Takon rëndom që hartimi i një libri është përtej kënaqësisë që botimi i tij të falë, apo gjer edhe lumturisë, kur ai njëjtësohet me shpirtin tënd si në një akt dashuror. Në kësi rastesh libri fsheh brenda tulit, edhe eshtrën. “Eshtra” këtu s’është veçse detyrimi. Detyrimi si mision, si imperativ. Kështu mendova teksa po i mbyllja faqet e biografisë “Binjaku i nënë Terezës” kushtuar At Giuseppe Valentinit, i mbiquajtur Zef, misionarit kulturor jezuit në Shqipëri, shkruar nga publicisti dhe botuesi Ndriçim Kulla. Herët pata dëgjuar fare pak për këtë italian të “shqiptarizuar”, ardhur nga Padova, që u rrek tërë jetës të hidhte një grusht dritë mbi terrin e historisë sonë që tragjikisht “flinte”, të identitetit tonë mbushur me luspa antropologjike tej vetvetes. Dhe Valentini e ndezi qiriun Virgjilian që t’i bëjë të dukshme dy konture, hapësira, reljeve antropologjike të panjolla eprore të mëvetësishme të shqiptarëve, kësaj race autoktone me rrënjë iliro-thrakase, harruar zgripeve të mbijetesës, ca nga vetvetja e ca më shumë nga të tjerët. Por më pas, në brymën komuniste e tejet “ortodokse” që pllakosi vendin, kjo figurë u varros.
Dhe si me Fishtën e të tjerë, pas vitit 1990 ajo fitoi gjithnjë e më shumë përmasë. Unë e rroka vonë vegimin e At Valentinit falë shpjegimeve pasionale të Ndriçim Kullës, i cili sikur kishte marrë përsipër ta ngrinte Atin e dijes nga rrënoja e harresës, si ato monumentet antike qëmotit të mbuluara nga balta e shekujve, e t’i jepte shkëlqimin që meritonte. Prandaj them se ky libër s’është vetëm një hoje mjalti për autorin dhe kaq, por edhe një detyrim, një mision. Prandaj dhe në shtresën stilistikore të tij, në optikën konceptuale dhe tejpamjen politike e kulturore, herë-herë, libri përzien materien historike e dokumentarizuese me ndërhyrjet e shpeshta, të një qasjeje edhe publicistike, për të krijuar, si të thuash, objektin përmes subjektit. Pse e them këtë? Qysh në titull duket synimi i autorit për ta lartësuar figurën e Valentinit në sipëraninë dhe përmasën e nënë Terezës.
I pari ishte një italian që erdhi në Shqipëri dhe punoi për Shqipërinë, e dyta ishte një shqiptare që shkoi në Indi e në gjithë botën duke punuar për të. Por është madhështia e misionit të tyre që i afron, ku edhe Kulla gjen qasjen e tij. Pra “shëtitja” nga kombëtarja te ndërkombëtarja dhe anasjelltas, shndërrohet në libër në një mesazh, thënë më drejt në një metaforë a semantikë lehtësisht të kapshme. Autori përpiqet ta mbajë gjallë paralelen e hequr mes këtyre dy njerëzve të jashtëzakonshëm për ne shqiptarët. E nis me rastësitë e çuditshme që hasen midis tyre në data, rrethana historike, vende, familje, vokacione e raporte religjioze, me përkitje moshash e veprimesh, gati-gati si në një optri mistike dhe mbërrin aty nga fundi i librit në eposin e punës së tyre të pashoq për nga pesha, fuqia e shembullit dhe e emancipimit, rëndësia historike, aspekti kozmik (universal). Por nëse kjo përqasje diku-diku bëhet e panevojshme, fiton detyrimisht kuptim e mirëfilli metonimike midis personaliteteve dhe veprës që la secili syresh, përkundrazi, e kundruar si mision, si dimension dhe si gravitet historik për Shqipërinë dhe shqiptarët, kam mbresën e bukur se ia vlen barabitja... Gjithsesi Valentini është tjetër e Nënë Tereza tjetër. Unë kam qenë një ndër firmëtarët e nderimit me çmim nga Presidenca të personalitetit të At Zef Valentinit. Jam mahnitur nga puna titanike e tij, një punë e heshtur, që i bishtnon bujës, delirit, rrenës, butaforisë, sepse është e tëra e vërtetë. Është thelb.
