Ndryshimet e 2008 me te keqijat e ndodhura ndonjehere pas Komunizmit

Ndryshimet e 2008, me te keqijat e ndodhura ndonjehere pas Komunizmit
Ekspertja e njohur amerikane e Ligjit dhe Kushtetutës flet për zhvillimet e fundit në Shqipëri. Si e shikon ajo problemin e imunitetit, fjalët për shkarkimin e prokurores së përgjithshëm, privatizimin e Albpetrol-it dhe zgjedhjen e kreut të SHISH-it...Në fund, ajo flet dhe për zgjedhjet e afërta të SHBA-së dhe votën e saj të paracaktuar për presidentin Obama

Kathleen Imholz, juriste e njohur, dëshiron që këtë radhë intervistën ta bëj në shqip. Me një shqipe të qartë, por me fonemat e toneve të larta të gjuhës së saj kombëtare, ajo shpjegon qartë qëndrimet e saj dhe saktësinë e ligjit përballë problematikave të ndryshme...
 
Si e shikoni problemin e fundit të heqjes së imunitetit në politikën shqiptare. A është kaq e justifikuar juridikisht kjo zhurmë që bëhet për të?


“Për mua personalisht, problemi i imunitetit nuk është problemi i sotëm kryesor. Në përgjithësi, mendoj se imuniteti për qeveritarët është më i gjerë se sa duhet në Shqipëri. Kuptohet se është i nevojshëm rregullimi. Por rregullimet duhen bërë me kujdes. Dhe, ku e shikoj unë personalisht problemin kryesor: Them vazhdimisht se konfuzioni mbetet armiku numër një, i sundimit të së drejtës. Është krijuar shumë konfuzion me vetë Kushtetutën dhe për këtë mund t’ju jap një shembull. Imuniteti në të gjithë botën ka si qëllim kryesor shprehjen e lirë të fjalës në trupat legjislative: Parlamenti, Kongresi etj.

Në Shqipëri tek Neni 73 i Kushtetutës është e sanksionuar në pikën 1 se deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe votat e dhëna prej tij në Kuvend. Kjo është më se normale, por me atë që vazhdon, në pikën 3 ky nen thotë se kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes. Ne kemi parë kohët e fundit se ekzistojnë shumë padi civile për shpifje, por këto nuk pengohen për çështje imuniteti. Ky përjashtim ka vështirësuar veprimtarinë e Kuvendit, dhe është absolutisht e kundërta e kuptimit të vetë imunitetit.

Përsëris se imuniteti kudo në botë ndihmon lirinë e fjalës së deputetit, kurse në Shqipëri është edhe më i gjerë si koncept. Jam plotësisht dakord që duhet ndryshuar, por ndryshimet nuk janë aq urgjent sa gjërat e tjera. Në këtë kuadër, jam në dijeni të punës që prokurorët amerikanë po bëjnë në kuadër të projektit OPDAT për trajnimin e prokurorëve. Ata kanë biseduar me prokurorët shqiptarë për shumë gjëra dhe ndër të tjera mendojnë se nuk ndiqen siç duhet shumë çështje pasi janë gjithnjë përpara imunitetit të deputetëve, ministrave, gjyqtarëve.

Kjo është edhe arsyeja pse ambasadorët amerikanë Ëithers, Arvizu edhe të mëparshmit kanë insistuar se imuniteti duhej hequr. Siç dihet, përfaqësuesit e PD-së dhe PS-së, Z. Paloka dhe Z. Majko besoj, kanë punuar në qershor të binin dakord për këto ndryshime që kemi përpara nesh sot. Po ashtu, një projekt i Këshillit të Evropës (PACA) dhe një tjetër i BE-së për reformat në drejtësi kanë punuar për këtë qëllim, dhe të huajt kanë shkruar vazhdimisht raporte të gjata. Por ashtu si thoni ju shqiptarët: vetëm i zoti e di ku i pikon çatia. Të themi se: ndërkombëtarët kanë ide më të mira, por kjo s’do të thotë se ato përshtaten tamam për ju.

