtyre 20 viteve. Mirëpo, pikërisht tani kur nga njëra anë kërkohet cilësi dhe maturim i shkallës sipërore, për nivele më të larta të botimeve në enciklopedi, antologji dhe kolana, dhe nga ana tjetër kur tregu i librit, ashtu si edhe ai i ekonomisë sonë, është rrudhur dhe vështirësuar gjatë gjithë këtyre viteve, atëherë bëhet mëse e qartë se qëndrueshmëria e botimeve shqiptare është e rrezikuar.

Po cilat janë pasojat e këtij rreziku?

Në radhë të parë do të doja që e gjitha kjo të mos shikohet në rrafshin personal, ose si mbrojtje e një biznesi, krejtësisht të veçantë, siç janë botimet në përgjithësi. Sido që të ndodhë, botuesit dhe tregu do ta gjejnë gjuhën e përbashkët, në përgjigjen e ofertës që vjen nga tregu. Por pikërisht në këtë përshtatje dhe udhëheqje, që botimeve do t’u vijë nga tregu dhe konsumi që ai i bën librit, qëndron dhe rreziku më i madh që mund t’i vijë shoqërisë shqiptare. Kështu, pavarësisht se botimet mund të kërkojnë dhe të gjejnë vazhdimësinë e tyre financiare, humbja e cilësisë së botimeve të veçanta deri te rrudhja, apo mosbotimi më i librave, që u përkasin fushave të shkencave humane (histori, filozofi, sociologji etj) dhe shkencore-profesionale në tërësinë e tyre shumëdegëshe, s’do të jetë thjesht një pjesë e tregut që humbet për botuesit, por një plagë e hapur në zemër të edukimit të së ardhmes. Vetëm nëse shikohet e vërteta me një sy të tillë do të kuptohet se rreziku është mbarëkombëtar dhe përgjigjja duhet të jetë, jo vetëm e institucioneve që u takon, por parësisht e qeverisë në tërësi.

Cilat mund të jenë disa nga rrugët për zgjidhjen e këtyre problematikave?

Nëse shikohet si problem i të gjithëve, nëse vendoset si prioritet në rrjedhën e rishëndoshjes së edukimit dhe pedagogjisë së shkollës sonë, nëse trajtohet jo vetëm si problem financiar, por kulturor-arsimor, atëherë përgjigjja do të ishte e drejtë dhe problemi do të vendosej në rrugën e zgjidhjes. Kjo nënkupton që botimet shqiptare duhet të bëhen pjesë e qëndrueshme dhe strukturore e të gjitha buxheteve financiare të Ministrive të Arsimit dhe Kulturës. Le të marrim p.sh. fondin e akorduar për blerjen e librave të bibliotekave, një fond ky që për këtë vit u dogj, nuk e di nga mosangazhimi apo nga mos-hartimi i mirë dhe i organizuar i përzgjedhjes së listave. Por bëhet fjalë për një shifër aspak të vogël, që jo vetëm do t’i jepte oksigjen botimeve, por parësisht do të nxiste ato lloj botimesh që s’gjejnë treg, ose s’përballohen dot për shkak të tregut tonë të vogël dhe të ngadaltë. Kjo nuk duhet parë kurrsesi si një favor ndaj disa lloj botimesh të veçanta, përkundrazi, ky është një shembull i qartë se e gjitha kjo nuk është një problem financiar, por problem politikash, prioritetesh dhe vizioni. Ka ardhur momenti të thuhet me zë të lartë se formimi që kërkon koha dhe zhvillimet e reja në edukim dhe arsimim bazohen kryesisht në literaturën e shkencave humane, shkencore dhe profesionale, pastaj në atë letrare dhe estetike. Kjo është rruga nëpër të cilën duhet të ecin edhe ministritë përgjegjëse në promovimet dhe ndihmat e tyre financiare, jo pse këtë gjë e kërkojnë disa botues të veçantë, por sepse ky është prioriteti i gjendjes kritike, në të cilën ndodhet kjo fashë botimesh, aq e rëndësishme për edukimin cilësor të brezit të ri. Po në të njëjtën mënyrë do të duhet të ndihmoheshin edhe botimet historike, linguistike edhe etnografike, që zënë një hapësirë të vogël në botime, por që s’ka shtet që mund t’i lejojë të humbasin pa zhurmë dhe bujë. Në përputhje me këtë vizion, ashtu siç u veprua për rregullsinë ligjore dhe institucionale të universiteteve, ashtu duhet të veprohet edhe për rregullat e cilësisë së mësimdhënies dhe edukimit nëpër këto universitete. Pasi, janë pikërisht ato, që nëpërmjet bibliotekave që zotërojnë, qendrat e para të përhapjes dhe kontaktit me botimet shkencore përkatëse, për të cilat po flasim. Në një kohë që po të vëresh, sasia e pse jo edhe cilësia e bibliotekave të universiteteve private dhe publike janë jo vetëm larg standardeve që kërkon ligji, por edhe larg cilësisë dhe standardeve, që tashmë ka vendosur editoria shqiptare. Puna e mirë e deritanishme e Ministrisë së Arsimit për ligjësinë e universiteteve publike, tashmë duhet të shtrihet në zemër të problemit, në atë të sasisë dhe cilësisë së botimeve të bibliotekave të tyre, një aspekt ky sa ligjor, aq edhe i domosdoshëm për edukimin e studentëve.