E patjetërsueshme. Pa gjasë në llojin e vet dhe afërmendsh një monument kulture. Vepra e tij ngjan si një histori e gjallë. Një antropologji lëvizëse. Shekuj që lidhen në një vijimësi domethënëse. Por ajo s’derdhet vetëm mbi këta dy lëmenj. Në opusin e Valentinit kanë zanafillë kronologjitë historike të shqiptarëve qysh nga mugujt e ilirëve e trakasve, romanëve e bizantinëve (librat e tij për periudhat 337-395 dhe 595), thyerjet e mëdha dhe pesëqindvjeçari 1060-1560 aq pak i njohur ndër ne asohere, por edhe sot. Lexuesi ajgëton më tutje, saje të një syri të sprovuar nga hulumtimi i Zef Valentinit, marrëdhënien e ndërlikuar të Skënderbeut me Italinë dhe kryqëzatën 1455-‘58, me Papa Kalistin III, Venetikun, epokën e sulmit shqiptar kundër osmanëve me Gjergj Kastriotin në mbrojtje të krishterimit. Në fokusin e librit të Kullës gjithnjë e më shumë sillen prej albanologut misionar jezuit përthyerjet e larmishme mbi dukuri e problematika të mprehta të raporteve ligjore juridike, marrëdhëniet që kanë shoqëruar jetën e shqiptarëve në gërshetimin dhe dikotomitë ekzistencialiste mes ligjit të ardhur nga perandoritë (romake, bizantine, osmane) dhe ligjeve të ngjizura në formën e kanuneve (Ligji i Maleve, ndryshe thënë Kanuni i Lekë Dukagjinit në Veri) apo “kushtetutave” kryesisht rurale që rregullonin jetën dhe ruanin të drejtën mes individit dhe komunitetit, kombit dhe minorancave etnike, familjes dhe fisit etj.
Zef Valentini tërhoqi vëmendjen e mjeshtrit të letrave shqipe, Ernest Koliqit
Me të drejtë autori e quan Valentinin një “gjitholog”. Ai na ka dhënë përmendoren e tij të munguar. Madje ka gjetur edhe një krahasim të bukur: ashtu si Palazzo della Ragione që është salla më e madhe e mbuluar në Evropë, ashtu dhe ky kapiten i padiskutueshëm i albanologjisë dekodohet për ne si një katedrale e vërtetë qytetërimi, emancipimi e mbrothësie. Mendja e At Giuseppes këndellej me hiret e letërsisë dhe poezisë shqipe, me artin dhe pavionet e kulturës, me numizmatikën dhe arkeologjinë, me mitologjinë, filozofinë dhe teologjinë, falë studimeve të shumta e teksteve kritike, ekumentike e letrare, me ndihmesat e padiskutueshme në lëmin e gjuhës shqipe, origjinës, gramatikës historike, vështrimet dhe hulumtimet e tij të mprehta në fushëpamjet krahasimtare albanologjike, ballkanologjike dhe bizantine etj.
Por edhe historia e krishterimit në Shqipëri nga fillesat gjer në ditët e mbrame, e parë si pjesë e së tërës historike apo edhe më vete (p.sh librat “Shtëpia e kishës I dhe II”), në optrinë shkencore të Valentinit përveçse si “vetëdije”, religjion dhe kozmogoni, vjen edhe si histori e kishave, tempujve, shenjtorëve, ritualit, liturgjisë, kalendarit të shenjtorëve, arkeologjisë, haxhiografisë, artit bizantin etj. Me fare pak fjalë, të skalitura si me daltë, ai bën një përcaktim lapidar për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Shqipëria e vogël, shkruan ai, aq e ngucur në kufij, vërshonjëse në vitalitetin njerëzor, gjithnjë e më shumë efikase sa më shumë e injoruar, aq xheloze në ruajtjen e identitetit të saj etnik, po njëherësh edhe aq universialiste, kaq fatkeqe, por gjithmonë e ruajtur nga Zoti në vijim të misionit të saj sekret në Evropë”.
Zef Valentini tërhoqi simpatinë dhe admirimin e një mjeshtri të letrave shqipe si Ernest Koliqi, i cili e ka vlerësuar me aq dashuri, mirënjohje e pasion albanologun e famshëm, erudit e të patejkalueshëm. Por ka një vlerësim, që vjen nga Papa Pauli VI, këtij njeriu të librit, bibliotekës dhe filozofisë, i cili, gati si në porositë e Krishtit dhënë dishepujve të vet, u drejtohet shqiptarëve me fjalët e mençura e gjithë ashk: “Shqiptarë! Duajeni At Valentinin, se ai ju dashuron me zemër. Çmojeni, se ai punon paprerë, për t’ia bërë të ditur botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaj sepse i ka dhënë çështjes suaj mendjen dhe shpirtin e vet”. (Romë, 25 prill 1968, në prag të 500 vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut) E thashë kryekreje: me këtë libër Ndriçim Kulla shkon përtej një biografie të zakontë.