Tashmë i kemi ndryshimet e propozuara për kufizimin dhe unë vetë  s’jam kundër me raportin përfundimtar që ekziston në tavolinën e palëve...Personalisht besoj se imuniteti është më shumë pretekst për dobësitë në ndjekjen penale. Kam ndjekur shumë procese gjyqësore ku bëhej fjalë për imunitetin dhe imuniteti nuk ka qenë pengesa kryesore. Gjithsesi, me kufizimin e imunitetit do të keni një pretekst më pak. Dhe kjo do të ishte  një gjë e mirë. Nga ana tjetër, rastet e shpifjes do të mbeten dhe do të ndiqen pa procedurë, duke kufizuar disi të drejtën e shtypit. E shikoj këtë pak si mbrapsht...”.

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 duket se kanë sjellë të gjithë këtë katrahurë, që po ndodh. A mendoni se ka vend për ndryshime?

“Mendimi im i qartë dhe i prerë është se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 ishin një nga zhvillimet më të këqija që kanë ndodhur ndonjëherë në Shqipëri post-komuniste, për sa i përket drejtësisë. Ato kanë prishur balancat kushtetuese dhe po ashtu s’iu kanë kushtuar vëmendje neneve të tjera, të cilat u prekën nga këto ndryshime. Për shembull, një nga shumë shembujt, që kanë rrjedhur prej tij: Afati i mandatit të prokurores së përgjithshme, i cili është 5 vjeçar. Kushtetuta është ndryshuar, por prokurorja në detyrë ishte emëruar para ndryshimeve kushtetuese, kur mandati nuk kishte afat. Dhe një nga parimet e sundimit të së drejtës është se ligjet në përgjithësi nuk kanë fuqi prapavepruese. Por ndryshimet kushtetuese nuk kishin asnjë dispozitë tranzitore, dhe koha kur mbaron afati i saj është i paqartë. Shumë juristë të mirë shqiptarë mendojnë se afati pesëvjeçar ekziston, por llogaritja fillon më prill 2008 me hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese. Disa juristë nga vende të tjera si SHBA apo Gjermani kanë shprehur se prokurorja e përgjithshme në detyrë nuk ka afat (edhe pse prokuror i ri do ta ketë).

Në këtë hulli, di vetëm se ndryshimet ishin bërë aq shpejt, sa nuk iu kushtua vëmendje situatës ekzistuese dhe ja pse kemi këtë problem veç të tjerëve.  Megjithatë, këto ndryshime kushtetuese nuk e prekën fare çështjen e imunitetit; imuniteti mbetet siç ishte. Tani, me sa duket, socialistët e kanë kushtëzuar në një farë mënyre miratimin e tyre për ndryshimet që prekin imunitetin me ndryshimet e tjera që do të zgjidhnin disa probleme të tjera. Sigurisht, nuk di se çfarë do të bëhet në të ardhmen.

Një diskutim i detajuar i paketës së tyre do të kërkonte shumë kohë. Dhe të theksoja: këto ndryshime të propozuar në pjesën më të madhe janë pasoja të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008. Për shembull, kur presidenti është i zgjedhur me 3/5 e parlamentit, ndoshta është OK, që gjyqtarët e emëruar nga Presidenti të miratohen me një shumicë të thjeshtë në Kuvend, por kur vetë Presidenti mund të zgjidhet me vetëm 71 vota dhe jo nga 3/5 e parlamentit s’ka më logjikë që pëlqimi i Kuvendit të duhet të jepet nga shumica e thjeshtë. Pra, është prishur balanca.