Po Panairi i sivjetmë, ç’risi mund të sjellë?

Natyrisht që edhe Panairi i sivjetshëm, ashtu si dhe të tjerët më parë, do ta ndiejë tkurrjen e botimeve, çka parashikon tituj më pak, shtëpi botuese më pak që arrijnë të paraqesin ofertat e tyre, e si vijim, pasi ky është rrethi më i frikshëm vicioz i gjithë kësaj rrudhjeje, më pak lexues e më pak interesim për botimet. Nëse nuk ka shumë risi në atë nivel që kërkohet, zbehet dukshëm edhe interesi i publikut, diçka kjo që ndikon drejtpërdrejt për keq në shumë aspekte të kulturës së formimit. Për të gjitha këto rreziqe që mbart mbi shpinë një Panair i reduktuar vetëm në forcat e tregut. Ai duhej të ndihmohej financiarisht nga Ministria e Kulturës, por që çuditërisht nuk u bë. Vërtet, ai mund të realizohet edhe vetë, por me ç’cilësi, sasi dhe fuqi përfaqësimi edhe për zërin më të dobët financiarisht, por që s’mund të jetë i tillë për nga vlerat dhe meritat botuese. Në këtë ndihmë, duhet të përfshihet medoemos dhe biznesi, por që ai të nxitet ta bëjë diçka të tillë, shteti duhet të gjejë instrumente dhe rrugë të veçanta për ta detyruar të investojë, nëpërmjet rigjallërimit të ligjit të sponsorizimeve. Ja, pse zgjidhja më e mirë praktike dhe strategjike do të ishte kthimi i vëmendjes së qeverisë ndaj zgjidhjes së këtyre problematikave, nëpërmjet një plani dhe strategjie ndër-institucional. Ashtu siç promovohet, me të drejtë në shumë fusha një raport më i ngushë biznes-publik, në fushën e botimeve, si pjesë e kulturës dhe edukimit, ai duhet të jetë i qenësishëm, i strukturuar në ligje e nën-ligje dhe i pranishëm kudo, sidomos në rrjetin e tregtimit dhe ekspozimit të librave, jo vetëm përgjatë javës së Panairit, por për gjatë gjithë vitit.     

Panairi i 17-të i Librit

Panairi i 17-të të Librit nis sot. Por sikurse është bërë e ditur nuk do të ketë asnjë mbështetje nga Ministria e Kulturës. Për këtë dje, Shoqata e Botuesve ka bërë edhe njëherë me dije, për mosmbështetjen e këtij Panairi as nga Ministria e Kulturës, as nga Bashkia e Tiranës. Ndër të tjera koordinatorja e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Rogreta Shani, shkruan se: “ Më vjen keq që jam e detyruar t'ju kujtoj pa vëmendjen e Ministrisë së Kulturës dhe të  Bashkisë së Tiranës, për këtë ngjarje të madhe kulturore, padyshim më e madhja në rrafsh kombëtar në fushën e kulturës, jo vetëm të librit. Krejt jashtë polemikave, dua t'ju rekomandoj të shikoni faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës. Nuk do të gjeni asnjë fjalë për Panairin e Librit Tirana 2014, në një kohë kur përmenden lloj-lloj aktivitetesh të tjera! A bëhet, a ekziston për Ministrinë e Kulturës ky aktivitet nga data 12 deri më 16 nëntor, nga e mërkura në mëngjes deri të dielën në darkë? A i shkon dhe a është dinjitoz ky qëndrim, apo është e turpshme heshtja e Ministrisë së Kulturës”.
Ky vendim, sipas këshilltares së Kulturës, Milena Selimi, vjen për shkak të parregullsive që kanë ekzistuar në panairet e mëparshme, sidomos në Panairin e Librit 1013, kur Ministria e Kulturës e mbështeti.

Përplasja

Vjet botuesit për “Shekulli”-n kanë pohuar se, prej disa vitesh në Panairin e Librit, gjërat nuk kanë funksionuar siç duhet. Regjistrimet nisin që prej muajit mars për në nëntor. Këtë gjë ata e konsideronin një formë presioni, që u ushtrohet shtëpive botuese në mënyrë që të vrapojnë për t’u regjistruar sa më parë, ndryshe hapësira mbaron. Kjo formë presioni, ndikonte negativisht dhe te botuesit e vegjël, nëpërmjet taksës së lartë dhe hapësirave të dorës së dytë, që u liheshin në dispozicion. Një tjetër shqetësim që ngrinin botuesit ishte edhe mënyra sesi MTKRS-ja (sot Ministria e Kulturës), kishte zgjedhur të ndihmonte Panairin e Librit, nëpërmjet një fondi që nënshkruhej realisht për botuesit, por që asnjëherë nuk shkonte në duart e botuesve. Sepse ky rimbursim nënshkruhej pasi botuesit kishin mbyllur kontratat me organizatorët, dhe në këtë rast në kontratën e tyre nuk nënshkruhej asgjë për rimbursim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama