Ndryshime në radhët e Komisionit të Arbitrave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. "Xhaketat e zeza", të cilat vendosin drejtësi në garën e Superligës dhe kategorive të tjera, për sezonin e ardhshëm do të përcaktohen nga Bujar Pregja. Ky i fundit është emëruar disenjator i arbitrave në FSHF, duke zënë vendin që më parë e mbante Tahir Kastrati.
Burime konfidenciale për "Panorama Sport" bëjnë me dije se Tahir Kastrati do të vazhdojë të qëndrojë shefi i Shoqatës së Arbitrave, por nuk do të jetë më ai që përcakton ndarjen e gjyqtarëve javë pas jave në garat që zhvillon Federata Shqiptare e Futbollit. Ndërkohë, Bujar Pregja që ka qenë në Komisionin e Vlerësimit të Arbitrave, do të marrë përgjegjësinë për ndarjen e tyre javë pas jave.
Pregja ka qenë një nga arbritrat shqiptarë që për vite me radhë ka mbajtur stemën e FIFAs, ndërsa tani ka një rol të rëndësishëm në FSHF. Shpeshherë arbritrat kanë përfunduar në bangën e të akuzuarve nga shumë skuadra që shohin gjithmonë me syrin skeptik vendimet e tyre. "Xhaketat e zeza" të futbollit në Shqipëri janë përfshirë në vorbullën e këtyre ndryshimeve me synimin për të pasur sa më pak gabime dhe garë, e cila të mos cenohet nga vendimet e arbitrave.