Një mënyrë tjetër duhet gjetur – ndoshta jo siç është propozuar, por duhet diskutuar. Imuniteti si një çështje e veçantë nuk lidhet me ndryshimet e tjera të paketës, por problemi është se socialistët s’kanë asnjë leverdi për ndryshimet e tjera nëse votojnë për ndryshimet për imunitetin. E di që janë dakord me ndryshimet për imunitetin, dhe Kryetari i partisë së tyre ka thënë se mbase do të miratohen. Megjithatë, për mua ka shumë më rëndësi, dhe ka nevojë urgjente, që të rishikohen çështjet e vitit 2008...”.

Ekzistojnë lëvizje në kampin e djathtë politik, që të bëjnë të besosh se kryeprokurorja i ka ditët e numëruara dhe nuk do e mbyllë dot mandatin...Do shkarkohet menjëherë...

“Menjëherë, çfarë do të thotë kjo...? Mbaj mend situatën me prokurorin e mëparshëm, Theodhori Sollaku. Në ato vite, prokurori i përgjithshëm s’kishte afat dhe u krijua ai komisioni parlamentar për të rekomanduar shkarkimin e tij.

U krijua dy herë: një herë në vitin 2006, kur Presidenti Moisiu nuk firmosi shkarkimin e rekomanduar dhe herën tjetër në vitin 2007, kur President Topi firmosi shkarkimin. E ndoqa nga afër në kuadrin e projektit EURALIUS. Ky i fundit ishte një projekt i krijuar më vitin 2005 nga BE, me qëllimin të ndihmonte sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Unë isha një nga ekspertet e huaja, që asistova në të dy fazat e projektit; tani ka një projekt tjetër të BE-së për konsolidimin e sistemit të drejtësisë. Nuk jam e lidhur me këtë projekt, por projekti ka bërë hapa të vlefshëm, edhe për çështjen e imunitetit. Pra, përgjithësisht jemi në një linjë të përbashkët qëndrimi. Të kthehemi në çështjen e prokurorit tuaj: Me EURALIUS-in ndoqa procedurën kundër kryeprokurorit Sollaku. Ajo filloi me një raport nga Ministria e Drejtësisë – krijimi i komisionit parlamentar ishte hapi i dytë.

Jam nga të pakët të huaj që kam lexuar atë raport si dhe raportin e fundit të Ministrisë së Drejtësisë i cili trajton prokurorinë e Ina Ramës. Të dy raportet kanë shumë ngjashmëri, dhe ndoshta mendohet të procedohet si në kohën e Sollakut.  Siç e thashë edhe më sipër, ka paqartësi për afatin e prokurores së përgjithshme, por çfarë rëndësie ka edhe nëse ajo vazhdon mandatin deri më prillin tjetër. Me pak fjalë: Procedura e krijimit të një komisioni tani dhe një shkarkim tjetër rrufe nuk është në dobi të Shqipërisë. Duhet të jetë e mjaftueshme që kryeprokurorja të mbarojë mandatin e saj”.
 
Ndryshimi i fundit i kreut të SHISH ka ngjallur shumë reaksion në kampin opozitar dhe madje edhe nga zyrtarët amerikanë, që mendohen si mbështetësit kryesorë të pavarësisë së këtij institucioni. Ata bënë një reagim shumë të ftohtë me rastin e emërimit të ri të papritur. Si e keni parë ju nga ana juridike këtë lëvizje?

“Nga ana juridike shkarkimi i tij ishte në rregull, sipas mendimit tim. Kushtetuta e vitit 1988 kishte krijuar në shumë raste mekanizma të kontroll-balancimit apo siç thuhet nga ne checks and balances. Emërimi i kryetarit të SHIK përfshinte një nga ato. Kushtetuta i dha Presidentit kompetencën për të miratuar propozimin e Kryeministrit (e cila ligji për SHISH-in zgjeroi deri në shkarkimin e tij). A mban mend situatën në vitin 1999 kur kryeministri Majko donte shkarkimin e z.Fatos Klosi si kryetar e SHISH-it, por presidenti Meidani nuk firmosi?