Ai vetë bëhet një misionar, një atdhetar (pse jo!), rol të cilin e ka marrë përsipër për të botuar kolanën e plotë të veprës madhore të këtij prifti të mrekullueshëm e njëherit të jashtëzakonshëm me emrin At Zef Valentini. Paçka se me emrin italian Giuseppe, ai ishte dhe është për ne shqiptarët një Zef. Autori e çmon disa herë gjithë ndezulli e përhirim si albanologun më të madh. Unë nuk e kam të drejtën, as kompetencën ta them këtë. Koha do ta thotë. Dhe koha sapo i ka çelur arkapia e heshtjes së gjatë. Sapo ia ka zbuluar ballin. Por gjer atëherë, mesazher i këtij akti blatimi dhe rikonfirmimi më duket se është bërë Ndriçim Kulla me botimet që ka realizuar, së fundmi edhe me këtë biografi. Koha ka punuar për Valentinin, paçka se e anatemuan si jezuit, spiun, fashist. Madje edhe sot ka zëra tinëzar për ta bjerrur përmasën dhe ndihmesën e tij, çka e çon shkrimin e Ndriçim Kullës të marrë hovet e polemikës, denoncimit dhe akuzës. Por, në fakt, koha është e Zef Valentinit. Koha, kur monumentit i hiqet balta dhe ne shohim vezullimin e tij.
Pse ky libër?
...Më duhet të bëj një largim të shkurtër nga argumenti për të shpjeguar arsyen: “Pse ky libër?”. Ndriçim Kullën e njoh herët, tek po hidhte hapat e parë si gazetar në Sarandë. Më pëlqente në shkrimet e tij ngrohtësia si dhe ndjesia e prekjes me “dorë” të faktit. Pastaj ai ia nisi si korrespodent rrethesh e kantieresh ndërtimi, pasi i qe privuar e drejta e shkollimit. E pëlqeja dhe e respektoja Ndriçimin posaçërisht për vullnetin e tij. Nga hiçi ai veçse me punë mbërriti në nivelet e sotme. Kam bërë shaka dikur me të duke e quajtur një Martin Iden. Por shakaja kishte edhe pjesë të së vërtetës brenda. Pastaj përcolla në shtyp me një shkrim librin e tij të parë me tregime “Shi i egër”, kur ai ishte emigrant në Greqi në sfidën dhe kokëkrisjen ndaj fatit të mbrapshtë. Por Ndriçimi (Çimi) ishte racë e njeriut të vullnetshëm. O e mbyll gjënë e nisur, o s’resht! Mbaroi Fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe u bë pedagog në Akademinë e Arteve, shkruante në shtyp e më pas themeloi shtëpinë botuese “Plejad” me Gjergji Zhejin. Dhe bëri diçka krejt-krejt ndryshe nga shtëpitë e tjera botuese. Ringjalli mendimin shqiptar të para viteve ‘44. Dhe solli autorët e munguar, që patën meritën dhe ndihmesën e pashlyeshme të ftillëzimit demokratik dhe prirjeve gjenetike qytetëruese të shqiptarëve drejt qytetërimit evropian, duke sjellë autorë të tillë si Branko Merxhanin, Mehdi Frashërin etj. Ky vizion gati iluminist, që kishte brenda edhe rrezikun e një falimenti, e bëri Ndriçimin jo thjesht një botues, por dhe një misionar. Këtë mision ai e pa mëpastaj te një figurë e jashtëzakonshme siç qe At Valentini. Iu fut plot guxim, pasion e vullnet sjelljes së jezuitit të papërsëritshëm për nga kontributi me botimin e librave të tij të shumtë. Jo çdokush mund ta kryente këtë akt përhirimi, rivendikimi dhe emancipimi kulturor. Unë jam vetë një studiues dhe e njoh “labirintin” e arkivit, erën e hulumtimit, humbullimin e syrit mes mijëra fletësh, s’e kam të vështirë ta parashoh volumin e jashtëzakonshëm të punës prej njeriu të vullnetshëm si botues vizionar. Ndriçimi e qiti në dritë heroin e pa fjalë të albanologjisë, Giuseppe Valentinin.
At Zef Valentini
At Zef Valentini (1900-1979) një prej figurave më të shquara në fushën e albanologjisë, fesë dhe një kontribuues i rëndësishëm në fushën e përkthimit, historisë e filozofisë, është dekoruar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, nga Presidenti i Republikës Bamir Topi. At Zef Valentini ka qenë themelues e drejtues i “Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare” në Universitetin e Palermos, dhe për vite të tëra është spikatur si të mbrojtjes dhe promovues i kulturës shqiptare në botë. Kërkimet e tij shkencore janë mbi historinë e hershme shqiptare, historinë e të drejtës zakonore dhe ligjeve të traditës, aktet juridike të periudhës veneciane apo kohës së Skënderbeut, si dhe studime të tjera të avancuara ballkanologjike e bizantine.