Kukësi sfidon Ru darin në ndeshjen e dytë në Nikshiq, por për këtë radhë ka menduar trajneri Hasan Lika, i cili ka provuar formacionin titullar.
Pritet që ndeshja të jetë e ndryshme nga ajo që u zhvillua para një jave në "Elbasan Arena", pasi këtë herë tekniku pritet që ta nisë me ndryshime.
Bëhet fjalë për dy lojtarë mjaft të rëndësishëm të formacionit titullar, pikërisht afrimi i fundit i ardhur në formë huazimi nga Tirana, Gentian Muça, si dhe sulmuesi i djathtë i Kukësit, kroati Matija Dvornekoviç. Muça e ka lënë para kohe fushën e lojës në sfidën e parë, pasi ndjeu dhimbje, por zëvendësimi ka ardhur dhe për shkak të formës së tij jo optimale.
Problemet që Muça ka pasur me organet e disiplinës në FSHF, e kanë lënë disi mbrapa me stërvitjen, por dhe për shkakun tjetër, që Tirana i nisi me vonesë përgatitjet, pasi nuk siguroi pjesëmarrjen në Kupat e Europës.
Gjithsesi, Muça po vijon stërvitjen intensive dhe pritet që ai të ketë disa minuta në pjesën e dytë të takimit që do të luhet nesër në Malin e Zi. Vendin e futbollistit të Tiranës pritet ta zërë mesfushori brazilian,
Filipe Guimaraesh, i cili luajti si zëvendësues në pjesën e dytë në ndeshjen e parë kundër Rudarit. Ndërsa ndërhyrja e dytë në formacionin është Matija Dvornekoviç.
Kroati ka zhvilluar një gjysmë sezoni shumë të mirë me Kukësin, pasi sulmuesi i djathtë iu bashkua skuadrës verilindore në muajin janar. Që nga ai moment, kroati ka qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës së Kukësit.
Në ndeshjen e parë me Rudarin, Dvornekoviç humbi dy raste shënimi, që i ranë në sy edhe presidentit Gjici, i cili në një deklaratë për gazetën shprehu pakënaqësinë për kroatin, nga i cili priste shumë. Duket se sulmuesi i djathtë nuk është në formën e tij më të mirë, ndaj trajneri Hasan Lika ka bërë prova të mjaftueshme që në vend të tij të luajë Bekim Dema.
Përveç këtyre dy ndryshimeve, nga sfida e parë që përfundoi me rezultatin 1-1, trajneri do të hedhë në fushë një formacion sulmues me dy shtatlartë në sulm, Lukas Rangel dhe Emini, pasi kuksianët presin vetëm suksesin në këtë sfidë.
Porta i është besuar Koliçit, mbrojtja vijon me Hallaçin, Shametin, Malotën dhe Micin. Mesfusha do përbëhet nga Guimaraesh, Musolli, Dema, Kakrioka, si dhe dyshja sulmuese Rangel-Emini.
SKERDILAID SULOZEQI