Në atë kohë, kryeministri shkoi në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit të miratuar nga shumica e tij!. Ishte pikërisht ai vendim i Gjykatës Kushtetuese që refuzoi pretendimin e kryeministrit, por vendosi që SHIK-u duhet të quhet SHISH-i sipas Kushtetutës së re (dhe ja pse e kemi këtë emër edhe sot). Por, shërbimi sekret është një funksion ekzekutiv; fakti që presidenti ka rol balancues është diçka shtesë, që për mua është diçka e mirë.

Megjithatë, edhe një herë, shohim një pasoje të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008. Balanca ishte prishur pa u menduar mirë (për këtë dhe shumë dispozita të tjera të Kushtetutës). Tani, roli i miratimit është në duart e një njeriu të zgjedhur me 50+1 të votave dhe jo me ‘konsensusin’ e 3/5. Shumë probleme burojnë edhe nga ndryshimet kushtetuese, siç e kam theksuar, por ligjërisht zëvendësimi i kryetarit të SHISH-it ishte krejt në rregull...”.
 
Privatizimi i fundit strategjik i Shqipërisë dhe ofertat e fundit të ardhura kanë konvertuar me ardhjen e zyrtarit të lartë amerikan Riker. A mendon se ka një shqetësim nga pala amerikane për këtë privatizim...

“Unë di vetëm gjëra që lexoj në gazeta dhe nuk kam lexuar asnjë dokument zyrtar deri më tashmë. Jam juriste dhe u besoj vetëm dokumenteve. Faktet s’janë ende të qartë në këtë proces. Një çmim 3 herë më i lartë se të tjerët është sigurisht tepër tërheqës për veshin. Por ka mundësi që çmimi i raportuar ngatërrohet pak dhe ajo që raportohet në shtyp mund të jetë pjesërisht fondi për zhvillimin në të ardhmen. Ka edhe pikëpyetja të tjera, dhe nuk e di. Por do ta ndjek me interes”.
 
Amerika ishte kumbari i pavarësisë së Kosovës. Ditët e fundit, ka marrë fund pavarësia e mbikëqyrur. A mendoni se vendi juaj do e mbështesë në të ardhmen njësoj Kosovën?
“Shpresoj se po. Them dhe ‘shpresoj’ sepse vëmendja e qeverisë sime, si dhe e çdo qeverie, s’është konstante. Qeveria ime do stabilitet në Ballkan dhe mendon që ka stabilitet. Sigurisht që presidenti Obama dha një mesazh optimist për Kosovën ditët e fundit dhe jam dakord. Por kam një merak të përgjithshëm për mungesën e vëmendjes e cila i kushtohet ngjarjeve në terren. E di, nga ana tjetër, se politikanët dhe diplomatët kanë interesat e tyre dhe s’kanë kohë të studiojnë thellë zhvillimet e Shqipërisë e as të Kosovës...ashtu si edhe ato në Bosnjë, Serbi, Kroaci e gjetke”.
 
Edhe pak muaj janë zgjedhjet në vendin tuaj. Nga prireni ju personalisht, nëse më lejoni t’ju pyes?

“Unë kam qenë gjithmonë, që nga lindja, demokrate njujorkeze dhe do të votoj në nëntor për Presidentin Obama, kuptohet në mungesë. Kemi një procedurë për votimin në mungesë, dhe do të votoj në Florida, vendqëndrimi im i fundit në ShBA. Atje, mendoj, vota ime ka më shumë vlerë. Jam optimistë se do të fitojmë”.
 
Pse është i besueshëm presidenti Obama me projektin e vet?

“Obama është përballur me shumë probleme dhe me një opozitë intransigjente. Fakti që ka bërë aq sa ka bërë ndoshta do të vlerësohet ashtu si duhet në të ardhmen. Kam frikë dhe merak, megjithatë, se edhe nëse do të fitoj zgjedhjet, kjo mund të ngurtësojë qëndrimet e Republikanëve në Kongres dhe do të vështirësojë më shumë problemet e tjera të Presidentit Obama. Por, si thoni ju shqiptarët, le të shpresojmë...”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama